"Editoriali i zhgënjimit"/Kontrata: Nuk ju kemi ngarë, ndaj mos na ngisni

Postuar në 13 Gusht, 2015 16:40

Si duhet kuptuar aksioni i paralajmëruar i qeverisë kundër informalitetit? A do t’i ngjajë ai aksionit për energjinë elektrike, i cili penalizoi vetëm kategorinë më të varfër të shqiptarëve? Është ende herët për ta thënë, por ka disa sinjale që flasin se sërish në qendër të goditjes do të jenë më të vegjlit, më të pambrojturit dhe ata që mund të ndëshkohen për një gabim të vetëm, ndonëse detyrimet i shlyejnë. Jemi në fushën e hamendësimeve, por kur vjen puna tek ekonomia, çdo deklaratë e qeverisë krijon efekte psikologjike. “Dita” publikon sot një “letër nga populli” të një qytetari anonim që deklaron se ka biznes të vogël. Letra i drejtohet kryeministrit Edi Rama, por ajo mund të lexohet edhe si një editorial i të zhgënjyerve. Po përcjellim një pjesë që flet pikërisht për informalitetin, meqenëse pasqyron shqetësimin që ka zënë vend te njerëzit: “...Dy herë të mirëkuptova z. Kryeministër, dhe të dy herët të besova me 1 milion vota. Tani nuk ka më mirëkuptim ashtu si ju thoni. E di që “sejmenët” e tu të veshur me pushtet janë gati të vërshojnë nëpër dyqanet e popullit të thjeshtë dhe të “zbatojnë” ligjin me gjoba të majme, mbyllje aktiviteti dhe kallëzime penale. E pse? Kush ta paska thënë se biznesi e vjedhka arkën e shtetit? Kasën fiskale ma ke kërkuar dhe e kam. Tatimin ma ke caktuar, ta kam paguar. Sigurimet shëndetësore dhe shoqërore m’i ke kërkuar dhe i kam paguar. Taksë trualli më ke vënë dyfish dhe ta kam paguar. Taksë pastrimi e gjelbërimi më ke kërkuar, t’i kam paguar. Taksë tabele më ke kërkuar, ta kam dhënë. Taksë parkimi më ke kërkuar, ta kam paguar. Taksë mbi aks më ke kërkuar, ta kam paguar. Taksë për një kufomë si Televizioni Shqiptar më ke kërkuar dhe këtë ta kam paguar. Energji dhe ujë t’i kam paguar. Ku të jam borxhli z. Kryeministër? Çfarë do më prej meje që vetë jam punësuar dhe nuk po të marr asgjë, veçse po të jap aq sa thua ti gjithmonë? Do që të marrësh edhe kafshatën e gojës? Bëje, në dorë e ke. Ke ligjin dhe Maliqin. Unë isha që t’i dhashë… Por më përpara m’u përgjigj: Ku i çon taksat e shqiptarëve me të cilat ju rroni në luks? Unë punoj 14-16 orë në ditë, burrë dhe grua dhe mezi siguroj bukën e gojës. Dhe a dini se po pata një hall a një punë në spital, në gjykatë, në bashki, tek ALUIZNI, në polici e kudo më kushton qimet e kokës? Edhe tek kolaudimi i makinës nuk kalon gjallë po nuk pagove. Gjithandej na keni vënë poshtë dhe tani na paralajmëroni për një furtunë të re! Ti mendon se ne ta kemi fajin pse nuk të del llogaria me paratë? Unë të besova, sepse më the se do të bëje drejtësi. Tani të shkon mendja të bësh padrejtësi vetëm me vegjëlinë. Fjalët e bukura dhe elokuencën tënde i kemi dëgjuar tashmë. Më thuaj z. Kryeministër, ku janë premtimet e tua plot bujë? Çfarë ligji më kërkon mua punëtorit? Pse nuk e zbaton ligjin me Sali Berishën që ka vjedhur super miliarda, ka vrarë e shkatërruar me çdo mjet e mënyrë shtetin shqiptar? Kuptoje z. Kryeministër, problemin nuk e ke me biznesin dhe me punëtorët, të cilët punojnë edhe për vete edhe për ju. Por e ke në vend tjetër. Kontrata e heshtur “nuk ju kemi ngarë dhe ju mos na ngisni” është turp”.
http://www.gazetadita.al/edi-rama-qe-flet-nga-deti-dhe-hallet-e-miletit/

Comments

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

Nuk ju kemi ngarë, ndaj mos na ngisni, Vidhni ju, vjedhim neve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.