Loja e Kinës me juanin, ndikimi i parë në Afrikë

Postuar në 19 Gusht, 2015 23:30

Javën e kaluar Kina zhvleftësoi monedhën e saj, juanin, në përpjekje për të nxitur exportet.  Zhvleftësimi u pa edhe si një tregues i dobësimit të ekonomisë kineze, thotë Zëri i Amerikës. Ekspertët kanë ngritur shqetësimin se edhe vende të tjera në rajon mund të ndjekin të njejtin shembull, duke zhvleftësuar monedhat në mënyrë që eksportet e tyre të mos dëmtohen. 

Por tregjet e aksioneve në Kinë ranë edhe sot fillimisht ndjeshëm me 5 për qind, por më pas u përmirësuan duke u mbyllur me një rritje të lehtë  prej 1.6 për qind. Investitorët vazhdojnë të jenë të shqetësuar nga paqartësitë në lidhje me përpjekjet e qeverisë kineze për të ndërhyrë në mbështetje të tregjeve.

Duke pasqyruar këtë shqetësim, ish kryetari i Bankës Qendrore amerikane, Ben Bernanke, tha se qeveritë nuk duhet të ndërhyjnë në tregjet monetare.

"Monedha kineze ishte e mbi-vlerësuar për shkak të lidhjes së saj me dollarin dhe kjo e ka vënë nën presion ekonominë kineze. Pra, ky liberalizim ka bërë që të monedha t’i afrohet më pranë vlerës së saj të tregut, gjë që Shtetet e Bashkuara e kanë kërkuar për një kohë të gjatë".

Por eksperti i çështjeve të Kinës, David Denoon thotë se kjo gjithashtu shkakton probleme.

"Problemi është se sistemi i tyre bankar ka shumë kredi të këqija. Ata kanë një treg shumë të kufizuar të bonove të thesarit dhe kufizime në shkëmbimin e tyre.  Pra tregu i kapitalit dhe ai i bonove të thesarit, janë shumë të kufizuara".

Zhvlerësimi i juanit ka pasoja ndërkombëtare, veçanërisht në disa vende afrikane, ku Kina është partneri më i madh tregtar.

"Efekti direkt në Afrikë do të jetë tek mallrat e konsumit. Kjo do t’i bëjë mallrat kineze më të lira duke shtuar gjasat që afrikanët t’i blejnë ato më shumë, ndërkohë që eksportet nga Afrika do të jenë më të shtrenjta për Kinën. Prandaj kinezët do të blejnë më pak prodhime afrikane".

Pekini e ka bërë të qartë se dëshiron që juani të bëhet një monedhë e standardeve globale, e ngjashme me dollarin, euron dhe sterlinën. Megjithatë, Bernanke thotë se Kina ende nuk është gati për të luajtur këtë rol.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.