Shën Thanasi "spostohet". Komuniteti himarjot ka kërkuar i pari përkujtimin e Katalanos. Pse u prish atëherë kisha?

Postuar në 28 Gusht, 2015 16:36

Qeveria ka dërguar Blendi Klosin, ministër për Çështjet Sociale, për të biseduar me banorët e Dhërmiut, rreth ndërtimit të Kishës së re të Shën Thanasit. "A1 Report" publikon madje edhe projektin e ri që ndryshon në pikëpamje arkitektonike nga projekti i vjetër i para 1972-it. Do të ishte interesante të bëhej i njohur emri i arkitektit që ka sugjeruar projektin. Por le të shohim çfarë ka thënë ministri Klosi: “Nuk pati asnjë incident nga ato që ju gazetarët zakonisht prisni. Ishte bashkëbisedim shumë i mirë dhe qytetarët realisht u njohën me projektin e qeverisë dhe se si do të duhet që ta promovojmë atë objekt shumë të rëndësishëm të trashëgimisë tonë kulturore, por po ashtu njohën edhe projektin e bashkisë Himarë, i cili jo vetëm do rindërtojë objektin në atë zonë po më shumë se kaq i ofroi komunitetet e zonës 2 apo 3 pozicione të tjera ku ata mund të ndërtojnë kisha të tjera. I ofrova atyre qytetarëve ndihmën e institucionit tonë për të pas mundësinë që të rispostojmë kishën në një vend tjetër dhe ministria do të japë ndihmën e saj për të realizuar objektin. Bashkia i ofroi rreth 2 apo 3 pozicione të tjera ku ata mund të ndërtojnë kishën sipas natyrisht disa parametrave standarde të kishave të kësaj zone që është një zonë shumë e pasur me objekte kulti dhe objekte të trashëgimisë kulturore. Objekti shumë pranë atij monumenti është një kishë shumë shumë e bukur. Unë pata rastin ta shihja atë, e cila vizitohet nga mijëra turistë shqiptarë dhe të huaj dhe prandaj hapësira për një kishë të re apo një objekt të ri të trashëgimisë kulturore do ta shtojë shumë turizmin jo vetëm turizmin e detit por dhe turzimin kulturor në ktë zonë"- tha Klosi.
Thënë ndryshe, qeveria ka ndërmend që me paratë e buxhetit të ndërtojë një kishë për ortodoksët, meqë atë që kishin ua prishi me një pabesi që themelon vetëm armiqësinë. E madhe shumë bëhet kjo pabesi, pasi mënyra e prishjes, mungesa e vullnetit për të diskutuar me KOASH-in si dhe shkelja e marrëveshjeve me këtë të fundit(bazuar në ligj) është rast që shpalos dhe përkufizon një politikë të kësaj qeverie ndaj një komuniteti fetar.

Çfarë mendon komuniteti për Katalanon dhe misionin bazilian?
Përgjigjen për këtë pyetje mund ta marrim te një punim i botuar në vitin 2011, me titull: “Punimet e Konferencës III Pan-Himariote”. Ka të paktën dy tekste aty ku murgjit bazilianë përmenden: një është “Misionarët bazilianë në Himarë – Faza I”, me autor dr. Kristaq Jorgjin, me origjinë nga Dhërmiu. Teksti i dytë, që i përmend kalimthi, por thekson natyrën fetare dhe qëllimin konvertues të tyre, është “Shkolla në Dhërmi(Drimadhes/Dromadhes) dhe Shën Vasil – Një analizë krahasimore” me autorë Marko Gjikopulli dhe Minella Gjoni. Natyrisht në të dyja tekstet punim referues është ai i Nilo Borgias, por meriton vëmendje fakti që autorët dokumentojnë se misioni bazilian në Himarë kishte qëllim kryesor dhe të patjetërsueshëm konvertimin(shih fotot). Nga ana tjetër, ky mision, megjithë qëllimet e veta, solli edhe përdorimin e gjuhës shqipe(edhe pse tre fshatra njihen si me kombësi greke), çka i jep kreditet Nilo Katalanos si pjesë e historisë së shkrimit të shqipes. Ja se çfarë thotë dr. Jorgji në mbyllje të esesë së vet: “Duhet thënë se nëse qëllimi i tyre qe konvertimi i himariotëve në katolicizëm, kjo nuk u arrit. Ndonëse për një kohë të gjatë dhe duke bërë një punë padyshim të lavdërueshme në mësimin e katekizmit dhe në civilizimin e trevës, misionarët e zellshëm dhe të devotshëm nuk arritën kurrë të konvertojnë Himarën në katolike. Madje siç tregojnë edhe vlerësimet e tyre, misioni në Himarë është cilësuar i dështuar, apo siç e citon Skiroi “misioni i pafat i Himarës”. Dhe si epilog: “...do të propozonim për ngritjen e një kujtese për turistët për mësuesin bazilian Nilo Katalano, i cili ka vdekur në Dhërmi më 1694 dhe është varrosur në kishën e Shën Thanasit në Dhërmi...Kjo do të qe një veprim mirënjohjeje, ndonëse me vonesë, për nderimin e për përkushtimin e këtyre misionarëve, që dhanë aq shumë për himariotët”(faqe 110-111).
Pra qeveria aktuale ka patur mirëkuptimin edhe të komunitetit të zonës për ngritjen e një përmendoreje për Katalanon, çka e bën shumë të panevojshëm prishjen e Kishës. Të mos harrojmë se misioni vijon me tre faza(fotot) deri më 1946, pra edhe në kohën e pushtimit fashist, duke e plotësuar atributin fetar dhe propagandist të tij. Në këto kushte mbetet e pasqaruar për opinionin se përse duhej hedhur në shesh kisha e Dhërmiut. Por ndoshta deklarata e sotme e Klosit, për spostimin e saj në një vend tjetër, zbulon edhe qëllimin e vërtetë të proselitëve të Tiranës.

Comments

Submitted by Stefan H (not verified) on

E pseu dashka cvendosur kisha? Prane kesaj kishe jane prehureshtrat e misionarit bazilian perdisa shekuj. Nuk ka arrsye ti ndash ato nga ajo me ndertimin e kishes diku gjekte Eshtrat priftit mund mund te vendosen gjekte e jo kisha

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.