Shënim/ Alterteksti apo teksti i unifikuar: dështojnë politikat arsimore të ministrisë edhe për këtë vit

Postuar në 08 Shtator, 2015 08:03
Leonard Veizi

Dhjetë ditë përpara së të fillonte viti i ri shkollor u dha lajmi se librat për të 12 vitet e sistemit parauniversitar ishin gati për shitje. Të informuar apo krejt të paditur për atë që do të blinin me para, nxënës e prindër bashkë zunë radhën në ambientet e shkollave përkatëse për të marrë librat e vitit, që gjithsesi nuk mund të thuash se janë aq të lira në çmim, dhe për djall vazhdojnë të jenë po aq të rëndë si peshë për t’u mbajtur pas shpine sidomos nga fëmijët e fillores.

Gjithsesi kjo ka të bëjë vetëm me një pjesë të problemit. Për më tej kjo problematikë bëhet ca më e koklavitur.

Do kohë më parë, veç projektit për të hartuar një draft mbi Arsimin e Lartë, karta me të cilën po luante fort Ministria e Arsimit ishte dhe ajo e unifikimit të teksteve shkollore për strukturat e sistemit arsimor parauniversitar. Që prej dy vitesh u tha se altertekstit i erdhi fundit. Tek e fundit gjithçka e ka një fund.

Në këtë rast, veç një aksioni politik të ndërmarë nga qeveria Rama, problemi i shtruar për zgjidhje dukej se merrte të drejtë, pasi edhe në shtypin e përditshëm si dhe në rrjetet sociale vërshuan një lumë kritikash mbi problematikën që dilnin me tekstet shkollore të sistemit parauniversitar e sidomos me ato që i përkisnin sistemit 9-vjeçar. Për shkak të tekstit alternativ, kjo problematikë bëhej edhe më e madhe, pasi shkolla të ndryshme kishin tekste të ndryshme, pra për çdo lëndë qarkullonin 4-5 tekste alternative, dhe padyshim, gafat që paraqiste një tekst nuk i kishte tjetri. Por, çdonjëri prej teksteve gjithsesi kishte kusuret e veta. Duke përmendur përciptazi disa nga mangësitë, mund të thuhet se mbi të gjitha mësohej gjuhë shqipe dhe letërsi me tekste ku kishte qamet gabime drejtshkrimore, aq sa kuptohej lehtë që asnjë material nuk kishte kaluar në duart e një korrektori për të ndrequr gabimet. Për të mos vazhduar më pas me gabimt logjike.

Për këtë arsye u ra dakord që epoka e altertekstit të mbyllej dhe të rivinte në skenë teksti i unifikuar për të gjithë. Me gjithë debatet e përplasjet pa të cilat as që mund të mendohej kjo reformë, gjithsesi u mendua se duke pasur vetëm një tekst edhe kontrolli mbi të do të ishte më i rreptë, e për pasojë dhe gabimet e mundshme do të minimizoheshin.

Përpara fillimit të vitit akademik 2014-2015 ministria u justifikua se nuk kishte kohën e mjaftueshme për të unifikuar tekstet edhe pse grupet e punës në fakt ishin ngritur. Por gjithsesi, koha vërtet ishte e shkurtër. U deklarua me pompozitet që viti i ardhshëm akademik, pra ai 2015-2016 do të kishte tekstet e unifikuara, pasi dhe koha do të ishte e mjaftueshme.

Këtë vit gjithashtu u shpërndanë të njëjtat tekste që janë shpërndarë vite me radhë e për të cilat thuhet se kanë mjaft probleme e mospërputhje. Në këtë kemi të bëjmë me një dështim të politikave të Ministrisë së Arsimit e padyshim të vetë qeverisë në këtë pikë, përderisa për dy vite me radhë nuk arriti të unifikojë tekstet për të cilat debatoi aq shumë?

Leonard Veizi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.