Rishikimi i buxhetit sipas Sherefedin Shehut: Shumat e parashikuara për investime janë më të ulta se në vitin 2013

Postuar në 30 Gusht, 2015 07:05

Kuvendi pritet të diskutojë javën e ardhshme në komisione rishikimin e buxhetit pas uljes së të ardhurave. Opozita pohon se akti normativ i qeverisë rishikon me ulje investimet dhe paralajmëron edhe përkeqësimin e borxhit publik deri në fund të vitit. Deputetët e opozitës pritet të kundërshtojnë masat e pamjaftueshme të qeverisë në këtë fushë, që kanë vënë në vështirësi ekonominë e vendit. Ish-drejtues i financave, deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” thotë se është për të ardhur keq, që buxheti nuk rishikohet për të rishpërndarë të ardhurat shtesë, por për të riparuar mungesën e tyre. Sipas tij, qeveria nuk po ndjek politika që të nxitë zhvillimin ekonomik.

Përfaqësues të qeverisë deklarojnë se rënia e të ardhurave ka ardhur edhe si rezultat i informalitetit në tregje jashtë kontrollit si duhanet apo produkte të tjera, cmimet e të cilave varen nga bursat ndërkombëtare. Por opozita mendon se ulja e të ardhurave të buxhetit dëshmoi se qeveria nuk mblodhi dot taksat e reja, që u rritën vitin e kaluar pa asnjë stimul fiskal. Sipas Sherefedin Shehu, investimet janë ulur në mënyrë konstante dy vitet e fundit. Në terma reale shumat e parashikuara në buxhet për investime janë më të ulta se në vitin 2013. Opozita mendon që reformat ekonomike të qeverisë Rama nuk dhanë frytet e premtuara.

Operacioni i shtatorit kundër evazionit fiskal shihet nga qeveria si një punë me rëndësi për të pakësuar informalitetin, që sipas saj, zë të paktën 1/3 e ekonomisë shqiptare. Po zoti Shehu shton se qeveria po ndjek politika që ulën investimet, kreditimet dhe të ardhurat ndjeshëm. Sipas tij, operacioni kundër firmave në emër të luftës kundër informalitetit, nuk do të prekë bizneset e mëdha të mbrojtura nga klientelizimi, por do të godasë më shumë biznesin e vogël, i cili mezi po mbijeton me fitime minimale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.