Një qeveri që i tregon gishtin popullit dhe jo vetes

Postuar në 27 Gusht, 2015 17:12
Albert Manasterliu

Gjatë njëzetë e katër viteve post-komuniste pritshmëritë e shqiptarëve ndaj një qeverie nuk kanë qenë kurrë kaq të mëdha sa ç'ishin për qeverinë e dalë nga 23 qershori 2013. Por, fatkeqësisht, bashkë me shpresën e madhe erdhi edhe zhgënjimi i madh.

Në dy vite qeverisje asnjë qeveri e mëparshme, e majtë apo e djathtë, nuk ka bërë propagandë kaq të egzagjeruar dhe intimiduese sa kjo e sotmja; nuk ka aktruar kaq e pudrosur dhe e parfumosur në shfaqet e saj të kushtueshme që pushtojnë televizionet çdo ditë; nuk ka krijuar kushte të pashpresa ekonomike duke nxitur me apo pa dëshirë largimin e 100 000 shqiptarëve nga atdheu i tyre. Mbi të gjitha, asnjë qeveri më parë nuk i ka treguar gishtin popullit dhe Evropës për situatën e rëndë dhe problemet që po kalon vendi.

Shqiptarët besuan tek Rama dhe pritshmëritë ndaj tij ishin për një të ardhme moderne dhe europiane, për një qeverisje sharmante, për një shpresë më të madhe për të rinjtë shqiptarë.

Askush nuk e priste që pas Sirisë së përgjakur nga lufta, Shqipëria do arrinte vendin e dytë të azil-kërkursve. Ishte e pamundur të mendohej që Kryeministri avant garde do shfaqej me orë të tëra në televizion duke bërë inaugurime qesharake, dhe ndonjëherë ofenduese për inteligjencën e shqiptarëve, dhe duke mbajtur fjalime të stërgjatura që përmbajnë vetëm retorikë elektorale dhe jo qeverisëse. Asnjë shqiptar nuk e priste uzurpimin e mediave shqiptare të cilat me hir apo pahir shfaqin portretin, emrin, fjalët, pikturat, citimet, statuset e facebook-ut të Kryeministrit në çdo moment të ditës, natës, festave dhe pushimeve, duke ia kakuar edhe vetë Saliut i cili konsiderohej i pazëvendesueshëm për daljet publike.  Askush nuk e imagjinoi që qeveria do i drejtonte gishtin shqiptarëve për paaftësinë e vet për të qeverisur. Sipas saj, që nga dita një e qeverisjes, shqiptarët e kanë fajin që s'janë të informuar për hapjen e 100 000 vendeve të reja të punës; shqiptarët nuk arrijnë të kuptojnë kompleksitetin e çmimit të lartë të naftës; profesorët dhe akademikët nuk arrijnë të kuptojnë risinë e ligjit të ri të arsimit të lartë; doktorët dhe infernierët nuk e njohin profesionin e tyre ndaj do testohen; fermerët po jetojnë ne epokën e artë të eksportit por nuk duan të punojnë tokën; ekonomistët nuk e perceptojnë dot suksesin e taksës progresive dhe nuk arrijnë të prekin rritjen ekonomike; dhe të gjithë shqiptarët nuk shohin, as dëgjojnë e lexojnë sepse azilkërkursit janë shqiptarë emigrantë grekë dhe jo qytetarë të cilët kanë shitur shtëpi e bagëti për t’u larguar përgjithmonë nga ky vend, i cili vetëm emri i ka mbetur si vendi i shqiponjave sepse vetëm korbat kanë mbetur për t’u ushqyer me kërmën e shpresave të vdekura.

Sikur të mos mjaftonte gishti i drejtuar shqiptarëve, një gisht tjetër i drejtohet edhe Evropës injorante dhe të pacivilizuar e cila polli Rilindjen e Artë por nuk arrin dot të shohë Rilindjen e Ramës. Evropa e keqe është fajtore për problemet shqiptare sepse sipas Ramës është ajo që nuk po i shklyen dyert e saj për të lejuar Rilindjen e Re të mbërrijë në gjirin e saj. Evropa plakë do vdesë pa Shqipërinë, insinuon Rama, dhe Gjermania hileqare po josh shqiptarët me truket e saj për azil, shprehet Tahiri. Ah, po, edhe SHBA-të e teprojnë me kakofoninë e tyre kur si kurrë më parë i bënë thirrje publike Rilindjes të tërhiqte nga kantidimi njerëz të inkriminuar, dhe apel të hapur shqiptarëve për të mos votuar njerëz të lidhur me krimin dhe trafikun narkotik dhe qenieve njerëzore. Shteti më demokratik në botë që bazohet mbi votën e lirë bën thirrje për bojkot të votës! Sa paskan ndryshuar Amerika dhe Evropa, janë bërë të mefshta për të kuptuar konceptin e shtetarëve shqiptarë.

