Prona/"Gjykatësit i kemi palë kundërshtare”

Postuar në 29 Gusht, 2015 16:05
Edi Rama

Kjo është fjala e kryeministrit Edi Rama, sot në Vlorë, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes ndërinstitucionale për mbrojtjen e pronës. Krijon një farë pështjellimi marrëveshja kur për këtë ka ligje. Fjala e Kryeministrit ka rëndësi, pasi aty gjyqtarët shpallen palë kundërshtare. Po e përcjellim fjalën të plotë nisur nga rëndësia që përfaqëson në kontekstin e angazhimeve të kësaj qeverie, për pronën, por edhe në raport me gjyqësorin:

Ky është një moment me shumë rëndësi në një proces që qeveria shqiptare ka nisur qysh me marrjen e detyrës, përmes, nga njëra anë, vënies nën kontroll të të gjithë situatës së tërësisht kaotike dhe korruptive në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave; nga ana tjetër, përmes angazhimit të drejtpërdrejtë të Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit për këtë proces dhe së fundmi, jo për nga rëndësia, përmes krijimit të një Taks-force, e cila për një periudhë të konsiderueshme kohore ka marrë në shqyrtim gjendjen në qarkun e Vlorës, si qarku më problematik i Shqipërisë përsa i përket situatës me pronën.

Pas këtij procesi jemi këtu për të çelur një fazë të dytë mbi bazën e kësaj marrëveshje ndërinstitucionale, që garanton një bashkëpunim intensiv dhe të përditshëm, për t’u hedhur në kundërsulm ndaj grabitësve dhe falsifikatorëve te pronës.

Prokurori i Përgjithshëm tha fjalën e tij se ky është një proces kaq i zvarritur në vite dhe po ashtu, edhe për këtë, shumë i dëmshëm për vetë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por unë kësaj do t’i shtoja që, përveçse ky mbetet një detyrim madhor i Shqipërisë për të përmbushur një nga kushtet themelore të të qenit një demokraci funksionale dhe një shtet i së drejtës, është edhe një prioritet i yni në raport me detyrimin që kemi ndaj gjeneratave të tjera. Shqipëria nuk mund të jetë vendi, të cilin gjenerata tjetër ta trashëgojë si një vend ku grabitësit e falsifikatorët ta gëzojnë njëherë e përgjithmonë, produktin e veprës së tyre kriminale.

Stabilizimi i regjimit juridik të pronave në vendin tonë, sigurisht që ka ende një rrugë të gjatë për të t’ia dalë, por është një domosdoshmëri. Ashtu sikundër, asnjë projekt zhvillimi strategjik, në tërësi, për ekonominë e vendit tonë dhe asnjë projekt strategjik zhvillimi për të përmbushur këtë prioritet madhor, që është zhvillimi ynë ekonomik, nuk mundet dot të na japi rezultatin që dëshirojmë, nëse zhvillimi i ekonomisë është një hapësirë e shkëputur nga zhvillimi normal i pronës.

Shteti nuk mundet të mbyllë sytë përpara një fenomeni kanceroz, që në vite ka prekur dhe ka cenuar në qelizë, të gjithë organizmin e sigurisë juridike të pronës, duke praktikisht u kthyer në një gangrenë që pengon zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe që ju bie ndesh interesave pasurore të qytetarëve dhe të pronarëve të vërtetë.

Në këto përpjekje, gjatë kësaj periudhe të parë të qeverisjes, ne jemi njohur me fakte të tmerrshme dhe të pakontestueshme, sesi qindra dhe mijëra hektarë tokë janë vjedhur duke përdorur dokumente të falsifikuara. Është vjedhur dhe abuzuar në shkallë të gjerë në një sistem që ka siguruar një lidhje të shkurtër mes grabitësve, pushtetit ekzekutiv dhe pa asnjë dyshim, pushtetit gjyqësor. Procesi i tejzgjatur i kthimit dhe kompensimit të pronave, si dhe vendimmarrja e deri vitit 2013-të në këtë fushë nuk kanë bërë asgjë tjetër, përveçse kanë krijuar kushtet optimale për zgjerimin dhe intensifikimin e gjithë këtij kanceri në organizmin e vendit tonë.

Prandaj është shumë e rëndësishme që reforma rrënjësore e pronës, që do t’i japë fund kësaj historie pafund që e ka bërë Shqipërinë një vend ku nuk e merr vesh i pari të dytin, kur vjen puna tek pronat, është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër e medaljes është çelja e kësaj faze të dytë, përmes një operacioni shumë të thellë dhe të suksesshëm të goditjes së çdo akti të falsifikuar që ka prodhuar përmes veprës penale një interes të paligjshëm pasuror dhe një të drejtë tërësisht të falsifikuar mbi pronën.

Dhënia fund e të gjithë kësaj historie skandaloze, tejzgjatjeje dhe zvarritjeje, përmes proceduarve ligjore dhe transparente ka si parakusht të vetin goditjen, goditjen, goditjen e produkteve të veprës kriminale të tjetërsimit të pronës përmes falsifikimit.

