Sa shpejt (s’)po ecën hekurudha shqiptare?

Postuar në 29 Gusht, 2015 15:39
Ilir Sinanaj

Hekurudha është një formë transporti që ka pasur një ndikim të rëndësishëm në ekonominë e shumë vendeve të botës. Ndërkaq, për hekurudhën shqiptare mbetet shumë për të bërë, për ta kthyer atë në një mënyrë të transportit publik, që të jetë efikase dhe fitimprurëse. Sipas programit të qeverisë “Rama”, për hekurudhën parashikohet që ajo të marrë një karakter përdorimi rajonal. Në vitin 2013 Banka Botërore, në kuadrin e akordimit të huasë, i paraqiti qeverisë shqiptare disa rekomandime për zhvillimin e hekurudhës. Ndërkaq, në progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, të publikuar në tetor të vitit 2014, konkluzionet nuk ishin shumë pozitive për hekurudhën. Po në tetor të këtij viti, qeveria Shqiptare miratoi “Planin Kombëtar të Veprimit për zbatimin e Strategjisë Rajonale për Evropën Juglindore, 2014 – 2020”, ku edhe përcaktohej një nga strategjitë për zhvillimin e hekurudhës.

Plani i qeverisë “Rama”

Një nga pikat kyçe të transportit hekurudhor të qeverisë “Rama” është ndërlidhja e rrjetit tonë hekurudhor me atë evropian. “Me rëndësi në sektorin e transportit është përcaktimi i strategjisë kombëtare për hekurudhat shqiptare. Ne synojmë modernizimin e rrjetit hekurudhor, duke rritur cilësinë e tij, veçanërisht në drejtim të intermodalitetit, duke realizuar lidhjen me Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, si dhe duke synuar integrimin me korridoret evropiane hekurudhore”, - thuhet në “Programin e Qeverisë 2013 – 2017”. Gjithashtu qeveria synon ndërthurjen e mënyrave të ndryshme të transportit me atë hekurudhor, në kuadër të zhvillimit ekonomik. “Do të realizohet specializimi i funksioneve të porteve dhe rritja e intermodalitetit të tyre, veçanërisht përmirësimi i lidhjes së tyre me hekurudhë”, – theksohet në Program.

Raporti i Bankës Botërore 2013

Në korrik të vitit 2013, Banka botërore përpiloi një raport me 13 rekomandime për ekonominë shqiptare “World Bank Group Albania: Policy Brief”, që iu prezantua qeverisë “Rama” në nëntor. Ndër të tjera në këtë raport flitej edhe për hekurudhën shqiptare. Banka Botërore vuri në dukje investimet serioze dhe të mirëmenduara që duheshin ndërmarra nga ana e qeverisë. “Drejtimi strategjik dhe e ardhmja e sektorit hekurudhor është një çështje që ka nevojë të trajtohet. Pa investime të konsiderueshme në hekurudhë, si në infrastrukturë ashtu edhe në lokomotiva e vagonë, fluksi i trafikut të mallrave dhe pasagjerëve ka të ngjarë të vazhdojë të bjerë apo do të mbetet në nivele të ulëta. Përmasa e investimeve që duhen kryer vë në pah nevojën për studime të thelluara nëse do të parashikohen investime të mëtejshme”, - thuhej në raport.
Për rrjedhojë, Banka Botërore propozonte që të ndërmerreshin vendime strategjike për drejtimin e Hekurudhës Shqiptare. Një nga rekomandimet ishte dhënia me koncension të hekurudhës, në mënyrë që të tërhiqeshin investime private për sipërmarrje fitimprurëse në transportin e mallrave. Gjithashtu rekomandohej që ose të mos vazhdoheshin më shërbimet për pasagjerët, që ishin me humbje, ose shërbime të hekurudhës t’i përkushtoheshin vetëm shërbimeve të transportit të mallrave. Ndërkaq Banka Botërore rekomandonte edhe uljen e numrit të personelit në varësi të efikasitetit të produktivitetit. Po kështu rekomandohej edhe menaxhimi i hekurudhës, sipas një modeli të aplikuar me sukses nga shumë vende evropiane, jo më në qendra rajonale por me prirje të fitimeve sipas zonave të fluksit të mallrave ose të pasagjerëve.

