Besoni vërtet se kasat fiskale janë zgjidhje?(video)

Postuar në 04 Shtator, 2015 12:20

Pajisja me kasa fiskale po vlerësohet nga qeveria aktuale si një nga masat kryesore për fiskalizimin e biznesit e më tej, reduktimin e informalitetit në vend. Kuadri ligjor që detyron biznesin të pajiset me kasë fiskale është një Vendim i Këshillit të Ministrave, i vitit 2007, konkretisht vendimi me numër 781, i ndryshuar gjashtë herë. Herën e fundit në shkurt të vitit 2013. Vendimi përcakton me hollësi karakteristikat e pajisjeve, procesin e punës, shërbimin, kontrollin e tyre, afatet e kontrollit, organet e kontrollit, elementët bazikë, si letra që formaton kuponin, memorien, integrimin e softit me Drejtorinë e Tatimeve. Meqenëse së fundmi është folur për kontrolle edhe aty ku shiten banane apo byrekë, po sjellim në vëmendje atë që përcakton kjo VKM për kategoritë që përjashtohen nga detyrimi për lëshimin e kuptonit. “Përjashtohen nga detyrimi i lëshimit të kuponit tatimor: a) tatimpaguesit, që paguajnë tatime mbi të ardhurat nga kryerja e veprimtarive për shuma të vogla të të ardhurave neto, me përjashtim të shoferëve të taksive; b) personat, që nuk janë tregtarë dhe e realizojnë qarkullimin e produkteve bujqësore dhe të papërpunuara mbi tezga, në tregjet e organizuara, si dhe jashtë merkatove; c) individët, që lëshojnë me qira mjedise biznesi; ç) veprimtaritë, të cilat ushtrohen në zona të larta malore, me popullim më pak se 300 individë dhe që janë të ndryshme nga vendet turistike”, thuhet në vendim.

Duke patur parasysh këtë renditje të hollësishme për pajisjet fiskale, si një operacion kompleks edhe në menaxhimin e tij, është e drejtë të pyetet: a ka Drejtoria e Tatimeve apo Ministria e Financave raporte zyrtare mbi gjendjen e pajisjeve, problemeve të hasura me to, ndërhyrjet që janë bërë, ligjshmërinë e tyre? A ka qeveria pra një bilanc pas 8 vjetësh: cili është efekti i pajisjes së biznesit me kasa fiskale? Para disa ditësh sollëm në vëmendje disa probleme që janë hasur nga biznesi në përdorimin e kasave, por edhe në raportin e tyre me shoqëritë që janë të licencuara për shpërndarjen e tyre. Po i risjellim, me shpresën se legjimiteti i aksionit kundër informalitetit lidhet pazgjidhmërisht me transparencën e qeverisë për efikasitetin dhe korrektesën e shërbimit me pajisje fiskale.

Pyesim:

  • A respektohen kërkesat teknike për letrën shirit që realizon kuponin fiskal? Të gjithë kemi parë kupona fiskalë që në kontakt me ujin apo agjentë të tjerë, të humbasin karakteristikat e printuara në të.
  • A ka raportim negativ të xhiros dhe sa lidhet kjo me manipulimin e kasave?
  • A ka raste të ç’fiskalizimit të pajisjeve pa dijeninë e drejtorive të tatimeve?
  • A ka raste të raportimit nga pajisja të vlerave negative dhe çfarë masash janë marrë për të ndërhyrë?
  • A janë konstatuar pajisje që regjistrojnë NIPT gabim?
  • A përcillen të gjitha transmetimet nga pajisja në memorjen fiskale?
  • A ka ndodhur që një pajisje të jetë përdorur për fiskalizimin e dy subjekteve?
  • A përdoret matësi elektronik në pikat e shumicës për karburantet?
  • Si është cilësia e shërbimit teknik nga kompanitë që ushtrojnë aktivitetin; a është në kufijtë e ligjit periodiciteti i kontrollit të tyre? 

Të gjitha këto e të tjera janë probleme që mund t’i dëgjosh e marrësh vesh nga biseda me njerëz që operojnë në treg. Çështja është se qeveria duhet të publikojë një raport të vetin mbi këtë situatë, në mënyrë që edhe abuzimi nga institucionet të shmanget dhe kërkesa për zbatim të ligjit të gjejë mbështetjen e plotë.

Dy qëndrime të kundërta për kasat fiskale

Në videon që paraqesim këtu, shihet kryeministri para disa muajsh që e cilëson shitjen e kasave fiskale ndaj biznesit si, “biznes me biznesin”. Pra ai është kundër praktikës së shitjes. Para disa ditësh kryeministri publikoi si sukses në luftën kundër informalitetit, pikërisht shtimin e numrit të kasave fiskale në treg(http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/08/23/ne-20-muaj-u-shtuan-23-mije-kas...). . Komentet janë të tepërta, pasi shohim dy qëndrime që nuk janë afër me njëri-tjetrin. Sot ministri i Ekonomisë, Ahmetaj e cilësoi sukses faktin se shiten 300 kasa në ditë, ndërkohë që nga burime të qeverisë, thuhet se nuk ka kasa fiskale stok. Për këtë arsye u shty edhe aksioni. Raporti teknik mbi realitetin e pajisjeve fiskale do të ndihmonte edhe kryeministrin që të kuptonte më nga afër se pajisja me kasë është një hallkë, formale, por ajo, nëse kryeministri do ta shohë nga afër, nuk ka dhënë rezultat. Madje është e ekspozuar ndaj manipulimit. Ndaj është e udhës që procesi të marrë vëmendjen e duhur e të mos trumbetohet kaq, të shikohet si kalimtar, pasi mund të zhgënjejë sërish.

Video është marrë nga Opinion i datës 5 mars 2015. Ndiqni me kujdes videon rreth 02.40s.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.