Ataturku, ylli i shndritshëm i Hitlerit

Postuar në 09 Shtator, 2015 13:09
William O'Connor

Fiksimet e Hitlerit se ai ishte njeri me prirje për fiksime të pashëndetshme ishin të rrezikshme për botën: qoftë fiksimi me veten, me shkollën e artit, me ëndrrat e tij të madhështisë, me Eva Braun, me urrejtjen për çifutët ose, më e panjohuri, për Turqinë. Të thuash se rrënjët e Rajhut të Tretë janë ekzaminuar tërësisht do të ishte një nënvlerësim. Megjithatë, një nga elementët në marrjen e pushtetit prej Hitlerit është lënë krejtësisht në hije: rëndësia e Turqisë dhe Mustafa Kemal Atatürk (Hitleri e quante “ylli i shndritshëm” i tij) në mendimet e Fyhrerit.
Në librin Ataturku në imagjinatën e nazistëve, Stefan Ihrig trajton rolin e stërmadh që Ataturku dhe Turqia e Re luajtën në mendjen e Gjermanisë së periudhës së të djathtës së Vajmarit – një influencë që u zgjat gjatë viteve të nazizmit. Revolucioni turk ishte çështja më e diskutuar në politikën e jashtme në fillim të viteve 1920, dhe nazistët jo vetëm që modeluan lëvizjen e tyre sipas Lëvizjes Kombëtare Turke, por udhëheqësit nazistë nga Hitleri te Goebbelsi ishin personalisht të magjepsur nga gjithçka që bënte Ataturku.
Pas Luftës së Parë Botërore gjermanët – konservatorët në veçanti – u gllabëruan nga ideja që ata ishin trajtuar padrejtësisht në Konferencën e Paqes në Paris (‘përdhunuar’ ishte një fjalë e përdorur shpesh), dhe ishin goditur pas shpine nga burokratët dhe minoritetet në Berlin. Megjithatë, ndërsa gjermanët u zhgërryen në keqardhje për veten, një tjetër superfuqi e mundur iu nënshtrua një transformimi dramatik.
Kur gjurmët e fundit të Perandorisë osmane u çmontuan nga Traktati i Aleatëve në Sèvres, edhe Turqia moderne u copëtua, me copa të mëdha që iu dhanë Greqisë e Armenisë, si dhe fuqive të mëdha si Britania, Italia dhe Franca. Duke filluar nga 1919 nacionalistët turq – të udhëhequr nga Ataturku në Ankara – u transformuan nga një fuqi e rrethuar në një forcë që luftoi kundër grekëve, francezëve dhe armenëve në fronte të shumta. Gjatë disa viteve të vështira ata ia arritën të negocionin një marrëveshje të re, Traktatin e Lozanës, më 1923, i cili themeloi Turqinë moderne.
“Në sytë e gjermanëve të dëshpëruar dhe zhgënjyer,” shkruan Ihrig, “kjo ishte një ëndërr nacionaliste e realizuar ose, më mirë, diçka e ngjashme me pornografi tej-kombëtare.”

Më 29 korrik 1919 gazetat gjermane publikuan firmosjen e Traktatit të Versajës një ditë më parë, i cili i dha fund Luftës së Parë Botërore dhe e detyroi Gjermaninë të paguante dëmshpërblime e të lëshonte territor. Dy ditë më vonë gazetat nisën atë që mund të përshkruhet vetëm si lidhje dashurie me Mustafa Kemal Pashain (Ataturku, më vonë). Lajmet për Turqinë dhe udhëheqësin e saj do të mbushnin gazetat e përditshme dhe javore të Gjermanisë.
Gjatë katër viteve e gjysmë që pasuan, gazeta konservatore Kreuzzeitung botoi në total 2.200 artikuj, komente e reportazhe për Turqinë. Gazeta e afërt me nazistët Heimatland i kushtoi specialeve për Ataturkun 1/8 e gazetës çdo javë, nga 1 shtatori në 15 tetor 1923. Gazetat në gjithë vendin i referoheshin Turqisë si “shembull” për Gjermaninë. Opinionistët nacionalistë lavdëronin atë që e shikonin si taktikë e fuqishme negociuese e Turqisë – në thelb “na jepni atë që duam ose ne do të vazhdojmë luftën” – dhe dënuan dorëzimin e Gjermanisë para kushteve të aleatëve. Disa, si puna e kelrikut dhe politikanit me ndikim Max Maurenbrecher, mbronin idenë që nëse Gjermania do të kishte luftuar për lirinë dhe kufijtë siç bëri Turqia atëherë nuk dot të vuheshin kushtet e Versajës. Revolucioni i Turqisë ishte një “ëndërr revizionisto-nacionaliste e bërë realitet, një version i fetishizuar i saj madje, sepse ishte arritur me shpatë, në fushëbetejë, me beteja të mëdha, dhe me befasi epike,” shkruan Ihrig.

