Versioni zyrtar i Policisë: Armando Prenga u ndalua në kushtet e flagrancës. Tri akuza mbi deputetin. Reagon edhe politika

Postuar në 05 Shtator, 2015 14:33

Është zbardhur dinamika e ngjarjes së Laçit dhe arsyet e arrestomit të deputetit socialist, Armando Prenga. Përmes një njoftimi, Policia e Shtetit ka dhënë këtë version: “Në datë 04.09.2015, në orën 23:40, Salla operative e Komisariatit të Policisë Kurbin, mori njoftim për një konflikt të ndodhur në një lokal në Patok. Menjëherë Policia e Kurbinit ka shkuar në vendngjarje për të kryer veprimet. Në Komisariat është paraqitur shtetasi Gjok Cali, për të bërë kallzim se është goditur nga shtetasi Armando Prenga (deputet i Kuvendit të Shqipërisë). Në momentin që ky shtetas po jepte kallzimin në ambjentet e Policisë, janë afruar përpara ambjenteve te Policisë, në rrugën që të çon në Komisariat, një grup shtetasish, palë në konflikt, në mes tyre dhe deputeti Armando Prenga. Në debat e sipër ata janë përleshur me njëri-tjetrin duke u goditur me mjete të forta dhe me armë zjarri. Policët që ndodheshin në Komisariat kanë ndërhyrë menjëherë për të neutralizuar konfliktin. Polica e Kurbinit ka njoftuar menjëherë prokurorinë e rrethit dhe prokurorinë e Përgjithshme dhe është ngitur një grupi hetimor, i cili, nën drejtimin e prokurorisë filloi menjëherë kryerjen e veprimeve hetimore për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje, dhe vënien para përgjegjësisë së përgjegjësve. Është kqyrur vendi i ngjarjes, ku janë janë gjetur dhe marrë në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja model 56, 5 gëzhoja fishekësh model 54, një teh biçaku. Në funksion të zbardhjes së ngjarjes janë shoqëruar në ambjentet e Policisë 36 shtetas nga të dy palët në konflikt.
Në lidhje me këtë ngjarje është vendosur masa e arrestit në flagrancë për gjashtë shtetas të përfshirë në konflikt, midis tyre edhe deputeti Armando Prenga, i cili nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar i përfshirë në këtë ngjarje dhe u arrestua në flagrancë me akuzat “Plagosje e rëndë, me dashje”, “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosje serioze për vrasje”. Pra deputeti është arrestuar në kushtet e flagrancës dhe mbi të rëndojnë tri akuza. Nuk ka vonuar edhe reagimi i politikës: “Kryetari i Kuvendit kërkon nga institucionet përgjegjëse zbardhjen e menjëherëshme të saj, si dhe vendosjen përpara ligjit të personave përgjegjes”, njofton Zyra e Shtypit të Kuvendit. Kryeministri ka deklaruar se askush nuk del mbi ligjin, teksa deputetja Olta Xhaçka përmes një deklarate ka lënë të kuptohet përjashtimin e afërt të Prengës. Kreu i opozitës, Lulzim Basha e ka cilësuar ngjarjen shumë të rëndë duke nënvizuar se: “Nuk kanë lënë rrugë tjetër veçse të ngrihemi në këmbë. Do të ngrihemi dhe do t’i japim fund pushtetit të inkriminuar. Sovranit i ka ardhur koha ta herë këtë zgjedhë nga qafa”, përfundoi Basha.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.