Shënim: Ortakë pastaj rivalë

Postuar në 04 Shtator, 2015 23:47

Fundi i verës dhuroi edhe njëherë spektaktlin politik të radhës, i bërë i zakonshëm, me akuza penale për trafiqe, rryshfete në miliona euro e përfshirje në aktivetet kriminale të zyrtarëve të lartë. Akuzat për Sajmir Tahirin, nga ish-shefi i antidrogës në Fier, por edhe akuzat e radhës për Ilir Metën, u shfaqën si fishekzjarre pa zhurmë në qiellin e errësuar të krizës politike e ekonomike në Shqipëri. Në një vend ku njerëzit po ikin, e ata që kanë mbetur po gjobiten e po u mbahet leksioni për revolucion ekonomik nga vendosja e kasave fiskale, akuza si këto në fjalë, kujtojnë atë anekdodën e revolucionit rus: “Dikush i kërkoi ministrit të Carit një licencë dhe i ofroi 3000 rubla me premtimin se nuk do t’i thoshte njeriu”. “Më jep 5000 e thuaji kujt të duash”, ja priti ministri.

E megjithatë të dyja ngjarjet kërkojnë vëmendje për të parë edhe njëherë degradimin e plotë të sistemit dhe raportin poshtërues që kjo klasë politike ka vendosur me qytetarët.
Le të marrim opozitën. Është rasti i dytë, pas çështjes “Doshi” që Partia Demokratike, lë në mes menaxhimin e një fryme pakënaqësie ndaj qeverisë, për tema të caktuara që janë kronikë e zezë e politikës, i mohon vetes rolin e zëdhënësit dhe përpunuesit të alternativave(teksa dëshmon që i ka në vend të dytë) dhe vendosjen e tyre si prioritet i vetëm politik e mediatik. E gjitha kjo pra për eksese me natyrë policore tek të cilat zhvendos vëmendjen. Por edhe këtu dëshmon tamanë e madhe të të paduruarit.
Ndonëse akuza më e rëndë ishte ajo ndaj ministrit të Brendshëm, PD-ja u përqendrua tek Ilir Meta, me shpresën e një “grushti në pallat” dhe me synimin e lexueshëm të krijimit të kushteve të një pazari si ai vitit 2002. Nuk është e vështirë të kuptohet se kush është dora e kësaj manovre, teksa për Lulzim Bashën dhe intervistën e tij më të fundit, mund të thuhet se provoi vetëm se karrigia ku ai ulet është me një këmbë. Vjen e bëhet më qesharake kjo rendje pas një akuze për Ilir Metën – i akuzuar gjithë jetën e tij – kur në punë shtihet si me gjysmë zëri “një ambasadë mike”, e cila “është e shqetësuar nga korrupsioni në qeverisje”. Gjithë ky qerthull mediatizimi i lëvizjeve të PD-së, e përforcon mendimin se Lulzim Basha dhe ekipi i tij, ndihen të trembur brenda, sa kohë preferojnë këto politika korridoresh, nuk kanë kapacitet opozitar, por preferojnë qasjen prej ish-ortaku ndaj një pjese të qeverisë. Kërkojnë marrëveshje me presione kazuale, në vend të qëndrimeve parimore me nisma ligjore ku besojnë
realisht. Apo edhe heqin dorë, apo shtyjnë axhendën e protestave, për të shpresuar te kurthi i radhës. Shkurt, PD-ja po profilizon veten si një parti që preferon të përshtasë aftësitë e veta me ato të një operativi të zonës. Kjo nuk ka sesi të jetë shpresa e qytetarëve për opozitë. Dikush mund të thotë se “PD-ja është e inkriminuar dhe duhet të bëjë analizën e qeverisjes së vet”. Apo se vështirë të kthehet besimi te kjo parti më. Edhe ky variant është realist, por nuk ka asgjë që nuk arrihet po qe se përpunon politika mbi disa parime. Plus ka edhe shembuj. P.sh në Greqi, konservatorët e Samarait u rrëzuan nga qeverisja edhe për shkak të premtimeve të bujshme të Tsipras. Mirëpo Tsipras thjesht dhe pastër: gënjeu. Aktualisht konservatorët e kanë rimarrë veten në sondazhe. Çka na mëson se është e pafalshme për një parti që të lejojë vakuume në ndërtimin e opozitarizmit, duke shfaqur kështu provën se ka një ankth më të madh se qeveria në sprovat para qytetarëve.

Nëse do të shohim sesi e trajtoi qeveria skandalin një dhe dy, pra Tahiri – Meta, gjendja është edhe më keq. “VajmedetPD‬ te ka mbetur ta shpallesh pishtar demokracie perdhosesin e uniformes blu qe kerkohet nga policia per bashkepunim ne trafik droge”, shkruante sot kryeministri në profilin e vet. Ky reagim vetëm kur u mor vesh që pjesë e dytë e intervistës nuk do të jepej. Si dhe të vihet re: asnjë fjalë për akuzat ndaj aleatit të vet. Ndonëse një ditë më parë, e uli hundën, i detyruar ndoshta, dhe lëshoi një njoftim ku përgënjeshtronte ato që kishin dalë në media. Ajo çfarë kuptojmë nga kjo gjuhë, është se dy partnerët i ruan vetëm dosja e luftës që kanë krijuar për njëri-tjetrin, ajo dosje që zë fill herët, kur edhe kanë patur konfidencë me njëri-tjetrin. Është një gjuhë dhe komunikim që nuk i drejtohet qytetarëve për t’i sqaruar, për të marrë përgjegjësi politike, por i drejtohet Ilir Metës për ta “qetësuar” dhe për të zbatuar kërkesën e tij. Çfarë duhej të bëhej? Akuzat janë penale dhe në këto raste është hetimi penal ai që i trajton. Por ne jetojmë në një vend ku prokuroria funksionon me parimin: Ekzistojmë kur na urdhërojnë. Dhe më keq: në një vend, kur kryeministri ka shpallur publikisht si bandë dhe kundërshtarë gjyësorin. Ku ta marrin përgjigjen ligjore qytetarët për këto monstruozitete që lëshohen përditë? Paradoksi më i madh ky, po të mendosh se vetëm pak muaj më parë, ishte ky kryeministër që fitoi gjyqin ndaj dy deputetëve për Shpifje.
Fjala e deklaratave për shtyp, statuset e kryeministrit, fotografitë, apo edhe intervistat, nuk i vlejnë kurrkund një vendi “ku po vjen era shtet”. Ato janë arkiva e politikës së një vendi që përjeton zallamahinë e pambarimtë të zhul – politikës së 25 viteve, provë e asaj që nuk do të duhet të ishte asnjëherë, por në asnjë mënyrë nuk janë zgjidhja apo garancia që kërkojnë e presin të gjithë. Aq më tepër pastaj kur të gjithë këta që flasin janë (pjesë e) problemi(t).
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.