Shënim: Nënë Tereza, një shtatore tepër

Postuar në 17 Gusht, 2015 23:24
Leonard Veizi

Një vepër arti e ka humbur kuptimin përderisa dergjet shtrirë në tokë pa kurrfarë kujdesi. Por kur kjo vepër mban mbi vete dhe një emër të madh, problemi shumëfishohet. A mundet që shtatorja e Nënë Terezës, e kësaj gruaje të madhe për të cilën Vatikani po bën të gjitha përpjekjet për shenjtërimin e saj, të dergjet në këtë farë feje, ashtu siç shihet dhe në fotot përcjellëse.

Për rastësi, këto foto u bënë menjëherë pasi këtë denoncim e bëri edhe një ekip i televizionin “Abc News”. Them për rastësi pasi me këtë rrugë të shtrembër, segment i Njësisë 5, anash të cilës janë ngritur radhë studiot e skulptorëve, më lidh shpesh puna. Madje aty në një aneks ndodhet dhe "Qendra e realizimit të veprave të artit".

E për hir të kohërave që jetojmë, tanimë të gjithë e kemi me vete nga një celular me kamera të integruar. Bëjmë foto jo vetëm kur shkojmë me pushime, por qëllon që ta përdorim dhe për punë. E kështu ndodhi dhe në këtë rast. Një rast që ia vlen të denoncohet. Madje fort.

Vepra e skultorit nga Kosova, Luan Mulliqi, u hoq nga rrethrrotullimi tek Aeroporti i Rinasit, që mban emrin e shenjtores shqiptare, pikërisht në vigjilje të vizitës së Papa Franceskut. Ishte shtatori i vitit 2015. U tha se shtatorja kishte probleme teknike, por kjo pak rëndësia ka. Në vend të saj u vendos një tjetër shtatore, por këtë herë ajo që kishte qëndruar prej vitesh në krah të Korpusit të Universitetit Politeknik, vepër e skulptorit Thoma Thomai. Asokohe, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro tha se u shtatorja në fjalë, pra ajo e Mulliqit, kishte dëmtime të rënda dhe për këtë shkak duhej t’i nënshtrohej restaurimit pranë Qendrës për Realizimin e Veprave të Artit. Deri këtu gjithçka “ok”. Më pas do të vendosej se ku e meritonte të qëndronte një vepër e tillë.

Por kjo ndodhi një vit më parë, e për të thënë të vërtetën ishte harruar krejt si fakt. Shtatorja kishte humbur si “kripa në ujë”. Ndoshta pakkush do të kujtohej sërish për të. Por një ditë kjo vepër arti krejt papritur do të “flakej në rrugë”. A është ky një skandal? Natyrisht. E ç’i do fjalët e tepërta në një rast të tillë, shfajësimet e justifikimet e zyrtarëve?!

Kjo shtatore e Nënë Terezës ka dalë tepër. Nuk po i gjendet vendi. 

 

Leonard Veizi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.