Shënim: Dy standarde mbi pronën

Postuar në 19 Gusht, 2015 16:09

Bashkia e Tiranës, thuajse ditë për ditë njofton për aksionin e lirimit të hapësirave publike. Për heqjen e karrigeve apo tavolinave nga rrugët e qytetit, duke theksuar madje marrjen e masave ndëshkuese. “Në ditën e pestë të aksionit për lirimin e hapësirave në Njësinë nr. 5, Bashkia e Tiranës po bën rehabilitimin e tyre. Pas lirimit të hapësirave ka nisur projekti për rikualifikimin e këtij blloku urban, për të shënuar fillimin e punimeve në këtë zonë dhe për rehabilitimin e ambienteve. Këto masa do të jenë tejet të ashpra. Në këtë mënyrë do të mundohemi ta çlirojmë qytetin nga të gjitha veprimet abuzive, për ta bërë sa më të banueshëm e të jetueshëm për të gjithë ne”, tha nënkryetari i Bashkisë Isuf Shehu. Masat e marra nuk kanë asgjë të keqe në vetvete dhe pasqyrojnë një vullnet të ekipit të Bashkisë për të lëvizur disa gjëra në Tiranë. Mirëpo një çështje tjetër nxjerr krye në këtë kuadër, kur ky aksion vihet në raport me vendime të tjera të mazhorancës aktuale. Legalizimi i zonave informale njohu shifra rekord me këtë qeverisje, e cila legalizoi edhe ndërtimet e paligjshme të realizuara pas vitit 2009. Po kështu ligji i ri për kthimin dhe kompensimin e pronave, diskriminon pronarët kur sanksionon kompensim sipas zërit kadastral në momentin e shpronësimit, duke krijuar një padrejtësi të re. Pa i ngarkuar asnjë përgjegjësi bashkisë në këtë rast, politika në përgjithësi e kësaj mazhorance, po aplikon de facto dy standarde: një për pronën publike, në emër të mbrojtjes të së cilës, nuk heziton për masa ndëshkimore dhe një për pronën private, të cilën duket sikur nuk e shpërfill. Le të shtojmë edhe rastin e ligjit për investimet strategjike, që parashikon shpronësim në funksion të interesave “të tjera” private, që emërtohen “strategjike”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.