30 lekë për Fate Velajn dhe disa mendime për këshilltarin e kryeministrit

Postuar në 07 Shtator, 2015 21:16
Ilir Sinanaj
I përgatitur të kaloj një ditë të zakonshme (kjo gjithmonë në kontekstin e përditshëmrisë shqiptare të të zakonshmes si edhe punës si gazetar), më ndodhi një gjë e (pa)zakonshme. Për herë të parë, pas disa vitesh, bleva një gazetë! Në rastin në fjalë bleva një gazetë (gazeta “DITA”), duke investuar kështu 30 lekë, ku pashë një intervistë të këshilltarit të kryeministrit për diplomaci kulturore, Fate Velaj. Titulli në faqe të parë: “Lufta në shumë fronte mposht edhe strategët e mëdhenj”. Për z. Velaj dija që ishte këshilltar pranë kryeministrit për diçka që ka të bëjë me kulturën. Për të gjetur pozicionin e tij të saktë m'u desh të notoja nëpër internet. Se çfarë mund të këshillojë një këshilltar për diplomacinë kulturore një kryeministër në rrafshin e errët të padijes sime mbetet një mister. Por gjithsesi e marrë të mirëqenë se është një këshilltar që e këshillon kryeministrin të marrë vendimet e duhura. Dhe në kontekstin kapitalist vendimet e duhura janë ato vendime që ndihmojnë lehtësimin e marrëdhënieve të shkëmbimeve ndërnjerëzore, me qëllimin e vetëm për të sjellë përfitime, që ndikojnë në mirëqenie. Për t'iu rikthyer faktit “të jashtzakonshëm” se pse e bleva gazetën ka 3 arsye.
 
Së pari më tërhoqi titulli. Gjatë këtyre ditëve kam pasur biseda të shpeshta, me persona për të cilët kam respekt të thellë për nivelin e tyre intelektual, në lidhje me çështjen e ritmit dhe mundësive që ka qeveria për të zgjidhur problematikat që ka vendi (të cilat gjithmonë në kuadrin kapitalist mund t'i përfshimë në problematike që lidhen me ekonominë). Për këtë desha të dija se çfarë është pikëpamja e një këshilltari të kryeministrit.
Së dyti, nëpërmjet faqes së “Facebook”-ut të z. Velaj kam vënë re ai është një person i kulturuar dhe jepet pas veprimtarive kulturore, që të paktën nëpërmjet këtij rrjeti social, tërheqin vëmendje aq sa t'u kushtosh disa minuta (në prizmin e epokës së informacionit të sasive marramendëse dhe shpjetësive të skëterrshme, edhe disa sekonda, në mendimin tim, mund të konsiderohet një kohë relativisht e “gjatë”). Prandaj do të doja të dija se për çfarë e këshillon një këshilltar kryeministrin.
Dhe së treti, nga pamundësia për të gjetur intervistën në internet, dhe dëshira për t'u informuar a më shpejt.
 
Përshtypjet e përgjithshme
 
Pasi lexova intervistën më rezultoi (në mendimin tim) se mbi 2/3 e intervistës nuk ishin pjesë e asaj që prisja të dija; pra se çfarë mendon një këshilltar për problematikat që po has vendi dhe se për çfarë e këshillon një këshilltar kryeministrin. Pjesa më e madhe në perceptimin tim ishte vënia në pah e veprimtarisë kulturore të z. Velaj. Po nga njëra anë edhe pyetjet ishin të tilla. Ajo që unë interesohesha për sa më lart ishte 1/3 e intervistës.
 
Rreth turizmit
 
I pyetur se pse nuk preferoi jugun e Shqipërisë (për të kaluar pushimet), në intervistë z. Velaj përgjigjet se “nuk jam i pasur t'i bëj pushimet në jug të Shqipërisë” Më tej këtë e argumeton me çështje që lidhen me shërbimin e “keq”, kryesisht duke përmendur zonat Dhërmi dhe Drimadhë, e duke përdorur terma, në mendimin tim, të ashpër. Por nuk e la pa thënë edhe faktin se ka shkuar në këto zona vit pas viti, duke treguar për “sakrificën” për ta dashur zonën. Nuk lë pa vënë në pah edhe potencialin e madh natyror që kemi. Duke vlerësuar stilin tërheqës përshkrues të z. Velaj për këto çështje, mua më lind një pikëpyetje shumë e madhe. Në programinKy përshkrim i çështjeve të turizmit nga ana e një këshilltari të kryeministrit, a po ecën zhvillim i këtij sektori në rrugën e duhur? Çfarë janë duke bërë të gjithë ata zyrtarë që merren me turizmin? Po z. Velaj që ka kaq dashuri për këto visare turistike çfarë ka bërë për të përmirësuar gjendjen në këto 2 vite? Nuk di të them...Gjithsesi për mua është pak i rëndë ky konstatim nga ana e z. Velaj për turizmin tonë, kur edhe nuk shoqërohet nga një propozim për ta ndryshuar. Për më tepër kjo deklaratë për çështjen e turzimit në jug më duket si një antireklamë, në një kohë kur institucione të ndryshme që përgjigjen për turizmin, po ndërmarrin fushata promovuese të kushtueshme (se nuk besoj të bën njeri reklamë kot në kapitalizëm) nëpër botë!! Por shpresoj realisht që në arsyetimin tim të jem gabuar në lidhje me ecurinë e punëve në këtë sektor, pasi si qytetar i Shqipërisë dua që të rregullohet vendi im. 
 