Historia e politikës shqiptare ka qenë gjithmone e bazuar mbi frikën: mos votoni të majtën se rikthehet Enveri, mos votoni të djathtën se rikthehet Saliu. Tani që brezat po ndryshojnë dhe as Enverin dhe as Saliun nuk i kujton më njeri me mall, gishti i drejtohet Europës, SHBA, Greqisë, Gjermanisë, etj, duke i dhënë ide nga mendja jonë brilante se si të menaxhojnë krizat e emigrantëve apo duke i kërcënuar se po nuk na lejuan në Evropë vendin tonë do e gllabërojë terrorizmi.

Por fundja këto janë emra të mëdhej dhe zor se përtypen nga shqiptarët si diversion, ndaj le ta bëjmë problemin më të afërt dhe më të prekshëm. Le të tregojmë gishtin edhe nga Ilir Meta. Gjatë dy viteve, më të shënjestruarit për arrest kanë qenë të punesuarit e LSI. Per dy vite policia dhe njësia anti-korrupsion pranë kryeministrisë kanë qenë vigjilentë për të venë në pranga këndo që përfaqësonte LSI, për ti treguar ndërkombëtarëve se kam një patericë e cila s’më lë të eci perpara. Por kur sondazhet e brendshme, dhe më pas zgjedhjet vendore, i treguan Ramës se ishte ai paterica dhe jo Meta, pasi PS po tkurret dhe LSI po zgjerohet, gishti duhet të drejtohet në një drejtim: për nga populli.

Në dy vite, shumë shqiptarë e dijnë ndërsa të tjerë jo, por ju siguroj që të gjithë e ndiejnë, që qeveria Rama ka aplikuar terapinë e shokut. Që në ditët e para injektoi frikën me kërcënime, penalizime, përjashtime dhe burgosje. Duke e ushqyer me elektrodat e frikës, shpalli vitin zero në historinë e shtetit shqiptar, dhe nën konceptin reformë nisi axhendën e saj drejtë centralizimit dhe personalizimit të pushtetit. Përshembull, reforma e re territoriale u promovua si arritja më e madhe e kësaj qeverie por në fakt nuk i shërbeu as filtrimit në përzgjedhjen e kryebashkiakëve pasi disa kandiduan për të tretën herë, disa u vunë nën akuzat e rënda nga SHBA dhe OSBE si të inkriminuar, ndaj kjo reformë i shërbeu vetëm centralizimit dhe personalizimit të pushtetit vendor nga ana e qeverisë.

Sipas Kryeministrit bashkitë në vend nuk janë të afta të kenë polici bashkiake dhe as të mbledhin taksat! Atëhërë për çfarë janë të afta? Pikërisht! Për të bërë atë që i komandon kryeministri. Me reformën territoriale erdhi edhe vdekja e autonomisë së pushtetit vendor.

Gjithashtu, reforma e shumë pritur në drejtësi është një farsë që pa nisur. Kryeministri nuk kërkon ta reformojë drejtesinë por ta kontrollojë. Shteti bazohet mbi tre shtylla: legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori. Këto pushtete duhet të jenë të barabarta dhe të kontrollojnë dhe balancojnë njëra tjetrën por nëse dy të parat tashmë kontrollohen nga Kryeministri, përse duhet një gjyqësor i pavarur, për të çuar përpara drejtesisë korrupsionin në gjirin e qeverisë apo legjislatorët e parlamentit të lidhur me krimin? Mos harrojmë që është edhe një pushtet i katërt, media, e cila është totalisht e varur. Përvec kontrollit dhe përdorjes së gjyqësorit për shantazhe politike reforma në drejtësi nuk ka asnjë vlerë kundrejtë kontrollit të tre pushteteve të tjera.

