Shënim: Kriza e ka emrin PS

Postuar në 05 Shtator, 2015 12:58

“Këta nuk janë socialistë, janë specialista”. Kështu u shpreh para disa vjetësh, ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, i ndjeri, Pjetër Arbnori, kur u mor vesh manovra elektorale e Dushkut. Kjo ishte një nga ato deklarata publike që plotësoi një mit në ngritje të socialistëve(kupto drejtuesit) si ustallarë të pushtetit, si politikanë që bëjnë çdo gjë e dalin pa lagur, si të zotë shumë në “rregullimin e letrave” etj.. Erdhi e mori vrull ky mit i gënjeshtërt përballë një opozite agresive dhe shpesh të “palogjikshme” të PD-së dhe Sali Berishës, këmbëngulja e të cilit lexohej si kokfortësi. Kanë kaluar shumë vjet dhe ja ku jemi, thuajse në kundërtën e polit “pozitiv” të atij miti. Jemi në polin kur diskutohet për deputetë që nxjerrin pistoletën e qëllojnë pa u dridhur dora, për superdeputetë, për kërcënime, shantazhe, për kryetarë bashkish që kallëzohen penalisht, e sërish ia dalin të marrin kryetarin me qira për një fotografi amnistuese. Ka kohë tani që miti është zhvendosur: ai sheh Sali Berishën si ustain e pushtetit, të diversionit dhe të kontrollit politik. Por po sheh edhe Ilir Metën si njeriun e të gjitha pazareve, që nuk i thotë “jo” asnjë manovre, mjeshtrin e mbijetesës dhe të rritjes politike. Socialistët kanë mbetur pra në bisht të aftësisë për të cilën “dikur u ngrit edhe kënga”. Siç mund të kemi vënë re në zgjedhjet e fundit, antipatia mes socialistëve dhe lësëistëve ka dalë hapur. “Socialistët nuk e votojnë dot LSI-në”, u tha edhe në disa materiale të publikuara. Ideja është se kjo veto lidhet me bindjen se Meta dhe LSI përfaqësojnë hajdutllëkun, vjedhjen, të keqen e madhe që po mban peng këtë vend. Këtë e konfirmojnë pickimet prej frikacaku që kryeministri Edi Rama përpiqet të bëjë herë pas here. Mirëpo në përputhje me talentin politik vjen edhe fatura. Ndaj edhe siç shihet po i dalin për hundësh “manovrat” në prapaskenë. Pasi ajo që tashmë njihet si Dekriminalizim është përgjegjësi ekskluzive e tij dhe e socialistëve që i shkojnë pas. Pse? Sepse lista e deputetëve është e mbyllur, pra caktohet nga Kryetari. Është e tillë me kërkesë dhe propozim të Edi Ramës, i cili ka futur në parlament njerëz problematikë, por që me logjikën e sistemit janë të zgjedhur. Një kryeministër që bashkëjeton me një ministër të Brendshëm që u bë rezil gjithë verën e askush nuk e vuri ujët në zjarr. Në një Shqipëri që është mbushur me hashash e ku flitet me cinizëm për revolucion ekonomik. Ku konçesione e tendera jepen sikur Shqiëpria të ishte bahçja e socialistëve. Pse vallë tirret atëherë miti i radhës i Metës hajdut dhe PS-së, forcë shteformuese? Tirret nga dëshpërimi i pamundësisë për të rrëzuar një politikan që i mban peng. Që u provoi bashkë me Berishën se jo specialistë nuk janë, por as hijen e ’92-it nuk lëshojnë dot më. Ky mit, që qarkullon për shkak të monopolit që PS-ja ka mbi thashethemin politik, merr një të vërtetë siç është ajo për Ilir Metën të njollosur keq, për ta katandisur dhe holluar në një gjysmë të vërtetë. Për ta bërë ekskluzive kur ajo është një nga të këqijat e sistemit që me simptomat e tanishme mishërohet më shumë tek Edi Rama. Miti i specialistëve ka rënë, sikundër ai se PS-ja është një forcë e qytetarisë. Krismat e Laçit dhe hashashi si kulturë bujqësore kombëtare janë dëshmia më e fundit. Nëse të gjithë kuptojmë se këto i kemi dhuratë nga kryeministri i tanishëm dhe enturazhi i tij, është bërë një hap përpara në këtë vend, në heqjen e një iluzioni të kultivuar përmes marketingut. Sa për Ilir Metën, për atë nuk ka patur iluzione, por vetëm llogari. Do mjaftonte vetë që të mos i jepej dora. Dhe këtu nuk vlen asnjë alibi.
s.z

