Erdhi Bashkia! Përgatituni për dimër të ashpër në rrugën “Grigor Heba”

Postuar në 22 Gusht, 2015 19:18
Ilir Sinanaj

Rreth 500 metra larg zonës më luksoze të Tiranës, ish-Blloku, ndodhet rruga “Grigor Heba”. Së pari duhet sqaruar fakti se, shumë pak qytetarë të rinj e dinë, Grigor Heba është një nga Dëshmorët e Kombit, i cili flijoi jetën për një të ardhme më të mirë për vendin tonë. Për sakrificën e tij, mendoj se kësaj rruge i është vënë emri “Grigor Heba”; pra për ta nderuar atë. Ndërkaq kjo zonë, është edhe një nga zonat më të populluarat të kryeqytetit. Por ajo që ka qenë karakteristike e rrugës “Grigor Heba” këto 25 vitete e fundit është fakti se të majtë e të djathtë, që kanë drejtuar bashkinë e Tiranës, kanë pasur një “marrëveshje të heshtur” për ta mbajtuar këtë rrugë në gjendje të mjerueshme. Problemet që banorët e kësaj zone kanë, përfshijnë përmbytje të rrugëve, probleme me kanalizimet të cilat janë të bllokuara si edhe katet e para vuajnë nga lagështia. Këto probleme theksohen së tepërmi gjatë dimrit dhe periudhës së shirave. Me ardhjen e Erion Veliajt në krye të bashkisë së Tiranës, me shumë bujë të madhe mediatike, karakteristikë e kryebashkiakut të ri, u ndërhy në rrugën “Grigor Heba” dhe bllokun përrreth me qëllim “lirimin e hapësirave publike”. Për këtë jam shumë dakord dhe shpresoj se kryebashkiku Veliaj do t’i vazhdojë aksione të tilla në mbarë Tiranën dhe me një intensitet në rritje. Por...

