Sajmir Tahiri nën sulm të dyfishtë. Askush nuk po e mohon më trafikun dhe implikimin në nivele të larta

Postuar në 29 Gusht, 2015 15:15

Prej disa kohësh Partia Demokratike, ish-kryetari i saj, Sali Berisha, apo edhe gazeta “Rilindja Demokratike” kanë mbështetur idenë se me luftën kundër hashashit, po ndiqet një praktikë selektive dhe biznesi nga vetë Ministria e Brendshme. P.sh para disa kohësh, kur policia raportonte goditjen në Dukagjin, “RD” shtronte tezën se kështu favorizohej Tepelena(http://www.respublica.al/2015/08/20/ekonomi-tregu-apo-konspiracion-me-ha...“u-godit-dukagjini-për-llogari-të-tepelenës”). Kapja e avionit në Itali dhe implikimi i drejtuesve të caktuar të policisë në Vlorë, duket se ka konfirmuar deri diku akuzat e PD-së. Mirëpo këto akuza nuk mund të qëndrojnë më në nivelet e poshtme, pasi policia ka një ministër, i cili prej muajsh është protagonist i gjithfarë spekullimeve. Sot PD-ja ka nënvizuar akuzën se Sajmir Tahiri mban përgjegjësi direkte: “Trafikantët kishin garanci për aktivitetin kriminal nga shefi i policisë së Vlorës, dhe shefi i policisë së Vlorës kishte garanci e imunitet edhe më lart për trafikun e drogës. Përgjegjësia shkon tek Ministri i Brendshëm. Derisa sejmeni ministër nuk jep asnjë shpjegim se përse u rikthye në detyrë shefi i policisë i kapur në krye të trafikut, pasi ishte përjashtuar në 2007 me po keto argumenta, nuk jep pergjigje se kush i jepte atij pushtet për të lëvizur drogën, cili deputet apo qeveritar i ofronte atij mbrojtje e paprekshmëri, atëherë ministri i Brendshëm është vetë drejtpërdrejt i lidhur me këtë aferë e duhet të mbajë përgjegjësi për të”, tha deputeti Flamur Noka. Po sot gazeta “Dita”, që është pranë qeverisë, ka bërë një analizë, ku adoptohen identikisht të njëjtat akuza të Sali Berishës. “Lulëzimi i hashashit nuk është rastësi. Siç nuk është rastësi përfshirja e zyrtarëve të lartë si shefi i burimeve njerëzore në drejtorinë e policisë Vlorë. Zyrtarë të lartë të policisë janë përfshirë në këtë trafik. Disa lëvizje të muajve të fundit në polici megjithëse të kamufluara si lëvizje rutinë kanë të bëjnë me cënimin e interesave të grupeve të përfshira në tregtinë e hashashit me mbështetje në kupolën e Ministrisë së Rendit. Ne nuk duam të besojmë raportimet që në zonën e Vlorës ka patur përplasje brenda policisë që kanë shpëtuar fill nga përplasja e armatosur, ku nga njëra anë ishin policët që donin të ndërhynin për të sekuestruar një sasi të madhe hashashi gati për nisje drejt Italisë e përballë tyre ishte grupi i policëve që mbronin ngarkesën. Ne shpresojmë që përdorimi i emrit të ministrit në këtë situatë të ketë qenë tërësisht një bllof policësh të korruptuar. Ne nuk duam të besojmë as që në Tepelenë miq të njohur të ministrit u kanë bërë presion policëve lokalë për të mos prekur X parcelë sepse “është e ministrit”. Ne duam të besojmë që edhe në këtë rast një keqpërdorje e emrit të ministrit të rendit pa dijeninë e tij, edhe pse ndaj policëve që kanë kundërshtuar këta miq të paftuar, janë marrë më pas masa”, shkruan kjo gazetë(http://www.gazetadita.al/shenim-saimir-cfare-po-ndodh-me-hashashin-dy-ep.... Siç shihet Sajmir Tahiri është kthyer në një pikë kritike për imazhin e qeverisë, apo seriozitetin e saj në luftën ndaj narkotrafikut. Në çdo rast puna ka një bilanc dhe ky bilanc për Ministrinë e Brendshme është negativ, pasi edhe kapja e avionit ishte punë e autoriteteve italiane. Se kush qëndron pas sulmeve ndaj Tahirit, a është ai kokë turku, apo ndaj tij po ushtrohet presion në këmbim të diçkaje tjetër, kjo nuk ka asnjë rëndësi. Rëndësi ka që politika po diskuton implikimin në nivel të lartë për trafikun e hashashit, çka dëshmon edhe njëherë kalbëzimin dhe hipokrizinë, apo edhe paaftësinë për të bërë shtet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.