Ka raste që janë me qindra vetëm në qarkun e Vlorës, por do të doja të sillja në vëmendjen tuaj, thjeshtë për ilustrim, tre raste me të cilat publiku mund të kuptojë fare qartë se deri ku ka shkuar abuzimi dhe deri ku është shtrirë fuqia gllabëruese e grabitësve, me ndjesinë e frikshme të një imuniteti që as nuk ua ka dhënë dhe nuk ua jep dot kush, por që as nuk e ka kontenstuar kush, përpara kësaj qeverie.

Një rast shumë i freskët në rezervatin e Velipojës, pjesë e peizazhit ujorë dhe tokësor të mbrojtur të Republikës së Shqipërisë dhe pjesë e listës së zonave me rëndësi ndërkombëtare, sipas konventës së Ramsarit. Pasi është pretenduar njohja e pronësisë dhe kthimi apo kompensimi, sipas rastit, për 50 hektarë, pra, pretendimi është 50 hektarë, vendimi i gjykatës kthen 500 hektarë! Domethënë, për të gjithë ju që jeni ekspertë të fushës është fare e qartë, por besoj që nuk ka asgjë të paqartë dhe për çdo qytetarë që na dëgjon. Shkohet në gjykatë për të kërkuar 50 hektarë dhe gjykatësi, me bujarinë e një mbreti apo të një sundimtari sovran, nuk të jep 50, të jep 500. Dhe të jep 500 hektarë në një tokë, e cila është zonë e mbrojtur dhe sipas ligjeve të kësaj republike, por dhe sipas konventave ndërkombëtare nuk është e kthyeshme. Dhe kjo përmes aktekspertizash absolutisht të falsifikuara që depozitohen në gjykatë, apo përmes përdorimit të dokumenteve, të cilat nuk e vërtetojnë pronësinë e pretenduar.

Një rast tjetër, këtu në jug, ku është arritur të neutralizohet tentativa për të regjistruar dhe tjetërsuar 30 hektarë, që përbëjnë një nga gjiret më të mrekullueshme të bregdetit Jon, përmes dokumenteve të falsifikuara, akteve gjyqësore dhe akteve absolutisht të pavlefshme, të cilat janë verifikuar nga ana e Taks-forcës. Por ajo që është më e bukura, në kuptimin e më të tmerrshmes, është se të gjitha këto akte janë prodhuar, pasi është bërë një regjistrim fillestar në hipotekë, pa asnjë akt. E regjistroj, pastaj bëj aktet.

Një rast tjetër në plazhin e Durrësit, ku prona e pozicionuar sipas dokumenteve arkivorë të origjinës është në majë të kodrës dhe në brendësi të pjesës së saj, ndërkohë që gjykata e jep në buzë të detit. Spostim spektakolar i një prone abuzive, sepse edhe ajo në majë të kodrës nuk ishte prona e pretendentit. Por ndërsa pretendenti e kërkon në majë të kodrës, gjykata e jep buzë detit.

Këto janë grabitje që nuk kanë asgjë të ngjashme jo në Europën ku jetojmë sot, por as në kohën më të errët të Perandorisë Otomane, e cila, sidoqoftë, në raport me pronën ishte shumë e shumë herë më strikte, sesa ç’është shteti shqiptar i këtyre dy dekadave të mëparshme.

Mesazhi i sotëm për të gjithë ata, të cilët janë në anën e shtetit në fushën e kësaj beteje të madhe, që përfaqësojnë prokurorinë, që përfaqësojnë policinë, që përfaqësojnë Avokaturën e Përgjithshme të Shtetit, që përfaqësojnë Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, është që parashkrimi mund të shpëtojë nga ndëshkimi penal autorët e grabitjes, por nuk mund ta amnistojë produktin dhe nuk mund të legalizojë produktin e grabitjes si një produkt legjitim të grabitësit. Pra, hajduti ka vjedhur, vepra është parashkruar dhe ajo që ka vjedhur i mbetet atij si pronë. Kjo është e papërfytyrueshme. E për këtë arsye, marrëveshja e nënshkruar sot ka një rëndësi themelore, për të finalizuar në një rrugë që do të jetë padyshim jo e lehtë, një proces të neutralizimit të produkteve të veprës penale të grabitjes së pronës dhe të kthimit të pronës tek i zoti shtet, apo tek i zoti i vërtetë.

Këto katër institucione kanë në dorë fatin e pronës në Shqipëri dhe duke pasur në dorë fatin e pronës në Shqipëri, kanë në dorë edhe fatin e gjeneratave të tjera. Të gjithë ata që do të përfshihen në këtë operacion duhet të jenë të vetëdijshëm që kanë një barrë të madhe për të mbajtur, sepse përgjegjësia është e jashtëzakonshme dhe sepse suksesi në këtë betejë ka një rëndësi historike të jashtëzakonshme për integritetin moral të këtij vendit, për integritetin juridik të këtij vendi dhe për zhvillimin ekonomik të këtij vendi.