Rreth kryabashkiakut riosh Veliaj
Dy karakteristika të Erion Veliaj, të cilat janë për t’u vlerësuar, është durimi dhe përkushtimi i tij për të ecur përpara. Dhe këtë gjë e dëshmon rrugëtimi i tij politik. Gjithashtu ai është një riosh energjik, i cili përpiqet të jetë sa më shumë i pranishëm si në punën e terrenit ashtu edhe në media. Me sa u tha më lartë, mund të arrijmë në përfundimin se Veliaj e ka kapacitetin për të administruar bashkinë më të madhe të Shqipërisë, ku jeton 1/3 e popullsisë tonë. Por ndërkaq, mënyra e mediatizimit nga ana e tij, lë pak për të dëshiruar nga mënyra se si e ka nisur punën kryebashkiaku. Për rregullimin më të vogël të guralecave në bulevard apo prishjen e një copë çimentoje në hapësire publike, kemi dalje në media të Erion Veliajt, të pasuar nga ushtria e zyrtarëve të tij. Tani kjo nuk është keq, por duke parë punën kolosale që ka për t’u bërë në Tiranë, fryrja mediatike që u jepet gjërave më të vogla me anë të medias, lë një shije nastradineske të qenësisë së Erion Veliajt në krye të bashkisë së Tiranës. Pak kohë më parë Veliaj deklaroi në rrjetin social “Facebook” se “Roma nuk u ndërtua për një ditë”, duke aluduar kështu për punë e vazhdueshme që do të kryhet në Tiranë, për të përmirësuar nivelin e jetesës. Jam dakord, por kjo shprehje i referohet më shumë lulëzimit dhe konsolidimit të qytetërimit romak. Nëse do t’i përbahemi burimeve historike, në kulmin e saj urbanistik gjatë periudhës kur Republika ishte drejt rënies, Roma ishte një qytet i mbipopulluar, ku shembjet dhe zjarret nëpër banesa ishin një kërcënim i shpeshtë dhe qyteti kutërbonte erë për mungesë të kanalizimeve, që duheshin bërë për nevojat e popullsisë gjithmonë në rritje. Për më tepër, më shumë se gjysma e popullsisë në Romë ishin skllevër – jo qytetarë të lirë romak – pra mirëqenie e tyre nuk ishte e rëndësishme. Nga ana tjetër, Tirana gjithashtu është në kulmin e saj urbanistik. Më shumë ndërtime të tjera dhe rrënohet...
Pra kryebashkiaku Veliaj, nëse vërtet do që të lërë një gjurmë pozitive në Tiranë, këtë 100 ditësh të parë nuk duhet të përqëndrohet në dalje dhe propagandë mediatike, të denja të shkollës së mendimit të një udhëheqësi totalitar oriental (në mendimin tim). Ai duhet të ulë të gjithë “lukuninë” e zyrtarëve bashkiakë dhe t’i “shtrydhë” në punë (pasi mbahen me fonde publike) dhe të hartojë një “masterplan” ndërhyrje të njëkohshme në të gjitha zonat problematike. Më tej ky masterplan (1-vjetor) të bëhet publik, dhe çdo javë të bëhet bilanci nga media dhe qytetarët se sa është plotësuar.
Por nëse do të ketë ndërhyrje sporadike, si në rastin e rrugës “Grigor Heba”, sa për të kënaqur “epshin mediatik” për të dhënë përshtypjen se po punohet, do të ketë probleme.
Dimri i madh i rrugës “Grigor Heba”
Rruga “Grigor Heba” si edhe rrugë të tjera përreth kësaj rruge, gjatë ndërhyrjes së bashkisë së Tiranës, u çliruan nga zaptime të ndryshme, që përfshinin gardhe, disa shkurre dhe shtresa çimentoje. Ndërkaq; këto rrugë u lanë të “shqepura”. Një nga problemet e rrugës “Grigor Heba” janë mungesa e kanalizimeve efikase, që bëjnë që kjo zonë të ketë përmbytje. Banorët e zonës e kishin zgjidhur këtë problem, pasi as të majtë e as të djathtë në krye të bashkisë së Tiranës nuk ua kishin varur, nëpërmjet ndërhyrjeve të vogla prej çimentoje apo edhe ndonjë gardh. Sigurisht ligji duhet të zbatohet dhe çdo gjë e paligjshme duhet zhbërë. Por bashkia e Tiranës përgjigjet edhe për rregullimin e rrugëve. Kur do të rregullohen këto rrugë? Aktualisht është vënë një tabelë në zonën e rrugës “Grigor Heba”, ku shpjegohet projekti i rikualifikimit urban të bllokut ku ndodhet kjo rrugë. Fatkeqësisht projekti zgjat 8 muaj. Për rrjedhojë banorët e kësaj zone do të kalojnë një dimër ku problemet e vieteve të kaluara do të shumëfishohen. Kjo për shkak të rrugëve “të shqepura” që do të qëndrojnë kështu me muaj. Parashikimet e motit nga Veliaj gjatë periudhës së dimrit për banorët e zonës së rrugës “Grigor Heba” nuk do të jenë lajme të mira, nëse kryetari i Bashkisë do të bëjë edhe meteorologun faqen e tij të rrjetit social “Facebook”.
Prandaj kryebashkiaku Veliaj duhet të ndërhyjë në zonat problematike me plan konkret dhe me strategji afatgjata. Nuk “shqepet” zona e rrugës “Grigor Heba”, pak muaj para se të vijë dimri dhe projektohet kualifikimi urban gjatë periudhës së shirave, për arsye për sa u tha më lartë. Ajo që duhet të bëjë Veliaj për të korrigjuar këtë “gabim” është të mobilizojë “Tiranën e turnit të 3-të” dhe të mbyllë punimet në bllokun ku ndodhet rruga “Grigor Heba” para dhjetorit. A mund ta bëjë ai këtë? Një shprehje angleze thotë: “Ku ka vullnet ka edhe mënyrë zgjdhjeje”...

*Fotografitë e shkrepura më 21/08/2015 rreth në javë pas ndërhyrjes së bashkisë (blloku ku ndodhet rruga “Grigor Heba”)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.