Standardet e dyfishta të Gjermanisë ndaj shqiptarëve

Postuar në 15 Gusht, 2015 17:17

Imigracioni nga Ballkani Perëndimor mbetet çështje dite për Gjermaninë. Agjencia shtetërore e lajmeve, “Deutsche Welle”, e cila u drejtohet sidomos audiencave jashtë Gjermanisë, shkruan përditë për këtë çështje, duke mbajtur një fokus të veçantë edhe për shqiptarët. Problemi po shihet në funksion të qëllimit sesi të ulet numri i azilkërkuesve, si të dekurajohet lëvizja e njerëzve drejt Gjermanisë, me shpresën se kjo do t’i hapë rrugën imigracionit të organizuar për punësim. Vetëm dy ditët e fundit “DW” ka shkruar për kthimin e disa azilkërkuesve në Rinas, me autoritete shqiptare që flasin “për bashkëpunimin e shkëlqyer me partnerët gjermanë” dhe për faktin se nuk ka paragjykim në procedurat e shtuara të pyetjeve dhe vendimit për kthim. Më tej akoma, po dalin në dritë ide si konvertimi i shpërblimit financiar për azlikërkuesit me të mira materiale, me shpresën se kjo do të bëjë që shumëkush të kthehet. A mund të japin këto përpjekje një zgjidhje?

Vende të sigurta të origjinës? Standarde të dyfishta

Përtej aspektit human, të cilin shoqëritë e vendeve pritëse e kanë hedhur pas krahëve tanimë, është aspekti ligjor dhe politik ai që po ligjëron një problem shumë serioz brenda vetë BE-së në sjelljen ndaj Ballkanit Perëndimor. Rasti më i qartë sesi kërkesa e vazhdueshme për zbatim të ligjit, shtet ligjor, luftë kundër korrupsionit, të drejtë për proces gjyqësor të rregullt etj., zhbëhet sa hap e mbyll sytë kur Gjermanisë apo ndonjë vendi tjetër i zë derën ndonjë rreckaman nga Ballkani. Vendimi për të shpallur Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë, si vende të sigurta të origjinës, është prova sesi vetë në BE nuk e kanë të qartë se çfarë po kërkojnë. "Unë kam rezerva të mëdha për t'i cilësuar këto vende si vende të sigurta të origjinës. Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri dhe në Mal të Zi nuk mund të flitet për sundimin e ligjit në kuptimin perëndimor. Nuk ka një gjyqësor të pavarur, gazetarët e padëshirueshëm përndiqen dhe vihen nën presion. Në Mal të Zi sundon një dinasti përreth kryeministrit Milo Gjukanoviç, flitet madje për struktura shtetërore mafioze. Edhe nepotizmi dhe korrupsioni janë në këto tre vende në rend të ditës, kritikon Mesovic. Sidomos në Kosovë minoriteti rom vuan nga një diskriminim masiv. Shumë romë janë larguar nga vendi për arsye të sigurisë”, citon “DW”, Bernd Mesoviç, i Organizatës së të drejtave të njeriut Pro Asyl.
Dhe me të drejtë mund të pyetet: Nëse vende si ky i yni janë vende të sigurta në kuptim të zbatimit të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, pse vallë integrimi po kushtëzohet kaq shumë? Sidomos në rastin e Shqipërisë kërkesat me natyrë politike kanë qenë në vazhdimësi në qendër të vëmendjes. Raportet e fundit flasin për “korrupsion në të gjitha degët e qeverisjes”, për probleme themelore me gjyqësorin, pronësinë, të drejtat etj...
Si vallë Shqipëria përditoi nga magjia e kësaj vere dhe u shpallka vend i sigurtë i origjinës?

Vend i sigurtë? Njerëzit duan të ikin. Biznesi gjerman do të ikë...

