Kisha Ortodokse: Akte që nxisin konfliktet mes besimeve. Kisha Katolike: Respekti ndaj varreve të çdo personi, i patjetërsueshëm

Postuar në 26 Gusht, 2015 14:46

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka përcjellë pak minuta më parë një deklaratë zyrtare për prishjen e kishës së Shën Thanasit në Dhërmi. KOASH e cilëson aktin të paligjshëm dhe që bie ndesh me të drejtën e besimit, përveç mënyrës së pabesë të kryerjes së tij.. “Sot, 26 gusht 2015, në orën 4 të mëngjesit, pa zbardhur dita, në mënyrë të fshehtë e tinëzare, për t’iu shmangur ballafaqimit me banorët e Dhërmiut, në Himarë, u shkatërrua nga forca të inspektoratit ndërtimor të ardhura nga zona të tjera të vendit, kisha orthodhokse e Shën Athanasit. Ishin dëshpëruese dhe fyese që në ditët tona të shihje se shkatërrimi varrosi nën gërmadha Ungjillin e shenjtë, ikonat dhe objekte të shenjta, pamje që të kujtonin përdhosjen në Kishën e Shën Marisë në Përmet, ku ato u hodhën në kamionin e plehrave. Ky veprim është në shkelje flagrante të Ligjit nr. 10057, 22.01.2009, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, Neni 21/1,2: “Ndërtesat dhe objektet që shërbejnë për kryerjen e ceremonive fetare konsiderohen të shenjta nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Ndërhyrja u bë pa as një njoftim zyrtar ose informal si dhe u shpërfillën klerikët tanë, përfaqësuesit arkieratik Protopresviter Atë Pandeli Mitru, Atë Efthim Bixhili, Atë Athanas Qerimi, të cilët kërkuan shpjegime për një ndërhyrje të tillë nga organet vendore”, thuhet ndër të tjera në deklaratë. Nga ana tjetër KOASH nënvizon se qëllimi i prishjes së kishës është ndërtimi i një objekti tjetër për një besim tjetër. “Kjo ngjarje është një shkelje e së drejtës universale të besimit dhe laicitetit të shpallur në Kushtetutë të shtetit, i cili merr përsipër në mënyrë të njëanshme prishjen e një objekti kulti ortodoks dhe në vend të tij të ngrejë një tjetër, duke marrë iniciativa dhe angazhime që nuk i takojnë dhe përbëjnë ndërhyrje në çështjet e brendshme fetare. Veprime të tilla të papërgjegjshme dhe aventureske vënë në rrezik harmoninë fetare në vend, duke krijuar konflikte midis besimeve dhe komuniteteve fetare”, vijon deklarata. Me sa duket do të ngrihet një objekt apo përmendore për misionarin Katalano, për të cilin sot dërgoi mesazhe edhe Kisha Katolike. Në një deklaratë të vetën, përcjellë në Neës 24, Kisha Katolike e mbyll atë me këtë paragraf: “Në lidhje me respektin e varreve të çdo personi, qoftë ai meshtar apo laik, i krishterë ose jo, Kisha Katolike pohon se ai duhet të jetë i patjetërsueshëm. Ky respekt buron jo vetëm nga ligjet, por sidomos nga feja, tradita dhe kultura njerëzore”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.