Shënim: Lufta ndaj hajdutllëkut dhe patriotizmi i një qiellori

Postuar në 01 Shtator, 2015 20:46

Operacionin ndaj hajdutllëkut do ta çojmë deri në fund, tha kryeministri Rama për operacionin e madh kundër informalitetit. Reagimet e para ndaj kërcënimit për një fushatë masive, ku tatimorët, policët e gjithfarë nëpunësit do zbrisnin nëpër rrugë e rrugica, ishin refleks i kushtëzuar, një panik masiv i atyre dyqanxhinjve që e dinin se diçka nuk e kishin në rregull. Shkurt hesapi, ata ulën qepenat njësoj si në filmat me njësite guerile pasi kryehej ndonjë atentat në pazar. Nuk u pa ndonjë vërshim tatimor në terren, të paktën “me sy të lirë”, por frika e ruan vreshtin dhe, me rregull treshi, frika ul dhe qepenat.

Detyrimi për të blerë dhe shitur me tvsh, është realisht tipar i një ekonomie të formalizuar ku çdo gjë ecën sahat; siç ti paguan, ashtu dhe shteti ta kthen këtë pagesë me shërbime etj etj. Që qeveritë në vende si i yni i nisin këto aksione nga më të dobëtit, kjo nuk do as mend, as kalem, por le të shpresojmë që frika do zërë edhe të mëdhenjtë, bizneset që xhirojnë miliona në euro e dollarë amerikanë, jo në dollarë zimbabvianë. Ndërkaq, meqë jemi tek të thjeshtat, mund të bëjmë dhe një aritmetikë të vogël për atributin e patriotit modern, që sipas kryeministrit tani duhet manifestuar përmes kuponin tatimor, deklarimit të të ardhurave etj.

Llogaria është shumë primitive dhe diçka mund të çalojë: Rama ka të paktën 16 vjet në “bukë të dovletit”, që kur ishte ministër i Kulturës. Me një rrogë mesatare 100 mijë lekë në muaj, ai ka fituar në vit 1.2 mln lekë, dhe në 16 vite, diku tek 19.2 mln lekë të reja. Deklarata e tij e pasurisë mbetet tek 3 mijë eurot. Sa patriot i mirë është Rama? Apo gjithçka ndodh këtu në tokë, atë nuk e prek, nuk i përket, s’ka të bëjë me të?

a.j 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.