Antievazioni i kafshatës?! (Erion, mos harro fiqtë)

Postuar në 19 Gusht, 2015 04:57
Andrea Stefani

Një fqinjë e pallatit ku banoj më qahej dje se policia bashkiake nuk e lejonte të punonte. Si do t’i ushqej fëmijët e mijë kur burrin e kam pa punë! – ankohej. Dhe shtoi: Unë votën gjithmonë për PS e kam dhënë! Me një karrocë të vogël shet, tek “Liqeni”, nga ato petullat që na pëlqejnë të gjithëve.

Një nga ato punët e ndershme që mbeten, në këto kohë të vështira, mënyra e vetme e mbijetesës për jo pak njerëz. Edhe sikur të kesh votuar për PD-në – i thashë, askush nuk ka të drejtë, në emër të asnjë shteti apo rendi, të ta heqë të drejtën e shenjtë të nënës dhe prindit, për të ushqyer dhe mbajtur familjen. Dhe i premtova se do të bëja ç’ishte në dorën time, që ajo të shpëtonte nga ai hall që është më i madhi në botë për çdo prind. Ky shkrim është në vazhdën e atij premtimi.

***

Që në krye të herës dua të nënvizoj se e mbështes nisiativën e Erion Veliajt, kryetarit të ri të Bashkisë, për t’i dhënë fund kaosit në rrugët e Tiranës. Eshtë e shëmtuar, e padurueshme, poshtëruese për qytetarët madje shpesh, dhe e rrezikshme për jetët e tyre, ajo grabitje e panginjshme e trotuareve nga ndërtime a zgjerime me leje apo pa leje. Prona private është e shenjtë por e tillë është edhe e drejta publike.

Asnjëra nuk mund të fryhet në kurriz të tjetrës. Sepse po të lejosh pronën private të gllabërojë, trotuaret përse të mos e lejosh të gllabërojë edhe rrugët? Ndaj kudo ku një hapësirë është e domosdoshme për publikun, prona private duhet të kompensohet me çmimet e tregut por nuk mund të hajë atë që është e nevojshme për publikun. Shkurt, mbështes nisiativën e Veliajt që në Tiranë të ketë, më e pakta, 2 metër trotuar pranë çdo rruge.

***

Por ndërkaq, shikoj se po lind një problem jo i vogël. Në emër të “shtetit” dhe të “rregullit” bashkia ka nisur t’i “tregojë vendin” disa ambulantëve të rrugës që punojnë për bukën e gojës. Njerëz të punës që nuk e shëmtojnë Tiranën. Madje e nderojnë atë. Janë gështenjëpjekësit, misraxhinjë, kokoshka-bërësit a petullashitesit për të cilët vajtonin dikur nga Migjeni e deri te Qemal Stafa. Nuk shëmtojnë se kanë vendosur të jetojnë me punë.

Dhe puna e zbukuron njeriun, apo jo? Nuk bëjnë vjedhje, mashtrime e korrupsion. Dhe as Tirana dhe as shteti, nuk zbukurohen duke i spastruar ata nga rruga sikur spastrohen plehrat. Shëmtimi i qytetit janë “bencat” e zinj të korrupsionit apo “tuaregët” e shtrenjtë të mafias që vërdallisen ogurzinj dhe të paprekshëm.

***

Nëse spastrojmë trotuaret nga dikush që i bie një mjeti muzikor për ca monedha, a nuk është për qytetin një bukuri më pak? Po i njëjti mëkat është edhe nëse i spastrojmë nga ata individë që me një karrocë të vogël me kokoshka apo një mangall misrash a gështenje, përpiqen të mbijetojnë. Eshtë si t’i bësh luftë virtytit të punës. Eshtë të luftosh nisiativën private për mbijetesë. Nisiativën e ndershme.

Dhe ta luftosh atë ashpërsisht kur ende nuk ke mposhtur inisiativat kriminale të trafiqeve mizore dhe njerivrasëse?! Eshtë e gabuar të pengosh nisiativën për kafshatën e bukës, sa kohë shteti dhe tregu nuk ka afruar një alternativë më të mirë. Eshtë e gabuar, edhe ekonomikisht por edhe nga pikëpamja humane.

Shteti nuk mund të rivendosë dinjitetin duke luftuar evazionin te gështenjëpjekësi, në një kohë që dhjetra e qindra milionë vidhen nga evazioni i bizneseve apo nga korrupsioni në tendera e dogana. Nuk do qe rilindje e shtetit por një vitrinë, një fasadë e rreme e pafuqisë së tij për të luftuar evazionin qindramilionësh atje ku ai fshihet me të vërtetë.

***

Sa të ketë shtet do ekzistojë rreziku i degradimit të tij në një mekanizëm të ftohtë, pa empati për njeriun madje, edhe kundër njeriut. Ndodh shpesh që burokracitë, në “amokun” për të arritur objektivat e buxhetit publik i turren njeriut duke mos kuptuar se po veprojnë në kundërshtim me misionin për të cilin janë krijuar dhe paguhen nga njeriu. Por një shtet që i kundërvihet njeriut është absurd, i pakuptimtë, është një monstër.