Në fakt, pohon autori, Turqia ishte bërë një lloj Fürstenspiegel për gjermanët konservatorë: Fürstenspiegel ose “pasqyrë për princa” është një gjini letrare e cila përdor një histori të largët (gjeografikisht ose historikisht) për të mbrojtur veprime të caktuara në të tashmen. Konservatorët gjermanë që shkruanin për Turqinë lavdëronin rolin e saj militant aktiv në formimin e fatit të saj kombëtar, dhe theksonin mënyrat si Ataturku kishte ardhura nga Ankaraja në Stamboll, për të udhëhequr një lëvizje popullore të bashkuar. Që Ataturku ishte nga Ankaraja ishte e rëndësishme, sepse Hitleri dhe aleatët e tij e shikonin lëvizjen e tyre të fuqishme për shkak të rrënjëve në Mynih, jo në Berlin. Më vonë, historia e jetës së Ataturkut do të përdorej për të promovuar rëndësinë e një Fyhreri.

Mendimi popullor për ardhjen e Hitlerit në pushtet shpesh thekson influencën e Mussolinit dhe marshimin e tij në Romë. Në fakt, argumenton Ihrig, “funksioni i shembullit të mirëqenë të Mussolinit, kryesisht i deduktuar nga rëndësia e mëvonshme e Italisë fashiste, i ka bërë shumë autorë ta mbivlerësojnë Italinë” dhe për rrjedhojë “pak historianë e përmendin Atatutkun si pjesë e atmosferës së përgjithshme para puçit”. Në fakt, siç e thekson Ihrig, Mussolini e quajti veten “Mustafa Kemali i Ankarasë milaneze”, ndërsa nisi rrugën e tij drejt pushtetit.
Ihrig argumenton se dy gazetat kryesore naziste, Heimatland dhe Völkischer Beobachter, ishin promovuese të “metodave turke” [kemaliste] që më 1921. Nazistët ishin të mendimit që forca brutale kishte qenë e nevojshme për pavarësinë e Turqisë, dhe ato vinin në dukje goditjen që Ataturku u bëri pakicave e gjithë atyre që ishin kundër. Një ideolog nazist, Hans Trobost, shkroi haptazi për “pastrimin kombëtar” të Turqisë nga “gjakpirësit” dhe “parazitët”, si armenët dhe grekët; më vonë Trobs u ftua të takohej me Hitlerin, pasi udhëheqësi lexoi shkrimet e tij për Turqinë. Ihrig thekson që sekretari i Hitlerit i shkroi Trobstit në emër të Hitlerit, ku i thoshte se “ajo që ju keni vëzhguar për Turqinë është ajo që duhet të bëhet në të ardhmen me qëllim të çlirohemi”.
Këto lavdërime për agresionin turk ishin puna përgatitore për puçin e Hitlerit, me të cilin ai tentoi, por dështoi, të merrte pushtetin në Mynih më 1923. Vetëm pasi dështoi këtu, thotë Ihrig, Hitleri e pa të nevojshme të ndiqte një rrugë politike më “legjitime”, si Mussolini. Në fjalimin përfundimtar në gjyqin e tij, Hitleri nxori në dukje Ataturkun (dhe pastaj Mussolinin) si shembuj pse përpjekja e tij për rrëmbimin e pushtetit nuk ishte tradhti: ajo ishte, tha ai, për “të fituar lirinë e kombit të tij”.

Pas një dekade, më 1933, Hitleri i tha të përditshmes turke Milliyet se Ataturku ishte, me fjalët e tij, “njeriu më i madh i shekullit”, dhe pranoi që në vitet “e errëta ‘20 lufta e suksesshme për çlirim që [Ataturku] udhëhoqi me qëllim të krijonte Turqinë i kishte dhënë atij besim se lëvizja nacional-socialiste do të ishte gjithashtu e suksesshme”. Hitleri e quajti lëvizjen turke [kemaliste] “ylli shndritës” i tij. Më 1939, në ditëlindjen e tij, Hitleri u tha gazetarëve dhe politikanëve që “Ataturku ishte i pari që kishte treguar se ishte e mundur të mobilizoheshin dhe rigjeneroheshin burimet që vendi kishte humbur. Në këtë drejtim Ataturku ishte një mësues dhe Mussolini ishte nxënësi i parë i tij, ndërsa unë i dyti”.
Magjepsja e gjermanëve prej Atatutkut dhe Turqisë u zbeh pas puçit. Vite më vonë, pasi nazistët kishin marrë pushtetin dhe nisën luftën e tyre, Turqia doli sërish në sipërfaqe – propagandistët nazistë tregonin Ataturkun, kur mbronin idenë e nevojës për një Fyhrer, që ndiqej besnikërisht nga populli tij pa diskutim, kur nxitën idenë vetëm për një parti politike dhe detyrimin e sakrificës kombëtare, dhe kur mbronin idenë e nevojë së goditjes së disidentëve me qëllim pasur një front të bashkuar kundër armiqve të jashtëm.