Puna e z. Velaj gjatë 2 viteve
 
Kjo ishte nga pjesët, për mua, më “interesante” e intevistës, pasi z. Velaj u pyet të komentonte mbi punën e tij 2 vjeçare. Në punët e tij ishin përfshirë takime me eurodeputet e intelektualë të ndryshëm, të cilët kishin debatuar për të ardhmen e Shqipërisë, letërkëmbime të z. Velaj (me sa kuptova) me kancelaritë evropiane, si edhe ekspozita në qytete shqiptare për zhvillimet kulturore të vendeve të Bashkimit Evropian. Më tej ai shprehet se i ka mbledhur në 2 broshura, që janë arkivuar më pas në zyrën e kryeminitrit. Pasi lexova këtë, në mendjen time “të keqe”, mendova se sa e thjeshtë qenkërka të bëhesh këshilltar kryeministri. Mjafton të bësh ca ekspozita e të dokumentosh ça ke shkruar e ça ke thënë nëpër forume. Tani ajo pjesë “e mirë” e mendjes sime mendon se: a nuk do të ishte më mirë që këto broshura me informacione kaq të vyera të viheshin në dispozicion të një debati publik dhe intelektual, në mënyrë që të merrej një përvojë dhe të kupohej më mirë, se sa thjesht të arkivoheshin në zyrat kryeminitrore? Së dyti si kanë ndikuar gjithë këto veprimtari të z. Velaj në aspektin kulturor si kanë ndikuar? Dhe sa i kanë vlejtur ato kryeministrit, pasi në fund të fundi është këshilltar i këtij të fundit?
 
Kritika administratës
 
“Elif marrak”! Kjo ishte një “figurë letrare” e z. Velaj, të cilën nuk dija të shpjegoja. Por duke qenë se nuk kam turp të pyes bëra disa hulumtime. Më rezultoi që kjo shprehje kishte prejardhje turke dhe që do të thoshte një person idiot që nuk merr vesh. Madje, në një nga burimet nga ku u informova në lidhje me këtë çështje shprehja ishte “elif matrak”. Në lidhje me admistratën qeveritare, në intervistën e tij z Velaj shprehet: “Shumë nga anëtarët e kabinetit “Rama 1” janë të dispozuar drejt suksesit dhe rezultatet e punës së tyre së shpejti priten të jenë për t'u duartrokitur, por mes tyre si dhe në ndonjë institucion tjetër, gjen ndonjë që është “elif marrak” dhe tek i cili unë, dhe jo vetëm unë, nuk pres të shoh së shpejti ndonjë gjë të hajrit”. Pikë së pari do të kisha preferuar në vend të fjalës “dispozuar” të përdorej fjala “prirur”. Së dyti, përdorimi i shprehjes “elif marrak” është shumë e rëndë në mendimin tim, për faktin se anëtarët e kabinetit i ka zgjedhur vetë kryeministri Rama. Pra zgjedhje e një kabineti është pasqyra e kreut që e zgjedh; çfarë mund të kuptoj unë për kryeministrin nga kjo mënyrë e cilësimit të disa anëtarëve të kabinetit nga z. Velaj?! Së treti, mendoj se këto çështjet dhe perceptimet e asaj që ndodh në kryeministri, nuk duhen të bëhen publike në këtë mënyrë nga një person siç është një këshilltar i kryeministrit. Kjo pasi në mendimin tim dëmton reputacionin e kryeministrit. Me pak fjalë: problemet e familjes nuk duhet të dalin në pazar. Kështu thotë një fjalë e utë popullore.
 