Sepse shteti është një shpikje e njeriut, një mjet që njeriu të zgjidhë hallet e veta dhe jo të shndërrohet në një hall për njeriun, një makinë në ingranazhet e tmerrshme të te cilit bluhet njeriu. Eshtë absurde që shteti t’i pengojë njeriut të marrë, me punën e tij, atë thërrime, atë pjesë që natyra, sikundër thoshte dhe Naim Frashëri, nuk ja mohon as edhe zogut. Aq me tepër kur as shteti dhe as tregu nuk janë në gjendje të ofrojnë as punë tjetër dhe as ndihmë.

E kujt do i duhej një sakrifikim i kafshatës së fëmijëve dhe familjeve në emër të estetikës urbane?

***

Një luftë kundër evazionit apo kaosit urban që zhvillohet duke kundërvënë artificialisht nevojën për mbijetesë të një shtrese qytetarësh me interesin publik, nuk mund të mos degradojë në praktika që janë cinizëm në rrafshin e mardhënieve humane por edhe një gabim në rrafshin politik.

Puritanizma të tillë urbanë i marrin të keqen deri edhe bolshevikut Lenin që, në një moment, edhe pse kishte bërë një revolucion kundër pronës kapitaliste, kur e pa se punët e ekonomisë ishin keq dhe rendi i ri socialist nuk po funksiononte, ju kthye përsëri ekonomisë kapitaliste dhe tregut privat me të ashtuquajturën politikë të NEP-it. Kur ja deshi interesi politik, Lenini i shmangu (edhe pse përkohësisht) dogmatizmin dhe ju kthye kapitalizmit.

A na lejohet të jemi “dogmatikë urbanë” në një moment kur vendi vuan nga papunësia kronike? Për shembull, a do qe me vend që në këtë kohë bashkia e Durrësit të mos lejonte shitësit ambulantë nëpër plazhe? I keni parë si shkojnë e vijnë, pa prerë nëpër vapë, si Sizifi, të ngarkuar me llojshmëri mallrash, frutash e lëngjesh.

Ndoshta ndonjë pushues bezdisej nga thirrjet si: Erdhi rrushi! Për vete jo. Madje më bëri me gaz një kushëri i ardhur nga Franca kur tha: A e di cili është ndryshimi i Francës me Shqipërinë. Në Francë shkojmë ne te “Carrefour” ndërsa këtu vika “Carrefour” te ne!

***

Tavolinat dhe karriget e kafeneve që kanë pushtuar trotuaret duhet të tërhiqen, pra duhet t’u tregohet vendi. Por, ndërkaq, ka ca punëra që e kanë vendin në trotuar. Që kanë lindur bashkë me qytetin dhe do të vdesin bashkë me të. Lustraxhiu, për shembull, e ka vendin në trotuar.

Njerëzit nuk mund të shkojnë te tregu me shumicë për të lustruar atje këpucët. Dhe lustraxhiu nuk shëmton se është pjesë e “arkitekturës” klasike të një qyteti apo e rrugëve të tij. As edhe nuk pengon. Ai thjesht, lustron! Njerëzit nuk mund të shkojnë në treg as për të blerë një qeskë me petulla, një kaush me fara kungulli a luledielli, me gështenja të pjekura apo një misër të pjekur. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shitësit e gazetave. Vërtet, shumë nga ata shesin në pika të improvizuara shëmtueshëm me kuti kartoni.

Por nuk mund të spastrohen në emër të “estetikës” sepse krijon shumë probleme. Jo vetëm për individët që mbijetojnë me atë punë. Por deri edhe me lirinë e shtypit. Nga që nuk mund të ketë liri shtypi nëse nuk e shpërndan atë. Sado të shëmtuara qofshin pikat e shitjes së gazetave sot, detyrë e bashkisë është t’i zbukurojë dhe jo t’i spastrojë. Gjithsesi këto zanate a punëra mund t’i sistemosh. Madje edhe t’i taksosh.

Por vetëm simbolikisht. Sa për të edukuar pagimin e taksës nga qytetarët. Sepse është alogjike që shteti t’ju marrë para atyre njerëzve dhe familjeve mbi të ardhurat nga një punë pa të cilën, ai duhet të harxhonte shumë më shumë për t’i mbajtur me asistencë. Por nuk është vetëm logjika ekonomike. Është edhe empatia njerëzore. Shteti, që në thelb është tërësia e qytetarëve, nuk mund t’i heqë qytetarëve, madje në emër të shtetit apo luftës kundër evazionit, kafshatën. Edhe një bashki nuk mund të demonstrojë një cinizëm të tillë.

Aq më shumë kur kryetari i saj i ri, nuk e harron kurrë atë djalin e vogël që me një dedikim aq fisnik, shiste dikur fiq për të ndihmuar familjen!

"Dita"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.