Shënim: Sa kollaj është të flasësh me miliarda!

Postuar në 04 Shtator, 2015 16:16

Ekonomia ka nevojë për para, qeveria po ashtu. Ndaj ka nisur sulmi. Të cilin e drejton gjenrali i ekonomisë, ministri Arben Ahmetaj. Sot u bë publike ideja e përshpejtimit të procedurave për krijimin e Zonës së Lirë në Spitallë të Durrësit. Dhe kur vjen puna për te shifrat ministri Ahmetaj nuk e ka problem të thotë çdo parashikim: “Qeveria është duke përshpejtuar procedurat për krijimin e zonës së lirë ekonomike në Spitallë, një projekt përmes të cilit synon të thithë mbi 1 miliardë dollarë investime dhe të hapë 15 mijë vende për 5 vitet e ardhshme. Hapja e ofertave do të bëhet më dantë 28.10.2015, pra në 28 tetor. Komisionet e vlerësimit të ofertave brenda 30 ditësh nga hapja e ofertave, bëjnë vlerësimin e ofertave dhe renditjen e ofertuesit, duke nisur nga ofertuesit me më shumë pikë në bazë të atyre kritereve", tha ai. Rromuzi i parë nuk ka vonuar: "Tani për të bërë një projekt kaq të madh, siç është aktivizimi i kapitaleve tona në zona kaq të rëndësishme duhet të mendohemi çik më shumë, dy muyaj janë shumë pak", tha Luan Bregasi. Por për ministrin nuk ka nevojë për më shumë kohë. Çdo gjë është gati, vendin e kemi të mrekullueshëm, qeveria stimulon, hidhni pra lekët. Kryeministri i ka rënë bilbilit të alarmit, ç’humbi vallë ministri t’i bëjë qejfin? Një mbledhje, një kronikë televizive, poëer point, dy dosje, propozimet dhe ja, kapitalizëm jo shaka. Me këto paçavure pa bukë, duhet të pranojmë se ministri Ahmetaj ka njohur një rritje progresive kapitali: atë të peshës së vet në qeveri, qëkurse mori në administrim edhe turizmin. Por në ndryshim nga një ministër tjetër që ka peshë të madhe, Damian Gjiknuri, i cili preferon të luajë shumëçka në heshtje, Ahmetaj ka edhe protagonizëm mediatik. Protagonizëm që e shfrytëzon ku të mundet për të folur me shifra me 9 zero. Për shifra të tilla foli Ahmetaj edhe kur në fillim të vitit 2015, prezantoi nismën e Partneritetit Publik Privat për 65 konçesione. Një nismë që do të asfiksojë tregun shqiptar për 20 vite në disa sektorë. Pasi PPP-të e tipit Ahmetaj-Beqja, krijojnë monopole për shërbime që i bën një firmë e zakonshme. Për të mos qenë tendenciozë apo spekulativë le të pyesim ministrin: a nuk është mirë që firmat që fitojnë këto PPP-të që jep ti, të deklarojnë aksionerët e vet? Vit pas viti, sepse si njeri i biznesit që je zoti ministër, duhet ta dish se oferta publike i bën vend vetes me ndihmën e “asit nën mëngë”. Ose për të mos folur brroçkulla, si thotë Luan Bregasi: “Duhet të mendohemi një çikë”. Kollaj të flasësh për miliarda, sepse janë para publike në fund të fundit, apo prona publike, mbi të cilat zotëria në fjalë, apo edhe qeveria operon si shoqëri aksionere. E kemi fjalën kur bën ofertimin. Por Ahmetaj nuk e merr seriozisht Fjalën, ngaqë është në politikë me kapitalet e veta, e jo nga bujaria e kryetarit.
Kështu fliste i njëjti njeri, pra për miliarda, edhe tavolinave madje, kur organizoi për Edi Ramën pjesëmarrjen në “Fikir Sofrasi”’ një tryezë e një think tanku turk, e që sipas ministrit do “lëvronte miliarda në Shqipëri”. Mbledhja u bë, bashkë me fotot. Edhe kryeministri foli. Më tej. Hiç.
Dy vite ikën, me fjalë e me reforma, suksesi i të cilave është vetëm i imagjinuar. Gjasat janë që të ikin edhe dy të tjerë me këto përralla, që tregohen tavolinave nga një ministër si ky që po flasim. Edhe pse është e kotë, nuk nuk humbasim gjë të bëjmë një lutje: z. Kryeministër, ki një minimum respekti për veten, e mos e beso kaq shumë ministrin Ahmetaj! Pasi është përfaqësues tipik i atij akrobatit të tranzicionit, që gjendet kudo, flet për çdo gjë, premton aq sa nuk mban mend më, bën ndërmjetësin, negociatorin, pse jo investitorin. Në fund? Në fund ta lë në derë zoti kryeministër, që i pafsh(im) hajrin!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.