Intervista/ Genci Ramaj, eksperti fiskal: Pa funksionuar bursa, gjithçka është informale

Postuar në 01 Shtator, 2015 07:52

 

Jemi në krizë financiare. Eksperti bankar dhe “brokeri” i bursës shqiptare Genc Ramaj, që është gjithashtu dhe një nga njohësit më të mirë të sistemit bankar dhe sistemit fiskal, gjatë një interviste për “ResPublica” tregon pikat e dobëta ku është mbërthyer kriza, dhe si mund të dalim prej saj.

ResPublica: - Në çfarë situate e shihni ekonominë shqiptare të viteve të fundit?

Aktualisht në Shqiperi ekziston një situate e rënduar politike, ekonomike dhe shoqërore. Kriza aktuale tek ne i ka përfshire të gjitha strukturat shteterore e sociale. Disa nga tiparet kryesore të kësaj krize janë:

-Një frenim galopant i aktiviteteve prodhuese.

-Një largim i investitoreve të huaj gjë që ka çuar në mbylljen e një numri të konsiderueshëm ndërmarjesh ku kanë qenë të punësuar një numur relativisht i madh i forcave të punës.

-Ngritja e ndjeshme e çmimeve. Kjo gjë vjen nga mungesa e ofertës së mallrave gjë që favorizon spekullimet e tregëtareve. Rritja e çmimeve ka ardhur kryesisht nga zvogëlimi i rezervave ushqimore.

-Thellimi i deficitit tregetar dhe atij buxhetor. Për këte vlen të theksohet se aktualisht financat e shtetit janë totalisht inaktive në të gjitha hallkat e tyre.

-Rënia e besimit të publikut në tregun financiar.

Në kuadrin e situatës së përgjitheshme të analizuar si më sipër del se tregu i kapitaleve (Bursa) është frenuar ndjeshëm.

ResPublica: - Sa e lidhur është kjo me krizen greke?

Remitancat (dërgesat në para nga emigrantet) janë për ekonominë shqiptare një potencial i madh për rritjen ekonomike. Por ka tregues që dërgesat në para për në Shqipëri po pakësohen dhe pritet që kjo dukuri të vazhdojë. Emigracioni shqiptar më i madh ka qenë në drejtim të Greqisë. Nisur nga madhësia e diasporës shqiptare më të madhe që është në Greqi, dërgesat e tyre në para për familjet e tyre paraqesin një burim të madh të monedhave të huaja dhe një stimul të rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Në përgjithësi remitancat kontribuojnë direkt në investimet prodhuese ose duke rritur shkallën e likuiditetit të bankave gjë që bën të mundur marrjen e kredive nga sipermarrësit me interesa konkuruese. Por megjithatë mungesa e një sistemi financiar që të funksionoje mirë, shërbimet publike të varfëra dhe infrastruktura e dobët paraqesin një faktor të rëndësishëm që pengon ose kufizon investimet e remitancave në investime prodhuese. Ky faktor thellohet më tepër edhe nga fakti që kriza në Greqi pasi ndikon negativisht tek emigrantet pra është edhe një faktor kryesor për pakësimin e remitancave.

ResPublica: - Përse nuk funksionon BURSA SHQIPTARE, përderisa ajo është miratuar një herë 20 vite më parë?

Ligji për BURSEN, një Ligj që mbeti vetëm si letër, është miratuar nga Parlamenti që në vitin 1996. Në atë kohë e deri në vitin 2002 BURSA figuronte si Departament i Bankës së Shqipërisë ndërsa pas vitit 2002 figuron si shoqëri aksionare ku 100% të aksioneve i pati Shteti nëpërmjet Ministrisë së Financave. Te mosfunksionimi i këtij Institucioni duhet gjetur shkaku kryesor i gjendjes së mjerueshme financiare që egziston tek ne.

Çfarë përfaqëson Bursa në vetvete?

