"Vëllezër, mos u përçani”. Shqipëria aty është(video)

Postuar në 19 Gusht, 2015 13:13

Vera e sivjetme ishte e mbushur me “lajme” politike nga mazhoranca. Ndonëse fituan bindshëm më 21 qershor, dy partitë aleate, PS dhe LSI, e ngopën opinionin me thashetheme të orientuara nga më të ndryshmet; marrëdhënie të ftohta, as të ftohta, as të ngrohta, ftesa të munguara në Jal, arsye të humbjes në bastione, nevoja për t’u parë në sy etj.. Kanë folur liderët njëherë, të shfaqur ekraneve me përzhitjen nga dielli i pushimeve, pastaj folën edhe ata që vijnë pas. Halli i madh thuhet se është uniteti, bashkëpunimi, analiza politike, organizimi dhe sidomos, simptoma e 24 vjetëve pluralizëm brenda së majtës, njohur ndryshe si zëri i bazës. Ka një kurajo prej arroganti te kjo shfaqje e bezdisshme. P.sh lojën e thashethemit irritues ia ngarkuan ta hapte Artan Shkëmbit, ish-kryetar i Bashkisë së Pogradecit. Ky tha se humbja e të majtës në këtë qytet i dedikohet kandidatit të keq dhe jo organizimit. Përveç replikës së lësëistes, Mile, duhet pyetur sesi mundet që të fyhet deri në këtë farë feje opinioni, kur i ngarkohet Artan Shkëmbit të flasë për votimet në Pogradec? Ky është një ish-kryetar bashkie që la detyrën në mes, padyshim me urdhër të Edi Ramës, për të dhënë shembullin edhe për kryetarë të tjerë bashkish. Më tej, sot foli Arben Ndoka, i cili tha se humbja në Lezhë, erdhi si pasojë e arrogancës së drejtorëve të LSI-së, që “shpërfillën socialistët”. Kjo është një legjendë që e thuri PD-ja, e cila humbjen e kërkoi te korrupsioni i partisë së Ilir Metës, duke “harruar” sa mirë ishte kur u bënë bashkë. Le ta marrim këtë “argument” dhe ta sjellim në Tiranë. Pas zgjedhjeve u fol se Erjon Veliaj, kishte marrë rreth 40 mijë vota më pak se koalicioni. Pati zëra asokohe që ia faturonin këtë diferencë sabotimit të LSI-së. Mirëpo në një shkrim të botuar së fundmi, mediat vunë re se të dhënat sugjeronin një rënie të ndjeshme të vota e të PS-së në Tiranë dhe rritje të votave të LSI-së. Ky shembull provon sado përciptaz se ajo që po shërbehet sot si analizë kuturu e humbjes së disa bastioneve, është në fakt një negociim publik i pushtetit mes dy partive. E gjithë kjo zagushi politike që zë fill që në KPD-në e vitit 2001, me deputetë dhe anëtarë kryesie që janë edhe ato “burimet e famshme” të lajmeve të tilla, që i ka zët ndonjë politikan me horizonte të largëta, nuk ka lidhje fare me problemet që kalon vendi. Baza, militantët, bastionet, drejtorë, administratë, të gjitha fjalëkyçe të pushtetit, por që pak lidhen me çfarë po bëhet. Askush nuk flet për ekonominë, rishikimin me ulje të buxhetit, rënien e të ardhurave, pushimet luksoze të politikejve që drejtojnë shtetin. Për varfërinë dhe çmimet, për ikjen e njerëzve. Jo. Partitë qeverisin veten e tyre. Pyetje të tilla, kush ka, t’ia drejtojë kryeministrit në rrjetet sociale. Se edhe përgjigjet nuk mungojnë, qoftë edhe përmes heshtjes. Ose përmes frazave si “po angazhojmë ekspertizë ndërkombëtare”. E papëlqyeshme ose jo, kjo është Shqipëria e një reagimi të vetëm, atij që na ka mbërthyer për fyti. Një reagim i shprehur dikur në një takim në Berat, gjatë tallavasë Nano-Meta: “Vëllezër mos u përçani”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.