Shtetet kombëtare europiane nën presion

Postuar në 21 Gusht, 2015 10:07
Kersten Knipp

Kush do t'i bëjë të interesohen për njëri-tjetrin njerëz që nuk njihen dhe nuk kanë të bëjnë asgjë fare me njëri-tjetrin, duhet të mendojë diçka. Sepse shumica e njerëzve duan të jetojnë në grupe të qarta si familja, fshati, provinca. Çdo gjë që shkon përtej këtyre është për ta mjaft larg. Këtë gjë e mësuan ata politikanë gjermanë që donin të bashkonin në gjysmën e dytë të shekullit XIX principatat gjermane në një shtet të përbashkët. Shumica e bashkatdhetarëve të tyre, konstatuan se e kishin shumë të vështirë idenë e një Gjermanie të bashkuar.
Por bashkimi qe i dëshiruar dhe prandaj edhe poetët thurën vargje për t'i transmetuar popullit idenë e njësisë dhe të bashkimit. August Heinrich Hoffmann von Fallersleben shkroi p.sh. në vitin 1841 "Këngën e gjermanëve" strofa e tretë e së cilës është edhe sot teksti i himnit kombëtar gjerman.
Tradita të shpikura
Historianët modernë i quajnë këto samelsuriume poezish, këngësh e tregimesh si "invented traditions" "tradita të shpikura". Pra tradita që ndryshe nga ç'besohet nuk kanë rrnjë të thella në kohë, por janë krijimet të pasta artistike - të përpiluara për t'i ngulitur shtetet e rinj kombëtarë në zemrat e njerëzve. Projekti doli me sukses: njerëzit papritur e konsideronin veten francezë, italianë, polakë, rumunë apo gjermanë. Prej më shumë se 150 vjetësh ata këndojnë këngët e tyre, dhe tundin flamujt e tyre. Dhe prej disa dekadash ata bëjnë tifozllëk për ekipet e tyre kombëtare në kampionatet e futbollit.
Prej vitesh evropianët kanë zhvilluar kështu edhe lidhje emocionale me shtetet e tyre kombëtare përkatëse. Elitat evropiane mund të jenë krijuar prej kohësh në botën e globalizuar. Por të gjithë të tjerët ende e përcaktojnë veten e tyre në radhë të parë përmes vendit të tyre. Vetëm pas kësaj vjen Evropa, dhe pastaj bota.

Tradita të ndryshme
Por ato që jemi duke përjetuar, po i sfidojnë këto zakone në një mënyrë të paparë. Kosi, Ceuta, Lampedusa: Çdo ditë shohim rryma migrantësh që do t'i ndryshojnë me themel shtetet komb evropiane - dhe në këtë mënyrë edhe rrethanat në të cilat brezat e evropianëve kanë lëvizur dhe vazhdojnë të lëvizin në mënyrë mjaft të natyrshme.
Sigurisht që migrim ka pasur gjithmonë. Migracioni është një karakteristikë e shoqërive të zhvilluara. Por deri tani ai ka pasur përmasa shumë më të vogla. Një përjashtim ishin lëvizjet migratore pas Luftës së Dytë Botërore. Por ato ndodhën brenda Evropës, pra në një hapësirë kulturore pak a shumë homogjene.
Por tani po vijnë njerëz në numër shumë më të madh dhe nga të gjitha anët e botës. Ata sjellin me vete përvoja, kultura apo besime ndonjëherë shumë të ndryshme me vete. Dhe përvojat e deritanishme - për shembull, diskutimet mbi mbajtjen e shamive, edukimin fizik në grupe të përziera meshkuj-femra, etj. - kanë treguar se ato nuk mund të bashkohen pa problem me traditat evropiane.

Shqetësim, jo racizëm
Pra nuk kemi pse të habitemi për frikën, shqetësimet dhe pjesërisht edhe pakënaqësi që ndjejnë shumë evropianë, duke pasur parasysh valët e tanishme të refugjatëve. Por nga një gjë duhet të ruhemi, që të mos i damkosim ato si ksenofobi apo racizëm. Sigurisht ka edhe ksenofobi dhe racizëm. Por jo çdo hezitim, çdo qëndrim mbrojtës duhet të jetë shenjë e një natyre të zymtë.
Sepse një ndryshim i rrethanave të njohura si ato që sjell me vete tani migrimi masiv në Evropë, nuk është gjë e vogël as për emigrantët as për shoqëritë pritëse.

Mundësitë për ndryshim
Sidomos fenomeni i "traditave të shpikura" tregon se bashkëjetesa e ardhshme është mjaft e mundshme. Të nevojshëm do të jenë sërish poetë dhe artistë që t'u përcjellin shoqërive multikulturore që po lindin tani një vetëdije të re, një lloj miti themelimi, që do të jetë mjaft i fortë për ngjizur së bashku përvojat e ndryshme.
Përvoja e shekullit XIX ka treguar se shoqëritë janë struktura shumë fleksibël që mund të marrin forma shumë të ndryshme. Vetëm se kjo nuk ndodh brenda natës. Dhe kjo nuk mund të ndodhë në dimensione të pakufizuara. Pra paravarësisht se sa e shëmtuar është: numri i imigrantëve duhet kufizuar. Të kërkosh një gjë të tillë nuk do të thotë të predikosh racizmin, por të flasësh për transformimin e rregullt të Evropës dhe të shteteve të saj kombëtare.
"DW"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.