Përkeqësohet bilanci i tregëtisë me jashtë, pasqyrë e partneritetit të ri politik

Postuar në 28 Gusht, 2015 12:56

Muaji korrik ka shënuar bilancin më negativ në tregëtinë me jashtë përgjatë viteve të fundit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se deficiti tregtar i këtij muaji është 30 mld lekë, duke u rritur me 23,0 % krahasuar me Korrik 2014 dhe 20,3 % në krahasim me Qershor 2015.
Në korrik eksportet e mallrave arritën vlerën 22 mld lekë, duke u ulur me 2,6 % në krahasim me një vit më parë dhe 7,6 % në krahasim me Qershor 2015. Importet e mallrave në korrik të këtij viti arritën vlerën 52 mld lekë, duke u rritur me 10,6 % në krahasim me Korrik 2014 dhe 6,5 % në krahasim me Qershor 2015.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 69,2 % të gjithë tregtisë. Në Korrik 2015, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 80,0 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 64,6 % të importeve gjithsej. Sipas Instat Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (37,8 %), Turqia (6,2 %), Greqia (5,9 %) dhe Gjermania (5,9 %).
Nga shifrat vihet re se Shqipëria ka një rritje të shkëmbimeve tregëtare me vende si Gjermania, Turqia dhe Italia, me të cilat ka rikonsideruar pozitivisht marrëdhëniet politike, ndërsa uljen më të madhe Shqipëria e ka me Greqinë, me të cilën ka një përkeqësim të marrëdhënieve.
Kështu në korrik 2015, eksportet nga Gjermania janë rritur me 54,0 %, nga Italia me 10,4 % dhe nga Kosova me 2,5 %. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Spanja me 26,8 %, Malta me 26,5 % dhe Greqia me 5,7 %.
Në muajin Korrik 2015, vendet e me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me muajin korrik 2014 janë: Gjermania me 22,1 %, Turqia me 18,2 % dhe Italia me 3,6 %. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA me 41,2 %, Greqia me 13,5 % dhe Kina me 3,7 %.

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.