Rrugët/Njolla të zeza të periudhës Rama-Basha, "përgjegjësi" e Veliajt

Postuar në 13 Gusht, 2015 21:29
Ilir Sinanaj

Që një shtet të zbatojë nisma të ndryshme në shërbim të qytetarëve, njëherë duhet të përgatisë një plan dhe të sigurojë bashkërendimin e punës ndëristitucionale si edhe ndërmjet pushtetit qëndror dhe atij vendor. Kështu në fundvitin 2013 dhe fillimvitin 2014, një nga çështjet, tek të cilat qeveria u përqendrua së tepërmi, ishte siguria rrugore. Për këtë qëllim u hartua edhe propozimi i një pakete masash nga ana e 3 dikastereve: Ministria e Transportit dhe Infrastruturës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë. Një nga problematikat që do të trajtohej në këtë paketë masash për vitin 2014 ishin edhe pikat e zeza apo njollat e zeza nëpër rrugët e Shqipërisë.

Njollat e zeza

Përkufizimi i një njolle të zezë në rrugë është një zonë ku kanë ndodhur, brenda një hapësire kohore 2-vjeçare, të paktën dy aksidente me pasoja fatale, me një largësi nga njëri-tjetri prej jo më shumë se 500 metra. Në paketën e masave për vitin 2014, sipas të dhënave të aksidenteve nga Policia e Shtetit ekzistojnë 143 njolla të zeza të krijuara ndërmjet viteve 2005 – 2010. Zonat, që janë tashmë njolla të zeza, si edhe koordinatat e aksidenteve të ndodhura, mund të konsultohen nga publiku në faqen zyrtare të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës. Për trajtimin e këtyre njollave të zeza përgjegjësia i takon entit pronar të rrugëve, ku ato ndodhen. Kështu 105 njolla të zeza ndodhen në akse kombëtare, e për rrjedhojë autoriteti përgjegjës për trajtimin e tyre është Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH). Ndërsa, 38 njollat e tjera të zeza ndodhen në rrugë, që administrohen nga njësitë e qeverisjes vendore dhe janë pikërisht këto njësi që duhet të trajtojnë rrugët përkatëse me këtë problematikë.

Procedura e trajtimit të problematikës

Sipas paketës së masave (në total 58 masa) për sigurinë rrugore, ishin parashikuar 4 masa që do të zgjidhnin çështjen e njollave të zeza apo pikave të zeza brenda vitit 2014. Masat, afatet kohore dhe institucionet përgjegjëse për të trajtuar këto njolla të zeza janë si më poshtë:

Masa 8: Ndërhyrja për përmirësimin e 10 pikave të zeza, për të cilat ekzistojnë projektet, sipas listës prioritare të njollave të zeza – Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës; Autoriteti Rrugor Shqiptar – shtator 2014

Masa 9: Projektimi dhe vlerësimi i mundësisë për ndërhyrje në 14 pika të zeza të tjera në akset kombëtare sipas Raportit të Sigurisë Rrugore 2013 – Autoriteti Rrugor Shqiptar – tetor 2014

Masa 10: Përgatitja e projekeve dhe preventivave për pikat e mbetura të zeza në akset kombëtare brenda vitit 2014, sipas Raportit të Sigurisë Rrugore 2013

Masa 11: Njësitë e qeverisjes vendore duhet të planifikojnë, projektojnë dhe ndërhyjnë në pikat e zeza, që administrohen nga to, në bazë të kritereve të përcaktuara nga Ministria e Trasnsportit dhe Infrastrukturës – Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës; Ministria e Pushtetit Vendor; Bashkitë; Komunat – dhjetor 2014

Tashmë jemi në 3-mujorin e tretë të viti 2015. Edhe pse duhet vlerësuar fakti që problematika e njollave të zeza u bë publike, mbetet për t'u parë se sa i janë përmbajtur zyrtarët e lartë përmbushjeve së këtyrë objektivave brenda afatit kohor, që ata kanë vendosur vetë. Megjithatë duke parë "bujën mediatike" që në vitin 2014 u fol për të rritur sigurinë rrugore, propozimin e paketës së masave të sigurisë po me "bujë mediatiatike", pse deri më më tani në vitin 2015 ka munguar "buja mediatike" e përmushjes së objektivave brenda afatit kohor (viti 2014) të çështjeve që lidhen me njollat e zeza? Mos vallë nuk janë përmbushur apo është modestia? Bëhet fjalë për një problem serioz në rrugët tona.

Njollat e zeza të pushtetit vendor

Siç e thamë më larta, 105 njolla të zeza janë çështje e Autoritetit Rrugor Shqiptar, pasi ato ndodhen në akse kombëtare. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë raportim mbi ecurinë e përmbushjes së masava që lidhen me trejtimin e njollave të zeza nga ky institucion. Por mund të them se Ministria e Transportit, në vitin 2014, sipas burimeve zyrtare, ka bërë një një inspektim të detajuar të rrjetit kombëtar rrugor si edhe ka konstatuar të gjitha problematikat që ndikojnë në sigurinë rrugore. Ndërkaq për 38 njollat e tjera të zeza, siç ishte thënë edhe në paketën e masave, njësitë vendore duhet të planifikonin, projektonin dhe ndërhynin për t'i trajtuar ato brenda muajit dhjetor 2014. Duhet thënë se, në bazë të statistikave, në rrugët e administruara nga pushteti vendor i bashkisë së Tiranës janë konstatuar 10 njolla të zeza. Po sipas statistikave, këto njolla të zeza u krijuan gjatë viteve kur në krye të Bashkisë së Tiranës ishte Edi Rama. Në kohën kur u hartua paketa e masave për sigurinë rrugore 2014, në krye të bashkisë së Tiranës ishte Lulzim Basha. Gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë informacion nëse nga bashkia e Tiranës është marrë ndonjë masë për trajtimin e pikava të zeza që ndodhen në rrugët që administrohen nga ky institucion. Po kështu nuk dihet sa kanë bashkëpunuar Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës me bashkinë e Tiranës në lidhje me këtë problematikë. Për rrjedhojë mund të themi se çështja e njollave të zeza në bashkinë e Tiranës, mund të jetë një problematikë, të cilës kryebashkiaku Veliaj, duhet tashmë në vitin 2015, t'i japë zgjidhje. Për më tepër, duhet që strukturat përkatëse të informojnë mbi këtë çështje, pasi bashkia e Tiranës është një njësi administrative me numrin më të madh të banorëve në Shqipëri, si edhe me fluksin më të madh të lëvizjes së automjeteve. Mund të marrim me mend, se nëse në Tiranë çështja e njollave të zeza është lënë mënjanë (dhe Tirana është në vëmendje të të gjithë Shqipërisë dhe vendi ky nismat e rëndësishme zbatohen të parat se bie më shumë në sy), vaj hallit se çfarë është bërë në njësitë e tjera vendore...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.