Një shifër për ikjen e shqiptarëve dhe një kryeministër që gajas Samitin e Vjenës

Postuar në 27 Gusht, 2015 13:06

Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri tha para pak ditësh se shumica e shqiptarëve që kërkojnë azil në Gjermani janë emigrantë në Greqi apo Itali. Pra nuk ikën kush nga Shqipëria sa të bëhet problem. Një gënjeshtër e një ministri gënjeshtar që i bën jehonë gënjeshtrës së eprorit të vet. Dhe për këtë arsye, “lëre Zot, se aq ka në dorë”. Meqenëse qeveria shqiptare ka vendosur të mos përballet hapur me problemin, sjellim këtu një të dhënë që e publikon revista gjermane “Spiegel”, në një shkrim kushtuar emigracionit nga Ballkani. “Një vëzhgim i realizuar nga Fondacioni “Friedrich Ebert” konstatoi se afërsisht 2/3-at e të rinjve të moshës 14 – 29 vjeç duan të ikin nga Shqipëria, siç duan edhe më shumë se gjysma e të njëjtës grupmoshë në Kosovë dhe Maedoni. Ata kanë humbur besimin në demokracinë e tyre të re dhe ata ëndërrojnë një jetë më të mirë”, shkruan “Spiegel” duke iu referuar vëzhgimit. Ajo çfarë ka ndërmend të bëjë Gjermania është që në samitin e 9 shtatorit të klasifikojë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën si vende të sigurta të origjinës, që nënkupton “jo” automatike të kërkesës për azil. Gjermania po thotë hapur: shqiptarë, mos hajdeni në Gjermani. Sa për shpresën, atë duhet ta krijojë qeveria shqiptare, apo ajo kosovare përkatësisht.
Gënjeshtra për emigrantët që po bëkan namin në kërkesa për azil nuk ecën, pasi statistikën e hyrje – daljeve në kufi e ka edhe Gjermania, e cila mundet shumë mirë të verifikojë sa është lëvizja vjetore e emigrantëve shqiptarë nga Greqia apo Italia.
Ky problem do të duhej të trajtohej edhe në Samitin e Vjenës, por nga informacionet që vijnë prej aty, pala shqiptare nuk diskutoi për ndonjë çështje konkrete. Fjala e kryeministrit shqiptar është e publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, por aty nuk gjen ndonjë gjë përveç "arritjeve" që u thuhen edhe qytetarëve shqiptarë. Nuk dimë akoma se çfarë po prodhon ky samit, pasi edhe ideja e Korridorit të Kaltër, që mund të ishte diçka, thjesht mbetet dëshirë. Ironike ose jo, por kryelajmi i mediave ishte: “Ja batutat e Ramës në Samitin e Vjenës”. Duket se ky rol, i pëlqen shumë edhe z. Edi Rama, pasi aty edhe ndoshta konfirmon zhdërvjelltësinë koniciane të përshtatjes mirë në sallonet e botës së madhe. Por vetëm kaq ama.

PS: Fotot janë të "Spiegel"
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.