"Bukë, arsim, liri – Jashtë nuk kuptohet, por Athina e ka parë disa herë Luftën Civile”

Postuar në 25 Gusht, 2015 17:27

Kriza greke ka tanimë vetëm një pasuri: mbitrajtimim e saj në media, në analiza, shkrime e diskutim institucionesh. Ajo është kryelajm prej shumë kohësh. Por shkrimtari grek Petros Markaris e sheh atë nga një optikë tjetër, gërrmon pak më thellë, për ta parë sëmundjen te vetë greku i sotshëm, të cilit “i mungon kultura” e grekut të djeshëm. Është ajo Greqi, që sipas Markarisit, folën poetë të tillë si Kavafis, Seferis apo Elitis. Në një intervistë për “Avvenire”, Markaris, që është diplomuar për ekonomi, flet për atë që po ndodh dhe shton se grekët duhet të kujtojnë atë që ndodhi në kohën e kolonelëve. “Bukë, arsim dhe liri” thërrisnin njerëzit asokohe. “Ky është defekti. Në vendim tim mungon kultura”, thotë Markaris. Më poshtë një pjesë nga intervista:

Edhe dorëheqja e Tsipras ishte e parashikueshme? Po mbështetja e gjermanit Schäuble për shpëtimin e Greqisë?

Jo, si romancier duhet të pranoj se ka patur dy të papritura, secila që mund të shpjegohet. Në cilësinë e tij si ministër Financash i vendit më të pasur europian, Wolfgang Schäuble, bëri gjithçka për të imponuar një mbrojtje deri në ekstrem për të ashtuquajturën Eurozona, por në fund u bë e qartë se mbizotërimi i kësaj strategjie do të çonte në disintegrimin e Unionit. Edhe këtë e kisha parashikuar në një roman, e dini? Në librin “Shlyerja e Llogarive”(Resa dei conti), i vitit 2012, imagjinoja ëë Greqia, bashkë me Spanjën dhe Italinë, të hiqnin dorë nga euro. Ktheheshim te monedhat e vjetra kombëtare, në Athinë qarkullonin vetëm dhrahmitë.

Nuk ishte ky plani i kryeministrit Tsipras?

Objektivi i tij ka qenë vetëm ai i forcimit të vetes, për të marrë më shumë pushtet në vend dhe më shumë prestigj në nivel ndërkombëtar. Kësaj duhet t’i shërbente i famshmi referendum, që nuk vonoi të zbulonte kotësinë e tij. Tani, pasi është mundur në tavolinën e madhe, Alexis Tsipras, pretendon të zgjidhë problemet e brendshme të partisë së tij, Syriza, duke shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme. Akoma nuk arrin të kuptojë që grekët nuk munden më. Kemi një vend që po rrënohet dhe politikanët këmbëngulin me truket e vogla monstruoze dhe me humbjen absurde të kohës.

Për çfarë ka nevojë tani Greqia?

Më vjen ndërmend slogani që të rinjtë rebelues thërrisnin kundër diktaturës në vitet ’60. “Bukë, arsim, liri” – këtë kërkonin. Përshtypja ime është që në këtë moment, ajo që vërtet çalon në vendin tim është shkolla, pra kultura. Greqia e gjysmë shekulli më parë ishte akoma më e varfër se kjo e sotmja, por si mesatare, arsimimi ishte shumë i lartë sesa sot. E dini çfarë më impresionon? Më impresionon ajo që shumë prej bashkëqytetarëve të mij, akoma kanë iluzionin për t’u kthyer në jetën e ëmbël të viteve ’90, kur dukej se edhe në Greqi, paraja rridhte lumë. Por shkatërrimi që po përjetojmë nisi pikërisht atëherë, kur na u desh të bindnim veten se heqja dorë nga kultura në këmbim të një pasurimi të lehtë, do të ishte punë me leverdi për të gjithë.

Greqia megjithatë ka qenë djepi i kulturës europiane...

Po, dhe Thomas Edisson ka shpikur llambën. Po sa vetë e kujtojnë emrin e tij në momentin që lundrojnë në internet? Nuk dua të them që e kaluara, sidomos nëse ka qenë e lavdishme, nuk është e rëndësishme, por ajo nuk mund të kthehet në një alibi për të shmangur përballjen e problemeve të së tashmes. Kush na qeveris sot nuk mund ta hedhë thjesht duke cituar Perikliun sa herë ka mundësi, se kështu nuk ka për t’u zgjidhur ndonjëherë ndonjë gjë. Dhe e përsëris: grekët janë të dëshpëruar. Ndoshta jashtë nuk është e qartë, por në Athina e ka parë disa herë luftën civile.

D.m.th intelektualët nuk shërbejnë për asnjë lloj ndihme?

Përkundrazi, ata janë të nevojshëm për të kuptuar kontradiktat që qëndrojnë në zemër të përvojës moderne greke. Nga njëra anë qëndron krenaria legjitime e të qenit trashëgimtarë të një tradite mijëvjeçare, që është pikërisht tradita mbi të cilën themelohet Europa. Nga ana tjetër qëndron vetëdija e të gjendurit në pozitë minorance brenda vetë Europës, me të gjitha kufizimet apo edhe poshtërimet që kjo sjell. Nëse lexohet me vëmendje poezia greke e ‘900-ës, nuk mund të mos vihet re sesi kjo mosmarrëveshje ka qenë temë qendrore e autorëve si Kavafis, Seferis dhe Elitis. Ishin ata të parët që interpretuan sëmundjen tonë, duke treguar atë që Greqia po bëhej.

http://www.avvenire.it/Cultura/Pagine/MARKARIS-.aspx

• Titulli është i redaksisë

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.