Shqiptarët duan të ikin nga Shqipëria. Arsyet janë të shumta, por nëse i besojmë ambasadorit historian të Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffman, ata ikin edhe për arsye të traditës, si ikës të mëdhenj. Këtë Hoffman e ka deklaruar para disa kohësh. Mirëpo edhe biznesi gjerman po kërkon të ikë, për arsye të korrupsionit të madh në drejtësi. Konstatimi është i vetë z. ambasador, para dy muajsh, në një takim në kuadër të reformës në Drejtësi. “Nga bisedat që kam pasur me investitorët gjermanë në Shqipëri kam mësuar se ata janë të pakënaqur dhe shprehen të gatshëm për t’u tërhequr nga vendi. Ky shqetësim është bërë prezent edhe gjatë takimit të fundit të kancelares Angela Merkel me kryeministrin Rama”, deklaroi Hoffman(http://www.shekulli.com.al/m/post.php?id=279267#sthash.07A2VgPY.dpuf). Duke i besuar këtij shqetësimi, lind e drejta të pyesim: a është apo jo Shqipëria vend i sigurtë për ushtrimin e aktivitetit ekonomik privat? A zbatohen të drejtat bazë, a ka garanci gjyqësore? Z. Hoffman po na thotë që “jo”. Dhe kjo “jo” merret shumë seriozisht, pasi për t’iu përmbajtur traditës siç na sugjeron z.ambasador, shqiptarët përherë i kanë besuar më shumë ambasadorëve të akredituar në vendin e tyre sesa politikanëve të vet. Por është mirë pra që gjykimi mbi situatën në Shqipëri të marrë një përkufizim definitiv.

Gjermania financohet për sigurinë e kufijve që fillojnë në...Kakavijë

Para disa ditësh, Komisioni Europian, shpërndau një infografik ilustrues për rrugën që BE-ja ndjek për çështjet e imigracionit, financimet e përbashkëta si dhe rregulloret. Ka dy mënyra financimi për vendet që preken nga emergjencat migratore. Së pari është Fondi i Azilit, Migrimit dhe Integrimit, që “mbështet përpjekjet e vendeve për të përmirësuar kapacitetet pritëse dhe të sigurojë që procedurat e azilit janë në një linjë me standardet e BE-së, të integrojë imigrantët në nivel lokal dhe rajonal dhe të rrisë efektivitetin e programeve të kthimit”. Fondi i dytë është Fondi për Sigurinë e Brendshme, i cili synon rritjen e kontrollit mbi kufijtë, por kundrejt krimeve dhe terrorizmit si dhe të sigurojë lëvizjen e lirë legale në BE. Dy shembuj: nga fondi i parë Greqia e cila në muajin korrik pati një valë prej 50 000 imigrantësh ka përfituar 474 milionë euro( http://europa.eu/rapid/press-release_SPEECH-15-5498_en.htm), kurse Gjermania, në kuadër të fondit të dytë, ka përfituar 134 milionë euro(http://ec.europa.eu/dgs/home-affairs/e-library/docs/20150814_funds_amif_...). Deri në vitin 2020 të dyja fondet janë parashikuar të jenë 7 miliardë dollarë.

Siç mund të vihet re, Gjermania po përfiton nga fondi për sigurimë e kufijve, por jo atë të azilit. Dhe kjo ndonëse Berlini zyrtar flet qindra mijëra kërkesa për azil, nuk figuron te përfituesit e fondit për azil. E thënë ndryshe: nuk po kërkohet një fond që detyron Integrimin e azilkërkuesve. Kjo është politika e Gjermanisë, e cila ndoshta në kuadër të financimit për sigurinë e kufijve Të Vet, ka arritur që të sjellë në Shqipëri policë të vetët. Policë që të minimizojnë numrin e shqiptarëve që shkojnë drejt Gjermanisë. Është një “Jo” kategorike, e cila teksa ka sjell policët gjermanë në Shqipëri, po e bën më gë largët dhe fare të paarritshme Europën. Në këtë kontekst tingëllojnë shumë domethënëse fjalët që shkrimtari Dritëro Agolli thoshte para disa ditësh: “Lindja nuk është krejt Zi”, teksa Shqipëria nuk rezulton gjëkundi alternativë.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.