Vijon pikiata e të ardhurave. A vlen analiza e kryeministrit për këtë situatë?

Postuar në 13 Gusht, 2015 15:52

Dështimi në sektorin financiar po sjell pasoja të mëdha për vendin. Por edhe situata politike të vështira. Kështu nëse përmes aktit normativ të para disa javëve qeveria rishikoi buxhetin në dritën e mosrealizimit të të ardhurave me gati 8.6 miliardë lekë më pak sesa parashikimi për këtë periudhë, shifrat e publikuara nga Ministria e Financave për muajin korrik, janë të tilla që mund të çojnë në një rishikim tjetër të buxhetit. Të dhënat zyrtare flasin se vetëm për korrikun të ardhurat ishin 2.5 miliardë lekë më pak sesa parashikimi, me një total për 7 mujorin prej 11.2 miliardë lekë më pak sesa duhej. Del pra si emergjente rritja e shumës së mbledhur dhe një detyrë këtu kryesore ka administrata tatimore dhe ajo e doganave. Nuk dihet se çfarë analize dhe si do të arrihet kjo, por faktet flasin për një gjendje jo të mirë. Madje edhe vlerësimi zyrtar i tyre është disi larg realitetit. Po sjellim këtu në vëmendje atë që tha kryeministri Edi Rama në intervistën e fundit te gazeta “Dita”:

“Është e vërtetë, krahasuar me planin tonë ambicioz (jo me kohën kur qeverisnin ata, sepse s’ka asnjë krahasim), të ardhurat kanë qenë më të ulëta. Por analiza tejet profesionale që ne kemi kryer, edhe me ndihmën e FMN-së si dhe po ashtu, të ekspertizës së lartë profesionale të Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar të Harvardit, na tregon se djalli vërtet nuk është aq i zi sa duket! Nuk është vendi i duhur për të shtjelluar këtu të tërë analizën sigurisht.
Janë në fakt tre fenomene që e shpjegojnë devijimin me ulje të grafikut të planit të të ardhurave.
Së pari, rënia e çmimeve të naftës e të mineraleve në tregjet ndërkombëtare, e cila vetëm deri në fund të majit e ka impaktuar negativisht planin tonë me rreth 35 milionë dollarë.
Së dyti, janë dy elementë të tjerë që i shtohen radhës së të mëparshmëve. Nga njëra anë, modernizimi i sistemit të rimbursimit të TVSH-së sipas praktikës së mirë ndërkombëtare dhe praktikës së BE-së gjithashtu, ka një efekt të përkohshëm në rënien e të ardhurave.
Kemi marrë më pak të ardhura në buxhet nga importi i makinerive, po e kemi mbështetur shumë më tepër ekonominë përmes rritjes së konsiderueshme të volumit të këtij importi.
Së treti, rritja e qëllimshme e akcizës së duhanit për të dekurajuar konsumin e tij dëmtues për shëndetin, ka reflektuar ndjeshëm në rënie të ardhurash. E pra, siç mund ta shihni edhe vetë, edhe pse shumë shkurt, kjo pasqyrë analitike e situatës së të ardhurave tregon qartë një pamje shumë të ndryshme e komplekse në raport me shifrën e “vjedhur””.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.