Ide të vjetra mbi të rinjtë

Postuar në 22 Gusht, 2015 12:18
Rudolf Marku

Në Artin e Retorikës Aristoteli na shfaq edhe njëherë aftësinë e jashtëzakonshme që ka për të na bindur ne, lexuesit, që të biem dakord me idenë që parashtron. Një ide të cilën Aristoteli duket se e ka të preferuar është edhe diskursi mbi karakterin e të riut, karakterin e njeriut në moshë të re, në kundërvënie me fazat e tjera të jetës njerëzore.

Ndoshta është me interes parashtrimi i pikëpamjeve të filozofit grek për lexuesin tonë, të cilit i është ofruar mendimi se mosha e re është një lloj virtyti i lindur, se të rinjtë duhet të jenë në krye të qeverisjes së vendit, se mosha e re është dhe kërkesa e parë që pushtetari i ardhshëm duhet të plotësojë në listën e kërkesave që të mund të jetë pushtetar a udhëheqës.

Që nga viti 1944, kur Enver Hoxha dhe banda e tij erdhën në pushtet, dhe deri te qeveritarët dhe politikanët e sotëm, në Shqipëri duket se është një mëkat i pafalshëm që të jesh në moshë të thyer, a, thënë ndryshe, të mos jesh i ri në moshë. Shohim përditë udhëheqës, politikanë, ministra, bashkiakë, kryetarë që janë ilustrues të bindjes se mosha e re sjell energji, sjell ide të reja…

Në fakt, Aristoteli do të ishte i një mendimi krejt të kundërt.

Në përgjithësi, na thotë Aristoteli, të rinjtë janë impulsivë, optimistë dhe të tërhequr natyrshëm drejt kënaqësive. Përsa i përket dëshirave trupore, të rinjtë janë të prirur më shumë nga të tjerët drejt seksit, aq sa të jenë dhe të pafuqishëm që ta ndalojnë joshjen ndaj seksit dhe epshin që sjell ai. Por duke qenë se të rinjtë në moshë janë të parezistueshëm ndaj dëshirave, por jo të vendosur, epshi i tyre ngopet shpejt. Janë impulsivë, kokëshkretë dhe të gatshëm që të fillojnë veprimin para thirrjes së arsyes. Ngase gjëja më e rëndësishme dhe më e lakmueshme për ta është që të admirohen, nuk presin kohën e duhur dhe çdo vonesë u duket humbje kohe. Zemërohen dhe tërbohen nga mendimi se dikush mund t’i konsiderojë se janë gabim…

Aristoteli na kujton se këto cilësi në vetvete nuk janë as të mira e as të këqija, duke qenë se janë pjesë e natyrës njerëzore. Puna është se cilësi të tilla duhet të dish se ku t’i vendosësh. Le të marrim joshjen për t’u admiruar. Apo zemërimin dhe impulsivitetin. Po qe se veti të tilla do të bashkoheshin me pushtetin e politikanit a me udhëheqësin, do të ktheheshin në një fatkeqësi dëmsjellëse dhe shkatërrimtare për të tjerët.

Ç’është e vërteta, na thotë filozofi grek, të rinjtë nuk janë dhe aq të interesuar për para, sepse, duke qenë të mbështetur nga prindërit, kurrë nuk e kanë ndjerë nevojën e parasë. Janë më pak cinikë nga moshat e mëvonshme, sepse nuk kanë kaluar ende nëpër aso lloj zhgënjimesh dhe ligësish që e kthejnë njeriun në cinik, dhe përgjithësisht janë naivë sepse ende nuk kanë kaluar nëpër përvojën e gënjeshtrave dhe të batakçillëqeve.

Për më tepër janë optimistë, sepse nuk kanë pasur kohë që t’i njohin dështimet. Por, dhe këto cilësi që duken pozitive, për Aristotelin janë të dëmshme kur transplantohen në politikë dhe udhëheqësi. Sepse optimizmi i pathemel dhe naiviteti janë cilësi të çmueshme në rrethin e lagjes ku jeton a në mejhanen e lagjes, por të dëmshme kur ballafaqohesh me kundërshtarët e tu të thekur me përvojën e jetës.

Përgjithësisht, na siguron Aristoteli, të rinjtë jetojnë me shpresë, “ngaqë shpresa është për të ardhmen, por jo për ata që kanë kujtesën e asaj që ka kaluar…Dhe ata që shpresojnë shpejt, janë të parët që mund të gënjehen shpejt. Shpresa i bën që të jenë konfidentë dhe guximtarë, sepse duke qenë pasionantë, nuk kanë frikë. Por, dhe aq sa të mos kenë frikë se mos gënjehen. Duke qenë se mendojnë se i dinë të gjitha, janë kokëfortë. Dhe, përgjithësisht i mendojnë të gjithë njerëzit si vetvetja, duke qenë se nuk kanë pasur mundësi të njohin shumë njerëz”.

Kulti i moshës së re te politikanët tanë, në fakt ka të bëjë dhe aq me atë që Aristoteli e quan “karrierizëm i parealizuar”- një term që duket tepër modern për Greqinë e Lashtë. Duke qenë se është i parealizuar, i riu ka ngutjen që të jetë dikushi. Në çastin kur ai rekrutohet nga një udhëheqës, ai nuhat mundësinë e karrierës, mundësinë që të jetë në pushtet, mundësinë e realizimit të vetvetes.

Ai është kandidati ideal për udhëheqësin, sepse do të jetë ushtari (a ministri) më i bindur, më i verbëri dhe më i nënshtruari nga të gjithë. Preferenca e udhëheqësit për të rinjtë në moshë, në fakt nuk ka të bëjë me pedofilinë a me homoseksualitetin, na siguron Aristoteli, sesa me dëshirën që të ketë njerëz që i binden lehtësisht atij vetë, duke i dhënë iluzionin se është udhëheqës i madh.

Leximi i Artit të Retorikës na kujton edhe njëherë konvencialitetin e kohës, jo të asaj kohe që mbartet me dhjetëvjeçarët që ndan brezat njerëzorë, por me mijëvjeçarët që na ndajnë me kohën kur jetonte Aristoteli.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.