Elektroshoku i qeverisë nisi sërish disa ditë më parë me paralajmërimin në shtator të luftës ndaj informalitetit. Shitësit ambulantë u frikësuan se do mbeten pa bukë, bizneset e vogla dhe të mëdha kafshuan buzët duke ditur se çfarë kokëçarje sjellin aksionet impulsive qeveritare. Çfarë do të thotë kjo? Përse qenkan vetë shqiptarët fajtorët e gjendjes së rënduar ekonomike? Qeveria nuk ka zgjedhur popullin por populli qeverinë, ndaj çdo titullar që del në foltore duhet të flasë me përulje dhe me zgjidhje konkrete dhe jo me fodullëk dhe arrogancë duke fajësuar dhe trembur shqiptarët. Kanë qenë bisneset ambulante, të vogla e të mëdha ato që kanë ushqyer shqiptaret ndër vite sepse po të ishte për qeveritë do ishim ne skajet e mjerimit.

Në njëzetë e katër vite politika shqiptare është e pandryshueshme. Shoqëria shqiptare ka emancipuar e vetme, pa orientim nga qeveritë por vetëm nga shtysa e brendshme dhe aspiratat perëndimore që ka patur prej dekadash. Asnjë qeveri nuk ka ditur të bëjë atë që shqiptarët i kanë kërkuar dhe kanë patur nevojë - të ngrejë një ekonomi të qendrueshme dhe hedhë themelet për një zhvillim të qendrueshëm. Kaq! Nën këtë ombrellë shqiptarët dinë ta menaxhojnë vetë jetën e tyre. Por jo, ja, edhe kjo qeveri nuk meret me ekonominë dhe zhvillimin por fut hundët tek çdo aspekt i jetës së shqiptarëve, fut duart në xhepat e shqiptarëve; fut ëndra dhe shifra sureale në mendjet e shqiptarëve, dhe shkelma në prapanicë për t’i detyruar të emigrojnë.

Me një protagonizëm të ekzagjeruar kryeministri dhe qeveria flasin pa pushim me gjuhë adoleshentësh për ëndrat e tij dhe të ministrave që drejton. Në çdo fjali ka “unë, ne, histori, reformë, rilindje,” etj, duke shpalosur një madhështi mesianike dhe aspak menaxheriale. Zoti Kryeministër, Shqipëria nuk është e juaja për të bërë ju histori, as laborator për të përmbushur ambicjet tuaja personale se çfarë doni të bëni në jetë. Ju jeni i Shqipërisë, ose më saktë, karrigia ku ju uleni është e shqiptarëve, pasi mbi të janë ulur dhe do vazhdojnë të ulen shumë e shumë kryeministra të tjerë. Të jesh Kryeministër nuk është një film ku personazhi kryesor jeni ju, por një kapitull i shkurtër në historinë mijëra vjeçare të këtij vendi i cili duhet shkruar me kujdes.

Ndaj, përpara se gishti i qeverisë të drejtohet për nga populli le të drejtohet për nga vetja. Elektrodat ndaj shqiptarëve t’i provojë vetë qeveria dhe të nisë e të vendosë prioritetet siç duhet. Kjo qeveri nuk mund të japë më shumë në dy vitet e ardhme se sa dha gjatë dy viteve të shkuara ndaj jo vetëm duhet të riformatohet por edhe të rishohë politikat e saj. Shqiptarët ju apelojnë të fokusoheni tek ekonomia dhe jo propaganda, tek zhvillimi dhe jo sharada mediatike, tek punësimi dhe jo hiperbolat e retorikës qeveritare.

Artistët në përgjithësi kanë një perceptim të gabuar mbi emancipimin e shoqërisë. Ata mendojnë se është arti dhe idetë e tyre ato që bëjnë revolucion apo sjellin rilindje, por në fakt harrojnë që çdo demonstrim i madhështisë së bukurisë dhe artit ka ardhur nga mirëqenia dhe begatia; për këtë arsye Rilindja e Artë lindi në oborret e begata të Firences dhe jo në Afrikë. Rilindja e qyteteve shqiptare dhe e mbarë vendit do ndodhë vetëm atëherë kur ekonomia të rritet dhe begatia të trokasë në dyert e shqiptarëve, në të kundërt çdo monument i sforcuar i madhështisë së qeverisë duket i shëmtuar. Ndaj “The economy, stupid” votuan amerikanët mbi njëzetë vite më parë, “Është ekonomia, zoti kryeministër” thërrasin shqiptarët sot.   

 

Pedagog i Shk.Politike, Universiteti “A.Moisiu” Durrës

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.