Asnjë surprizë në tenderin e lavanterisë në QSUT, fiton kompania në qendër të akuzave

Postuar në 28 Gusht, 2015 17:22

Përsëritja e tenderit shumë të debatuar katër vjeçar të lavanterisë në QSUT nga Ministria e Brendshme, që në këtë raste shërbente si organ qëndror kontraktues, nuk ka sjellë surpriza.
Kompania A.G.S Sh.p.k, e cila akuzohej se ishte favorizuar gjatë procedurës së parë të prokurimit , e cila u anulua nga Komisioni i Prokurimit Publik, KPP, është shpallur fituese me një ofertë prej 1,097 miliardë lekë. Oferta fituese është e barabartë me 99.2 për qind e çmimit limit të tenderit. Fondi limit qe 1,160 miliardë lekë.
Oferta e dytë në tender ka qenë ajo e bashkimit të operatorëve Devis Sh.p.k, Dimensione të Reja, Univers Servis Sh.p.k dhe A-K Company Sh.p.k me 1.1 miliardë lekë. Në tenderin e parë ky konsorcium kompanish kishte dhënë një ofertë për të njëjtin shërbim relativisht më të ulët. Të pyetur nga BIRN drejtuesit e Davis Sh.p.k nuk e komentuan rritjen e ofertës financiare në tenderin e dytë.
Tenderi i parë i mbajtur me 16 shkurt me autoritet kontraktues, QSUT, pati 6 oferta nga kompani ose bashkime operatorësh. Në tenderin e dytë të mbajtur nga Ministria e Brendshme në 3 gusht pati dy oferta, shenjë që një pjesë e kompanive ka humbur besimin në procedurën e prokurimit.
Fituesja e tenderit të dytë, A.G.S sh.p.k. është akuzuar nga KLSH se ka përfituar nga favorizimi i padrejtë i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, KVO, në QSUT, në një tender tjetër për lavanterinë që mbulonte periudhën Janar-Prill 2014, duke i shkaktuar taksapaguesve një dëm prej 10.8 milionë lekë.
Anëtarët e KVO-së në QSUT janë paditur nga KLSH në prokurori, por kjo e fundit i tha BIRN se është ende në procesin e verifikimit të akuzave.
Ankesa për favorizim nga QSUT për A.G.S sh.p.k ka pasur dhe nga operatorët e tjerë që morën pjesë në tender.