Sigurisht që ky takim nuk formalizon bashkëpunimin që rrjedh nga ligji, por formalizon një qasje absolutisht të përbashkët, në funksion të një strategjie të përbashkët, për të vepruar bashkërisht për një operacion të përbashkët. Kështu, për të hetuar, për të verifikuar dhe për të faktuar dhe proceduar sipas ligjit,çdo akt, dokument apo denoncim që çon drejt fajtorëve dhe bën të mundur që produkti i fajit t’i kthehet qytetarit. Për këtë nevojitet një punë me intensitet të posaçëm dhe një angazhim shumë i posaçëm i të gjitha strukturave dhe i gjithë atyre individëve që në këto struktura do të angazhohen drejtpërdrejt nga eprorët e këtyre institucioneve, për të marrë pjesë në këtë betejë.

Mbështetja e Prokurorisë së Përgjithshme, por në mënyrë të veçantë e prokurorive të rretheve, për të iniciuar procedimin penal për çdo njoftim për vepër penale që lidhet me falsifikimin e dokumenteve, me të cilat preket e drejta e pronës, është një domosdoshmëri jetike për këtë proces. Ajo çfarë është më e rëndësishme përmes këtij bashkërendimi është të sigurojmë dhe disponojmë provat materiale, përmes të cilave do të arrihet asgjësimi i dokumenteve të falsifikuara dhe sekuestrimi i tyre, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.

Unë jam i vetëdijshëm që po të ishte kjo një luftë vetëm me grabitësit, do të ishte shumë më e lehtë. Por nuk është një luftë vetëm me grabitësit, por është një luftë edhe me gjykatësit, sepse janë palë kundërshtarë në këtë proces. Gjykatës, të cilët fshihen pas vendimesh kolegjiale, që kanë marrë dhe formë të prerë në disa shkallë dhe që në këto kushte, aktualisht janë të pandëshkueshëm. Por vetëm aktualisht ama, sepse unë jam i bindur që reforma në drejtësi do të krijojë kushte të reja, për të ndarë shapin nga sheqeri dhe për të ndarë në mënyrë ligjore dhe profesionale, kush meriton të mbajë togën e gjykatësit dhe përgjegjësinë e madhe të të qenit garant i lirive dhe të të drejtave të njerëzve në këtë vend dhe kush nuk e meriton togën e gjykatësit, madje meriton shumë më pak sesa qytetarët e lirë të këtij vendi.

Padyshim që Policia e Shtetit ka një rol shumë të rëndësishëm në kryerjen me përgjegjësi të veprimeve hetimore dhe të ekspertizave nga ana e Policisë Shkencore, të cilës qeveria i ka dhënë së fundi, për këtë proces, një mbështetje të plotë për të rritur kapacitetet teknologjike. Kjo me kërkesë të Policisë së Shtetit, por edhe me këmbënguljen legjitime të Prokurorit të Përgjithshëm, në mënyrë që aktet e ekspertimit të mos jenë si aktet e falsifikimit. Çfarë dua të them me këtë? Pra, të jenë shumë solide dhe të pakontestueshme.

Ndërkohë që Avokatura e Shtetit do të vijojë një punë të nisur me shumë vullnet dhe me të dhëna inkurajuese, për t’u transformuar realisht në mbrojtëse e palëkundur e interesave pasurore e këtij shteti dhe në të gjitha rastet, kur do të vërtetohet se është abuzuar me pronën shtet dhe është përftuar pronësia në mënyrë të paligjshme, do të jetë një zë dhe një mekanizëm shumë i fortë në këtë proces.

Ky është vullneti ynë dhe ky është vullneti normal i çdo shteti demokratik dhe i çdo qeverie që duhet të sigurojë funksionimin e mekanizmave të pushtetit ekzekutiv, në funksion të funksionimit të demokracisë.

Dhe padyshim, përfshirja, gatishmëria dhe vullneti i Prokurorisë së Përgjithshme për të qenë në këtë proces është një ogur shumë i mirë për sukses.

Dua shumë të shpresoj dhe të uroj që në takimet periodike që të katër drejtuesit e këtyre institucioneve do të kenë me të gjithë personat e angazhuar në terren, ku me shumë gatishmëri, unë do të marr pjesë, të mos flasim më për çfarë do të bëjmë, por të flasim me gjuhën e fakteve dhe të rezultateve. Ata që kanë grabitur pronat e shtetit, që kanë grabitur potenciale të mëdha të zhvillimit ekonomik, të zhvillimit turistik, të zhvillimit industrial të këtij vendi dhe që kanë kurajon dhe pafytyrësinë t’i dalin përpara këtij zhvillimi, duke e bërë të pamundur zhvillimin, apo që anë grabitur pronat e të tjerëve dhe që kanë kurajon dhe pafytyrësinë të sillen sikur të ishin stërnipërit e pronarëve të vërtetë, përmes parashkrimit të veprës penale thjesht i kanë shpëtuar individualisht ndëshkimit të ligjit, por nuk kanë shpëtuar dhe nuk do ta shpëtojnë produktin e veprës së tyre penale dhe nuk do ta gëzojnë pronën e grabitur.

Kjo është deviza e këtij vullneti dhe ky është objektivi i këtij operacioni.

Shumë faleminderit të gjithëve dhe uroj bashkëpunim, uroj angazhim patriotik dhe uroj sukses të përbashkët në këtë operacion.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.