Topalli: Qeveria armiqësore me popullin e vet, Rama s’ka vullnet për dekriminalizimin

Postuar në 28 Gusht, 2015 08:03

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Jozefina Topalli analizon situatën politiko-ekonomike në vend, arsyet pse po ikin shqiptarët, nxit partinë e saj të dominojë dhe tregon se të djathtët nuk duhet të presin zgjedhjet e 2017­ës për të larguar qeverinë “Rama”. Sipas saj, qeveria është tërësisht e dështuar dhe armiqësore me popullin e vet. “Në gjykimin tim, vendi sot po kalon një moment të vështirë. Nuk ka ndodhur kurrë në këto dy dekada e gjysmë demokraci që një qeveri të jetë kaq armiqësore me qytetarët që e kanë zgjedhur. Realiteti kalon kësaj radhe çdo imagjinatë. Kush e mendonte para disa vitesh se në Kuvend, në atë që konsiderohet shtëpia e shqiptarëve, sovrani të përfaqësohej nga njerëz me rekorde kriminale për vrasje, për trafik të qenieve njerëzore, për trafik droge, për grabitje?! Kjo nuk ka ndodhur në asnjë kohë, në asnjë vend demokratik! Sot ky është realitet. Kjo qeveri është ndërtuar si model dhe inkurajim për kriminelët dhe “të fortët” me para për të aspiruar të njëjtat pozita pushteti, por pse jo, dhe më shumë”, thotë Topalli.

Në vazhdim të intervistës Topalli thotë se është e turpshme që Marrëveshja për Dekriminalizimin e politikës, e arritur me ndërmjetësimin europian dhe e miratuar në Parlament në 24 dhjetor 2014, ka mbetur në letër dhe pengohet nga qeveria. “Afati për zbatimin e marrëveshjes duhej të ishte 30 qershori, por është fakt se Edi Rama kandidoi në zgjedhjet e pushtetit lokal trafikantë droge dhe prostitutash. Përveçse fyese dhe poshtërim për çdo shqiptar, siç thotë ambasadori amerikan, ky është një akt sfidues e mospërfillës për shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Është dëshmi e vendosmërisë së kësaj qeverie për të inkriminuar në çdo qelizë shtetin shqiptar, me qëllim për të ruajtur dhe për të rritur me çdo formë pushtetin dhe pasurimin e paligjshëm. Për mua është e qartë se Edi Rama nuk ka vullnet politik për dekriminalizimin”, thot ënë intervistën e saj ish kryetarja e Kuvendit. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.