Të ndëshkohen ata që shkelin ligjin, por edhe nga administrata

Postuar në 03 Shtator, 2015 18:17
Ilir Sinanaj

Me nisjen e aksionit të madh kundër informalitetit më 1 shtator, të lajmëruar në dalje publike si nga Kryeministri Edi Rama ashtu edhe nga zyrtarë të lartë ta administratës, shumë dyqane u panë të kishin mbyllur qepenin, që në orët e para të mëngjesit ose më saktë të mos e kishin hapur që një ditë më parë. Disa qepena vazhduan të qëndronin të mbyllura edhe gjatë ditës së dytë (pra 2 shtator) të aksionit të tatimorë kundër informalitetit. Ajo që ra në sy ishte mbyllja e qepenave në mes të ditës në zonën “Myslym Shyri” në Tiranë, pasi kjo zonë njihet për dyqane që shesin mallra me çmime të kripura. Lind pyetja përse me nisjen e aksionit të tatimorëve kundër informalitetit, këto dyqane që kanë me vite të tëra të hapura në çdo ditë të javës, ulin qepenat pikërisht duke filluar nga data 1 shtator? Mos vallë kanë frikë? Por nga se kanë frikë? Një tezë mund të jetë se në veprimtarinë e tyre tregtare nuk janë në rregull me legjislacionin; pra nuk kanë zbatuar ligjin. Por nëse kjo tezë qëndron, ku kanë qenë tatimorët gjithë këto vite. Si ka mundësi, nëse është e vërtetë, që informaliteti të jetë mu para nesh jo vetëm 2 vjet, por me vite të tëra, nëpër rrugët që rrahim përditë. Çfarë kanë bërë tatimorët gjithë këto vite? Jam dakord që të ndëshkohet çdo veprimtari e paligjshme, por nga ana tjetër duhet të ketë edhe ndëshkime në personelin e administratës, kur këta nuk përmbushin detyrat e tyre. Në fund të fundit administrata jeton me taksat tona për të na shërbyer? Për rrjedhojë, lufta ndaj informalitetit duhet të ndiqet edhe vetë brenda administratës, që edhe aty të bëhen shembuj. Gjithë këto mungesa në buxhetin e shtetit dhe nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë asnjë tatimori? Po ku paskëshin qenë tatimorët?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.