Progres – Raporti i Shqipërisë 2014

Për hekurudhën në progres-raportin për Shqipërinë për tetor 2014, flitej në kapitullin 14 “Politikat e Transportit”, të seksionit “Aftësia për të marrë përgjegjësitë e anëtarësimi”. Duke thekusar se shumë pak progres ishte bërë deri atëherë në politikat e transportit për hekurudhën thuhej se “burimet e caktuara për të zhvilluar dhe mirëmbajtur infrastrukturën hekurudhore janë të pamjaftueshme, duke rezultuar në uljen e cilësisë dhe zvogëlimin e shërbimit të pasagjerëve”. Në konkluzionet për këtë kapitul thuhej se “gjatë vitit të ardhshëm (2015), Shqipëria duhet të bëjë përpjekje të qenësishme për të përmirësuar sektorin hekurudhor, në veçanti për të miratuar Ligjin e Hekurudhës. Ndërkaq në kapitullin 21 “Rrjeti ndërevropian”, thuhej se rrjeti hekurudhor është përkeqësuar dhe pjesa Librazhd – Pogradec nuk funksionon për mungesë mirëmbajtjeje. Plani i detajuar për linjën hekurudhore Tiranë – Durrës si edhe studimi i qenësisë ekonomike e hekurudhës në shkallë kombëtare mbeten për t’u përfunduar”.

V KM nr. 611, datë 17.9.2014

Po në tetor të vitit 2014, qeveria shqiptare miratoi Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për zbatimin e Strategjisë Rajonale për Evropën Juglindore, 2014 – 2020”, tek i cili ishte hartuar edhe një plan veprimi për hekurudhunë. Në këtë VKM puna që do të kryhet gjatë periudhës kohore 2014-2020 është sigurimi i harmonizimit me kuadrin rregullator të transportit të BE-sё për krijimin e kushteve të tregut të përbashkët dhe standardet e sigurisë, si dhe liberalizimin e shërbimit hekurudhor. Konkretisht për këtë parashikohet integrimi i sektorit të transportit hekurudhor me rrjetin rajonal dhe atë paneuropian në përputhje me përparësitë e dokumenteve strategjike. Kostoja e projektit parashikohet të jetë 56 miliardë lekë dhe e ngarkuar për zbatimin është Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës. Ajo që synohet të arrihet është që në sektorin e transportit hekurudhor në vitin 2020, të ketë një rrjet hekurudhor funksional në tërësi, me linjën Tiranë – Durrës të rikonstruktuar. Pjesa tjetër e rrjetit do të ketë parametra të ulët teknikë dhe shfrytëzues (shpejtësi lëvizje 35 km në orë) dhe një mirëmbajtje sa më optimale.
Po kështu me V KM nr. 611, datë 17.9.2014 projektohet rritja e konkurrencës midis operatorëve multimodalë, operatorëve hekurudhorë dhe portualë. Për këtë parashikohet hartimi i kuadrit të ri ligjor për licencimin e transportuesve hekurudhorë dhe për mënyrën e ngarkimit të vagonëve të mallrave me synim përafrimin me legjislacionin evropian: projektligji për sistemin hekurudhor dhe sistemit të sigurisë në hekurudhë (paketa e dytë dhe të parë), dekreti dhe aktet nënligjore që rrjedhin. Po kështu parashikohet edhe krijimi i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Hekurudhave. Kostoja e projektit llogaritet të jetë 840 milionë lekë dhe e ngarkuar për zbatimin është Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës. Sipas VKM-së, me asistencë të huaj, po punohet për hartimin e ligjit “Për sistemin hekurudhor të Republikës së Shqipërisë”, i cili do të përfshijë të gjithë legjislacionin evropian të fushës. Parashikohet, sipas VKM-së se brenda vitit 2014 të aprovohej ligji i ri hekurudhor dhe brenda vitit 2015 të realizohet reformimi sipas ligjit të ri në administrimin e sistemit hekurudhor shqiptar.

Gazeta "Standard"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.