Presidenti: “Pa dekriminalizim, shqiptarët nuk besojnë në vendimmarrjen e institucioneve”

Postuar në 17 Gusht, 2015 22:34

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në një intervistë dhënë për Tv Klan. Ndër të tjera, Nishani ka folur edhe për dekriminalizimin e politikës, proces i pakapërcyeshëm sipas tij, bllokimi i të cilit minon besimin e qytetarëve tek institucionet. “Unë besoj që do të ketë hapa shumë seriozë, sepse mbi të gjitha nuk ka një alternativë tjetër. Ata që mendojnë që mund të tejkalojnë kohën, proceset, etapat dhe të tolerojnë praninë e personave të tillë, ata jo vetëm që kanë minuar demokracinë në vend, por ata njëkohësisht kanë shërbyer për humbjen e besimit të madh të qytetarëve shqiptarë ndaj institucioneve. Nuk mundet shqiptarët të besojnë në vendimmarrjen korrekte dhe të drejtë të institucioneve shqiptare kur pjesë e kësaj vendimmarrjeje janë këta persona, të cilët nuk mund t’i ikin dot interesit të tyre i cili është me rekorde kriminale. Gjithsesi mbetet për t’u parë, mbetet për t’u provuar thellësia e ndërhyrjes dhe shtrirja e seriozitetit në këtë proces”, tha Presidenti. Ai është shprehur hapur kritik edhe për ecurinë e reformës në drejtësi, ku sipas tij, janë përfshirë persona me bindje politike ekstreme. “Ajo që unë kam konstatuar me shumë kujdes dhe që vazhdoj të shpreh si shqetësim timin personal dhe të institucionit që përfaqësoj, ka të bëjë me faktin e shmangies nga mendimi profesional dhe ekspertiza e specialistëve të pavarur të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Nuk mund të hidhet hi syve duke angazhuar militantë partiakë nën zërin, nën zërin, nën emrin e specialistëve në këtë proces shumë të rëndësishëm. Fakti që nuk ka një reagim dhe specialistë të shumtë dhe të pavarur janë shmangur dhe nuk janë angazhuar, e bën akoma më të fortë nevojën e përfshirjes më të madhe dhe më të drejtpërdrejtë dhe më të thellë të ekspertizës së këtyre misioneve ndërkombëtare që unë përmenda pak më lart”, tha Nishani.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.