Pse Ilir Meta fshihet pas Silva Cakës? Basha përmend ndërkombëtarët

Postuar në 04 Shtator, 2015 18:46

Kanë kaluar më shumë se 24 orë që Ilir Meta është nën një tjetër akuzë që e implikon atë në një skemë përfitimi nga borxhet e CEZ dhe të vetmet reagime nga LSI kanë qenë ai i Petrit Vasilit, i pyetur nga mediat një ditë më parë dhe sot i deputetes Silva Caka që postoi një koment në rrjetet sociale dhe që u shpërnda për mediat nga zyra për shtyp e kësaj partie. Kësaj radhe Ilir Meta ka vendosur t'u fshihet akuzave dhe t'u përgjigjet me deputetë anonimë deklaratave të opozitës, duke u munduar të sfumojë seriozitetin e çështjes dhe t'a trajtojë me një sens banaliteti presionin që vjen nga Partia Demokratike. "Dhimbje për opozitën dhe pozicionimin humoristik të saj. Opozita është e specializuar për të bërë autogola”,- shkruan në facebook deputetja e LSI-së, Silva Caka. Falë talentit të tij politik edhe kur është përballur me akuza më të rënda Ilir Meta është treguar i gatshëm, në mos të japë dorëheqjen, të deklarojë se është i hapur për çdo hetim. Kësaj radhe qetësia dhe dashuria që e karakterizon nuk i ka mjaftuar për të ripërsëritur veten, pasi është kapur në befasi për një akuzë që vjen nga një studio ligjore që mbron qeverinë shqiptare në arbitrazh. Nxjerrja e reagimeve të tilla që mbajnë autorësinë e deputetëve si Silva Caka tregon se edhe LSI është kapur në befasi dhe se për momentin nuk di çtë thotë veçse ta quajë humoristik pozicionimin e opozitës. Fakti që akuza ka ardhur nga avokatët e qeverisë shqiptare në arbitrazh ka ngritur dyshime tek Ilir Meta dhe njerëzit e tij se pas kësaj goditje qëndron Edi Rama. Me gjasë edhe reagimi i Ilir Metës do t'i komunikohet personalisht dhe privatisht kryeministrit ose duhet të presim ndonjë valvul presioni mbi ndonjë çështje apo ministër të Edi Ramës si kundërpërgjigje dhe sinjal për të mos e vazhduar më tej këtë betejë.
Nga ana tjetër opozitës i ka ardhur në shteg ose si dhuratë nga qielli akuzat për Ilir Metën ndaj dhe Lulzim Basha nuk ka humbur rastin që për të dytën ditë radhazi të mbajë ritmin e goditjeve frontale ndaj Ilir Metës, ndonëse në këtë betejë është pa Sali Berishën që është shfajësuar se nuk kishte autorizuar Ilir Metën për negociata me çekët e CEZ. Në reagimin e sotëm, Lulzim Basha tha diçka të re që nuk mund ta artikulonte publikisht pa miratimin e selive të huaja diplomatike. Tha se partnerët ndërkombëtarë janë të alarmuar pas takimit me ambasadorin amerikan Donald Lu. “Kryetari i Kuvendit dhe Ministri i Brendshëm janë nën akuza të rënda, të pakapërdishme. Faktet janë bërë publike, rryshfeti i tij është paraqitur si argument në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë nga zyra ndërkombëtare e avokatisë, e qeverisë shqiptare. Qytetarët e vendit me jetën që u është bërë ferr nga qeveria, janë shtangur nga këto raste korrupsioni dhe lidhje me krimin. Partnerët tanë ndërkombëtarë janë të alarmuar"-deklaroi Basha.
Ndërsa qeveria ka mbetur në reagimin e një dite më parë se Ilir Meta nuk është përmendur konkretisht me emër nga avokatët e OSHEE në arbitrazh, opozita ka një tjetër kauzë për nisjen e protestave në vjeshtë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.