Kantierët e ndërtimit dhe njerëzit
 
Duke folur për punën e qeverisë, duke vënë në pah si arritjet, por edhe faktin se duhet punuar më shumë, si qeveria ashtu edhe vetë ai, z. Velaj shprehet: “Sigurisht që jo vetëm unë, por edhe vetë qeveria, nuk është në pritshmëritë e saj aty ku duhet të jetë. Fakt është se janë hapur shumë kantierë njëkohësisht. Por, nga historia dimë që shumë komandantë e strategë kanë humbur luftërat vetëm e vetëm se ia kanë zhvilluar ato në mënyrë paralele, në të njëjtën kohë, e në shumë fronte”. Për sa i përket kantierëve të ndërtimit (pra me sa kuptoj unë një metafor për reformat që po ndërmerren nga qeveria), çështjet janë të atilla që duhetë ndërtohen në të njëjtën kohë. Sa për faktin e të pasurit “shumë fronte”, në fakt ka vetëm një front të vetëm: përpjekja për të zhbllokuar forca krijuese dhe prodhuese të kapitalit njerëzor me qëllim maksimizimin e të gjitha forcave për rritje ekonomike. Por në këtë front kemi shumë “teatre dyluftimesh” si për shembull lufta ndaj evazionit fiskal, informaliteti në punë, lufta ndaj krimit të organizuar etj. Dhe për çdo “teatër dyluftimi” normalisht ka një gjeneral. Pra makina shtetërore është e pajisur të ndërmarrë shumë çështje në të njëjtën kohë, prandaj edhe eksistojnë disa dikastere e një numër i madh institucionesh. Ndërkaq, z Velaj ngre në pikëpyetje çështjen e personelit për të ndërmarrë reformat dhe për mirëfunksionimin e shtetit, duke thënë: “Por që fitorja të arrihet pa u rrëzuar për të frenuar me hundë, kërkohen resurse të mëdha njerëzore dhe stafe shumë herë më cilësore se ato që kemi”. Për sa i përket kësaj mendoj se në Shqipëri ka djem edhe vajza të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre duke i'u përgjigjur sfidave dhe kërkesave të bashkëkohësisë, djem dhe vajza që nuk janë dorëzuar përpara realitetit kandërrik që ka plakosur anembanë vendit, djem dhe vajza që janë plot energji dhe besim për të ardhmen, por që bllokohen nga garda e injorantëve, të cilët kanë zaptuar ofiqe e parti. Nga ana tjetër puna më e madhe një drejtuesi qoftë të qeverisë, qoftë të një sipërmarrje është të gjejë njerëzit e duhur dhe t'i vendosë ata në vendet e duhura. Kjo është menyra e zhbllokimit të kapitalit njerëzor. Madje si term, kapitali njerëzor nëse nuk gaboj, është përdorur në vitin 2013 nga vetë kryeminiri Edi Rama, çka në mendimin tim është një hap shumë i rëndësishëm në kalimin drejt një mendësie evropiane. Tani duhet thjesht të zbatohet. Një shprehje angleze thotë: where there's a will, there's a way (Ku ka vullnet, ka rrugëdalje).
 
Përmbyllëse
 
Këtë koment e shkruajta, sipas mendjes sime “të keqe”, sepse ose ndihem i pakënaqur nga përgjigjet e z. Velaj për atë që prisja, ose sepse shpenzova 30 lekë për ta lexuar atë pak më herët (nuk di të zgjedh). Ndërsa ajo pjesë e mendjes sime “të mirë” e bëri në shenjë vlerësimi (për kohën dhe mendimet në lidhje më intervistën) për aftësitë arkivuese dhe promovuese të punëve të z. Velaj; me sa kam vënë re nëpër internet apo rrjete sociale. është diçka që duhet ta zbatoj edhe për veten time. Dhe nga e gjithë kjo intevistë më kryesorja për mua është kjo karakteristikë, që duhet ta kemi më shumë këtu në Shqipëri. Në traktatin e tij Hagakure (një trakatat për mënyrën se si duhet të sillet dhe veprojë një samuarai) të samurait Jamamoto Tsunetomo, thuhet se (një samurai) nga pamundësia për të gjetur një njeri të përsosur për të marrë shembull në të gjitha aspektet, duhet të marrë diçka pozitive nga çdo njeri dhe ta integrojë në karakterin e vet apo mënyrën e të sjellurit dhe të vepruarit.
 

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Kush eshte ky, Qazim Mulleti?

Submitted by Elif Matrak (not verified) on

Eshte nje shkrim-portret i shkelqyer,
portret i sakte i Performances se Rilindjes...

Fate Velaj (nuk ka te bej me ish te burgosurin politik Petrit Velaj) mund te perdoret si Emblema fotozhenike e Rilindjes, per inat te atyre qe e kane inat dhe atyre qe nuk e dine kuptimin e El If Matrak...

Submitted by vlora (not verified) on

ti shoku ilir sinanaj- na ke bere nje gjoja shkrim , qe asgje nuk shkruan, vec rrotullohesh me fjale boshe pa kuptim te delirit te mendjes tende po shume boshe aman. mqs me bere kurioz per shkrimin tend , vendosa te hulumtoj rreth fate veles. shume gjeta ne jeten e tij, piktura, foto, narativ, esse, expo, kuratime, diskusione,cmime , medalje etj etj..... po ti ku je o ilir ( apo tek pellazget) po ik si ske turp apo te duheshin lek dhe ja bere nje shkrim .... dhe respublika ta botoi
me eltar duhet te jeni ju te respublikes , ju lexoja me me qef hiqini keta anonim shkrus

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.