Akuzat për favorizim në tenderin e parë

Tenderi për shërbimin e lavanterisë dhe hotelerisë në QSUT e ka zanafillën në Janar 2014, kur procedura u hap nga spitali kryesor publik i vendit me një ‘procedurë të hapur mbi kufirin monetar.’
Tre operatorë dhe tre bashkime operatorësh ekonomikë kanë dhënë gjashtë oferta për tenderin shumë-milionësh. Oferta më e ulët në tenderin e parë qe vetëm 478 milionë lekë, ose dy herë më pak se sa oferta fituese e tenderit të dytë.
Procedura e parë e prokurimit është anuluar me 7 qershor me një vendim të KPP, pas ankesave të disa operatorëve, përfshirë dhe AGS sh,p.k që kishte dhe ofertën me vlerë monetare më të lartë.
Anulimi i tenderit nga KPP ka prodhuar një seri akuzash kundër QSUT-së dhe AGS Sh.p.k, për shkeljen e barazisë në tenderë duke përdorur specifikime teknike dhe financiare jo realiste.
Balkan Laundry, një ndërmarrje italo-shqiptare si dhe një nga kompanitë ofertuese në tenderin e parë, thotë se ishte e gatshme të mbulonte shërbimin e lavanterisë në QSUT me më pak se gjysmën e fondit limit të përcaktuar nga autoriteti kontraktor, por “kriteret e vendosura nga ky i fundit ishin të paarritshme”.
Drejtuesit e kompanisë pretendojnë se pavarësisht investimit modern prej miliona eurosh, kompania u skualifikua pasi ishte shumë e re në tregun shqiptar.
“Duke marrë parasysh tarifat që ne kemi për larjen e produkteve, blerjen e materialeve të buta (çarçafë), prodhimin e veshjeve të infermierëve dhe mjekëve, blerjen e materialeve të tjera ndihmëse, ne kemi bërë ofertë rreth 54 për qind më të ulët se fondi limit, por u skualifikuam sepse ishim të rinj në treg,” thotë administratori i shoqërisë, Arben Sharra për BIRN.
Sipas Sharrës, kriteret e vendosura nga autoriteti kontraktor favorizuan hapur firmën A.G.S sh.p.k për të fituar tenderin, pasi i ‘shkojnë për shtat’ karakteristikave që ajo plotëson.
“Ky tender kërkon larjen e 2,000 kg material në ditë. Teknologjia që ne kemi përdorur në fabrikën tonë është bashkëkohore dhe për të larë 3000 kg në ditë ne na duhet një numër punonjësish 8-12 vetë,” tha ai.
Sharra pretendon se kriteri për 60 punonjës në tender është i pabazuar nga enti prokurues dhe hedh dyshime se është vendosur për të favorizuar një kompani që ka një numër të tillë të të punësuarve.
“Ku është bazuar enti prokurues që vendos një specifikim prej ’60 punonjës’? I bazohet teknologjisë së vjetër që duhet të bëhet me dorë apo i shkon për shtat ndonjë firme tjetër që ka 60 punonjës?” shtoi Sharra.
Rezerva për kriteret e larta e të paarritshme pati edhe nga kompani të tjera që donin të merrnin pjesë në tender, si kompania “Devis” sh.p.k që ka depozituar një ankesë në KPP pas shpalljes së tenderit.

Një prej përfaqësuesve të kësaj firme i tha BIRN se kërkesat e tyre nuk u pranuan qëllimisht, për të favorizuar firmën A.G.S Sh.p.k për të fituar këtë tender.
“Për të plotësuar kriteret e larta të kërkuara nga autoriteti kontraktor ne bëmë bashkimin e katër kompanive dhe u futëm në tender”, thotë ai.
KPP vendos të pranojë kërkesën e kompanisë A.G.S sh.p.k e të skualifikojë këtë bashkim operatorësh nga gara.
‘Ky skualifkim ishte i padrejtë, pasi në kriteret e kërkuara nga autoriteti kontraktor nuk specifikohej që certifikatat ISO duhej t’i kishte secili prej operatorëve”, shprehen përfaqësues të kompanisë Devis shpk për BIRN.

Duke iu përgjigjur akuzave të operatorëve të tjerë, administratorja e kompanisë A.G.S, Alma Tafani u shpreh se kompania që ajo drejtonte kishte një eksperiencë të gjatë në treg dhe përmbushte standarde të larta.

“Përtej paragjykimeve, ju bëj me dije që kompania që unë përfaqësoj ka një aktivitet në këtë sektor prej 8-vitesh… me standarde shumë të larta në funksion të këtij shërbimi,” tha ajo.
“Theksojmë që nuk kemi pasur dhe nuk kemi asnjë lloj mundësie apo shansi për të ndërhyrë apo ndikuar në entet prokuruese,” shtoi Tafani.
Sa për paragjykimet dhe akuzat e kompanive të tjera, Tafani shtoi se: “gjëja më e lehtë kur të mungojnë standardet është të hedhësh baltë mbi tjetrin.”
Nga ana tjetër, KPP skualifikoi nga gara dhe kompaninë Neproma Service, pasi nga 60 punonjës që kërkoheshin nga QSUT për të kryer shërbimin, ajo kishte një numër mesatar prej 57.5 punonjësish gjatë tre viteve të fundit.

“Ne bëmë garën dhe dolëm barazim me bashkimin tjetër të operatorëve, por më pas i gjithë procesi u anulua,” thotë për BIRN Avni Lika, administrator i “Neproma Service S.r.l.
“S’po marrim vesh ç’po ndodh, por e kemi çuar në gjykatë çështjen,” shtoi ai.

"BIRN"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.