Comments

Submitted by ustai1 (not verified) on

Ju te redaksise perpiqeni te beni opoziten e cila ne te vertete mungon,por me keto qe keni filluar te shkruani kohet e fundit sjeni vecse simotra e gazetes RD e cila shfrenon vetem fantazine duke perpunuar skenare filmash. Me vjen keq per ju por te perpiqesh te denigrosh Tahirin per 7 dite pushime qe ka bo gjetke tregon vetem nivelin tuaj intelektual nen zero.Reformat qe po ben ai dhe ndryshimet e dukshme ne zbatimin e ligjit dhe ne kontrollin e rendit nuk mund te krahasohen me qeverite e zombit Sali qe vendoste idiote si ministra rendi. Kjo qeveri absolutisht nuk eshte perfekte dhe ka shume pune per te kryer, por te pakten po arrin te kuptoje nevojat e qytetareve te saj, te cilat jane: te protestosh i sigurte se nuk do denohesh per ato qe kerkon! Kete gje miistri i brendshem i asaj kohe nuk e beri kur vrau qytetaret e vendit tij ne mes te bulevardit, epo ky eshte goxha ndryshim apo jo Respublica e dashur.

Submitted by redaksia on

Ju falemnderit per komentin. E ke thene edhe vete: opozita mungon. Por me sa duket mjaftojne budallalleqet dhe paaftesia e qeverise. Te shpresojme vetem qe kjo qeveri te mos behet simotra e ZP-se.

Submitted by Goni Tiku (not verified) on

Jetojme ne nje kohe kur intelektualet vuajne zgjedhjen e mases. Dhe masat perbehen nga njerez injorante, rober te frikes, dhunes dhe interesit momental, duke harruar te ardhmen e femijeve te vet. Zgjidhja do te ishte zhdukja nga skena politike e cdo politikani dhe pjellave te tyre, por sigurisht kjo eshte dicka e pamundur...Ndoshta nje revolucion do t'i bente mire vendit, por serisht kthehemi tek ajo qe mungojne njerezit guximtare dhe sypatrembur...

Submitted by ben (not verified) on

Duke lexuar shkrimin me erdhi ne mend nje percaktim i bere per LSI-ne "Streha e fundit e maskarenjve",pak rendesi ka se kush e ka thene, Kur ajo pjese e shoqerise qe ne nje vend normal hidhet tej tek ne ka edhe parti !!!,,C'mund te presesh kur hajdutlleku poshtersia e maskaralleku eshte ngitur ne sistem ? Ketij vendi i lipset nje diktator i ligjit dhe jo nje Makiavel.Shtrohet pyetja e kujt eshte pergjegjesia : E them me plot gojen ESHTE E JONA Ne kete vend nuk ka as minimum te ndergjegjes qutetare.Eshte e kote te kerkojme fajtoret ne radhe te pare jemi ne fajtore per te gjitha.Jemi shume te zot per te folur neper tavolina kafenesh e per te share e pershare te gjithe politiken por kur i drejtohesh edhe me te revoltuarit per te te mbeshtetur per te bere dicka konkrete (qofte edhe nje proteste) askush nuk reagon.ATEHERE?
Ka vetem nje pergjigje" CDO POPULL E MERITON QEVERINE QE KA.

Submitted by mondi (not verified) on

Krismat e Laçit dhe hashashi si kulturë bujqësore kombëtare janë dëshmia më e fundit. ..
Haha ,po kjo eshte thjesht trashegimia e Saliut.
Shkrim shume I dobet. Jeni shume mbrapa se perceptimet e publikut..

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Dmth zotrote thua qe edhe krismat e Lacit i telekomandoi Saliu? Keshtu i bie qe Armando Prenga ishte diversant i PD i hedhur ne PS. Pastaj po folem per trashegimi mund te shkojme edhe me larg e ta kerkojme te Fatosi, Pandi, Iliri, Ramizi dhe pse jo edhe te me i lavdishmi i te gjitheve Enver Gjirokastra.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.