Z. Veliaj, jemi më shumë se “lypësa faqezinj”

Postuar në 24 Gusht, 2015 19:47
Ilir Sinanaj

Ndërsa po shikoja faqen e rrjetit social “Facebook” të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të parë arritjet më të fundit të këtij institucioni, papritmas më tronditi një nga fotoalbumet që pashë. Bëhet fjalë për një sërë fotografish ky Veliaj shihet duke lyer muret e një çerdheje apo kopshti i shoqëruar me fëmijë. Deri këtu mirë, por ishte emërtimi i fotoalbumit që ishte një skandal i vërtetë dhe një fyerje për të gjithë ata shqiptarë të ndershëm që punojnë e përballen me guxim me vështirësitë që po kalon shoqëria jonë: “Lypja e ka faqen e zezë, po nuk të lë pa gjë” (dhe për më tepër shton edhe një kllapë e dy pika, që simbolizojnë shenjën e të qeshurit). Si ka mundësi të shkojë tallja deri këtu? Mos vallë morali që po na jep kryebashkiaku i ri është të shtrijmë dorën dhe të lypim? Ta hamë turpin me bukë dhe t’u nënshtrohemi të gjitha padrejtësive që kalojmë? Jo zotëri! Në Shqipëri nuk ka lypsa faqezinj ndër të rinj dhe të reja që rropaten dita-ditës me ndershmëri dhe integritet për të ndërtuar jetën e tyre. Këto 25 vitet e fundit është ngritur në piedestal kulti i pandershmërisë, dembelizmit dhe mungesës së integritetit. Dhe arsyeja e vetme që ky vend vazhdon të ekzistojë, nuk janë politikat zhvillimore të qeverive, por puna dhe vullneti i njerëzve të mirë, që nuk janë përulur të lypin, por kanë punuar për të prodhuar me qëllim krijimin e një mirëqënie të qendrueshme. Nuk di çfarë të them, por ndryshimi që kishim shpresuar për bashkinë e Tiranës, nuk e besoja se do të vinte duke lypur, sipas mesazhit në “Facebook” të kryebashkiakut Veliaj. Pa zhbllokuar fuqitë prodhuese nga lypje kundrejt pushtetarëve nuk do te ketë kurre mirëqënie ekonomike në Shqipëri. Më vjen keq, që një i ri i arsimuar në perëndim si Erion Veliaj, e konsideron potencialin prodhues te shqiptarëve ndër të tjera edhe në formën e lypjes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.