Obsesioni gjerman për Turqinë ishte kaq i madh nën pushtetin nazist, saqë Ministria e Propagandës Gjermane u ankua më 1937 se lajmet pozitive për Turqinë po bëheshin të padurueshme. Madje dhe obsesioni i Hitlerit me Turqinë ishte sa strategjik aq edhe thellësisht personal. Ndërsa Ihrig i jep me detaje lidhjet historike të Gjermanisë me Perandorinë osmane – madje dhe përfshirjen e saj të mundshme në gjenocidin armen – është afërsia personale e udhëheqësit nazist me Turqinë dhe Ataturkun që është veçanërisht tërheqëse. Hitleri, për shembull, e konsideronte një bust të Ataturkut, nga Josef Thorak, si “një nga sendet e tij më të çmuara”, sipas fotografit zyrtar të Fyhrerit, Heinrich Hoffmann.
Ai i kushtoi vlerësim unik Turqisë në çështjet shtetërore. Më 1934, pak ditë para ditëlindjes së Hitlerit, flamuri u ngrit në gjysmështizë në qendrën e SA (këmishëzinjtë) për vdekjen e ambasadorit turk Kemaletin Sami Pasha – dhe sipas Ihrig vetë Hitleri urdhëroi atë që në thelb ishte një procesion varrimi shtetëror për diplomatin e vdekur. Kur vdiq Ataturku, më 10 nëntor, vdekja e tij dominoi gazetat në Gjermani, pavarësisht se ndodhi vetëm një ditë pas famëkeqes Kristallnacht.

Edhe Joseph Goebbelsi ishte simpatizant i udhëheqësit turk. Më 1937 Goebbelsi shkroi në ditarin e tij: “Një fluturim i mirë. Gjatë udhëtimit mbarova leximin e librit për Ataturkun. Një jetë krenare e heroit. Tërësisht i admirueshëm. Jam i lumtur!”. Pastaj më 21 tetor 1938, të njëjtën ditë që Hitleri urdhëroi copëtimin e Çekosllovakisë, Goebbelsi shkroi se vdekja e Ataturkut “ishte një humbje e pazëvendësueshme”. Shëndeti i udhëheqësit turk kishte qenë në rënie, por pak ditë më vonë Goebbelsi shkroi thuajse në gjuhë intime: “Sëmundja e Ataturkut është shumë serioze. Por natyra e tij prej ariu e ndihmon të luftoi një fund të shpejtë në këtë pikë”.
Lidhja më e dukshme të bëhet mes sundimit nazist dhe të Ataturkut është, natyrisht, tragjedia e Holokaustit dhe gjenocidit armen, që ndodhi para se Ataturku të vinte në pushtet. Ndërsa Ihrig i shmanget një debati për atë që ndodhi saktësisht me armenët në Turqi, ai argumenton që për sa u përket nazistëve, ajo që ndodhi nuk kishte rëndësi. Ata besonin që armenët ishin “çifutët e Lindjes” dhe që vdekja e shtypja e tyre luajti një rol kyç në shfaqjen e Turqisë moderne. Në fjalime, Hitleri gjithmonë u referohej armenëve si në të njëjtin nivel me çifutët, dhe në një artikull ai deklaroi që “armenët e mjerë” ishin “derra, të korruptuar, të pistë, pa ndërgjegje, si lypsa, të nënshtruar, madje si qen”. Tekstet naziste proklamonin që zhdukja ose përzënia e armenëve ishte “një nevojë e detyrueshme”. Nazistët panë te Turqia atë që donin të shihnin, pavarësisht si e shikonin veten Ataturku dhe turqit. Sot Turqia në imagjinatën gjermane ka të bëjë kryesisht me emigrimin, asimilimin, dhe anëtarësimin në BE. Ihrig ia ka dalë të tregojë se marrëdhënia mes dy qendrave të civilizimit është shumë më e thellë, e shumë më e kërcënuar, sesa pamja e jashtme.

"postbllok.com"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.