BURSA është tregu i kapitalit ku bëhet ballafaqimi Kërkese-Oferte për kapitale dhe ky ballafaqim bëhet me oferte publike. Në Bursë fitojnë të gjithë aktorët që marrin pjesë. Me anë të kursimit të parasë, investimit dhe tregetisë së Bursës secili aktor që do të luajë në BURSË mund të krijojë dhe shumojë pasurinë e vet. Nuk ka kapitalizëm pa kapitalistë. Nuk ka kapitalizëm pa treg kapitali. Dhe nuk ka barazi ekonomike në kapitalizëm. Zhvillimi i kapitalizmit, si rend, ka ligjet dhe ligjësitë e veta. Ligjet i miraton politika në Parlament, sipas interesit të shumicës që dominon atë. Ndërsa ligjësia është rruga në të cilën do të ecë rendi kapitalist. Dhe kjo rrugë është e ndarë në katër faza: Faza e tregut të mallit, faza e tregut të kapitalit, faza e tregut të punës dhe faza e tregut të prodhimit. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, që faza e tregut të mallit në Shqipëri ka lulëzuar shumë. Në tregun tonë gjen pothuaj çdo gjë, pavarësisht nga origjina dhe cilësia. Kjo fazë çon në fazën e tregut kapital, gjë që do të thotë jo vetëm diferencim të popullsisë në aspektin e parave, por dhe krijim i fondeve për investimet nga më të ndryshmet. Aktualisht, në linjën e investimeve, ajo që lulëzi më shumë ishte tregu i ndërtimeve. Pikërisht kërkesat e kësaj faze, e bënë të nevojshme dhe të domosdoshme funksionimin e Bursës.

Cilat janë problemet që duhet të zgjidhte Bursa?

BURSA në ato vende që hynë në rendin kapitalist nga rendi komunist, pjesë e të cilës jemi edhe ne, e fillon aktivitetin nga lart-poshtë që do të thotë që pronari SHTET duhet ta fillonte këtë aktivitet me atë që tek ne është quajtur PRIVATIZIM. Por i vetmi INSTITUCION që nuk është përfshirë asnjëherë këto 25 vjet në komente të ndryshme nga politika, shtypi, mediat është Agjensia Kombëtare e Privatizimit. Në BURSË duhet të ishin bërë dhe të bëhen edhe Ankandi i Bonove të Thesarit. Lidhur me këtë fakt po i referohem një thenieje filozofike: “Një shtet drejtohet ose nga burra shteti që synojnë lavdinë nëpërmjet reformave dhe institucioneve, ose nga pushtetarë që synojnë pasurimin nëpërmjet vjedhjes”. Pikërisht ne kemi pasur pushtetarë që nuk kanë përfillur Institucionin e BURSËS.

ResPublica: - Mungesa e bursës sa ndikon në krizën ekonomike?

Mosaktivizimi i bursës është ndikimi kryesor për mosecjen e ekonomisë. Sepse vetëm në një institucion të tillë bëhet ballafaqimi i kërkesë-ofertës për kapital. Këtu marrin pjesë nga shteti  tek biznesi e deri tek individët. Natyrisht gjithçka sipas rregullave të përcaktuara. Mirëpo kemi të bëjmë me një “non sens” të madh. Megjithëse kemi rreth 20 vjet në ekonominë e tregut të lirë, tregu i kapitaleve (që nënkupton bursën) nuk funksionon. Në këtë këndvështrim gjithçka është informale

ResPublica: - Në se BURSA do të funksiononte çfarë përfitimesh do të kishte shteti shqiptar?

Shteti do të kishte përfitime të shumta në qofte se do të fuste në lojë BURSËN, e cila është tregu i kapitalit. Tregu i kapitalit është treg financiar në të cilin të gjithë aktorët që marrin pjesë, Shteti (Qeveria, Bashkitë, Komunat) kompanitë apo individët i rrisin fondet e tyre nëpërmjet shitjes së aksioneve, obligacioneve dhe llojeve të tjera të investimeve afatgjata. Tregu i kapitalit është mekanizëm që mundëson këmbimin e letrave me vlerë të emëtuara nga pjesemarrësit në BURSË. Në këtë treg sigurohen investimet e reja dhe bëhet rritja e kapitalit duke përdorur drejtperdrejt fondet e publikut.

ResPublica: - Çfarë masash mund të merren që ekonomia të shpëtojë nga kolapsi?

Për të arritur në një fare stabiliteti të situates ekonomike duhet punuar në këto drejtime kryesore;

-Në tregun financiar, ku rolin kryesor e ka Banka e Shqiperise që duhet të drejtojë realisht Politikën Monetare për të stabilizuar tregun financiar në Shqipëri.

-Në aspektin ekonomik. Për të dalë nga kriza duhet të sigurohen fondet e nevojshme.

ResPublica: - Si mund të sigurohen këto fonde?

Jam në vazhdim të përgjigjes tuaj. Rrugët për gjetjen e këtyre fondeve janë:

-Akumulimet e brendëshme

-Akumulimet e vetë investitoreve private

-Të ardhurat nga emigracioni

-Ndihma nga institucionet ndërkombëtare.

Këto jane masa që duhet të merren për të shpetuar ekonominë shqiptare nga kolapsi.

 

Intervistoi: Leonard Veizi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.