Selami flet mbi mënyrën si po bën opozitë e djathta: Basha duhet të bëjë korrigjime

Postuar në 27 Gusht, 2015 10:05

Deputeti i PD-së Eduard Selami gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” ka folur mbi debatet mbi mënyrën se si po bën opozitë e djathta. I pyetur se a ka Partia Demokratike një program për të ardhur në pushtet, Selami thotë se kryetari Basha duhet të korrigjojë disa gjëra.  “Unë them se ka gjëra që kryetari Basha duhet t'i korrigjojë. Në bazë të këtyre dy humbjeve edhe ne do të fillojmë analizën. Mundësia që ne të dalim fitimtarë në zgjedhjet e ardhshme është aty. Kjo do të jetë në të mirë jo vetëm të kryetarit Basha, por edhe në të mirë të PD-së, në të mirë të gjithë shqiptarëve”.

Kritike për mënyrën se si PD po bën opozitë ka qenë edhe ish-nënkryetarja Jozefina Topallli, por për Selamin këto janë shprehje mendimesh në një parti të madhe. “Si çdo parti e madhe, e kundërta do të ishte çudi. Ne kemi diferencën e mendimeve. Ne kemi mendime të ndryshme si parti e hapur dhe bashkëkohore. Kjo është fare normale. Unë mendoj që kritikat bëhen që të përmirësohet puna e partisë demokratike dhe kryetari Basha duhet të jetë më i vëmendshëm në kritikat që i bëhen dhe të korigjojë qëndrimet e tij në mënyrë që të jemi fitues në zgjedhjet e ardhshme” – nënvizon Selami.

Eduard Selami thotë se sfidat e PD-së janë po ato sfida që kanë qytetarët shqiptarë duke mohuar se politika e opozitës ka qenë vetëm bojkoti. “Ne nuk kemi bërë vetëm bojkot. Unë dhe PD në tërësi jemi kundër bojkotit. Ne kemi dhënë alternativa, por ëhstë për të ardhur keq që qeveria aktuale dhe kryeministri Rama bashkë me zotin meta, duke përfituar nga numrat në parlament, e kanë përjashtuar kontributin që duhet të japë opozita”.

Ai thotë se mendon njëlloj si vite më parë kur kritikonte marrëveshjen Rama-Berisha për ndryshimin e Kodit Zgjedhor duke u dhënë mundësi kryetarëve të partive të kontrollonin listat e deputeteve. “Në këtë studio e kam kritikuar këtë marrëveshje atëherë, duke e parë nga Amerika. Shpresova që të më provonte gabim, por për fat të keq, koha më dha të drejtë. Unë mendoj që ky është një nga hapat më të mëdha prapa në demokracinë shqiptare dhe duhet të korigjohet. Kjo ka sjellë zvogëlimin e hapësirave demokratike brenda dy partive më të mëdha, madje ka sjellë edhe zhbërjen e strukturave dhe institucioneve brenda partive. Shqipëria është një republikë parlamentare dhe ka sjellë një situatë paradoksale, që gjithçka varet vetëm nga vullneti i kryetarëve të partive. Ky është një hap prapa” – thotë Eduard Selami.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.