Spitali i Traumës, mjekët kundërshtojnë nismën e Ramës për ta kaluar tek Ushtria

Postuar në 04 Shtator, 2015 09:46

Nuk është mirëpritur nga stafi mjekësor nisma e Kryeministrit për të kaluar sërish Spitalin e Traumës dhe Shërbimin e Emergjencave Civile, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. “Panorama” shkruan se pas urdhrit të lëshuar, ku propozohet rikthimi i Qendrës së Traumës në Spital Ushtarak, gazeta kontaktoi një pjesë të mjekëve për të mësuar se çfarë mendojnë mbi këtë iniciativë. Ndonëse kanë preferuar të mbeten anonimë, ata kanë argumentuar se kjo nuk sjell asgjë tjetër veçse pasoja negative, që më së shumti reflektohen në cilësinë e shërbimeve. “Jemi në dijeni të një urdhri, ku kërkohet ngritja e grupit të punës, që do të plotësojë anën ligjore të draftit që do kalojë në fund të shtatorit në qeveri. Por rikalimi i Spitalit të Traumës në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes ka pasoja. Pasi, duke qenë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë periudhës 12­mujore kishte edhe rialokim apo shpërndarje fondesh nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për përballimin e emergjencave. Kjo gjë nuk ka për të  ndodhur më nëse drejtimin e qendrës e rimerr Ministria e Mbrojtjes”, shprehet një prej mjekëve.

Zhvendosja e kompetencave dhe kalimi në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë i Spitalit të Traumës është bërë në 2012. Ndërsa, tri vite më pas, ka një tentativë për ta rikthyer Traumën sërish në Spital Ushtarak, në varësi të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas ¨Panoramës”, mjekët vënë në dukje se kjo lëvizje ka qenë e menjëhershme, ndërkohë që pritet të ketë edhe një qëndrim zyrtar kundër ndaj kësaj nisme edhe nga drejtoria e spitalit. Bluzat e bardha vënë në dukje se përgjatë 20 viteve kur kjo qendër komandohej nga Mbrojtja, ka qenë e braktisur. Sipas tyre, ajo që nuk ishte bërë për 20 vite në spital, është arritur të ndërtohet përgjatë këtij trevjeçari të fundit. Ndaj një vendim i tillë nuk do të ishte vetëm një hap pas. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.