Shënim: Decentralizim sa për sy e faqe. Vlerë ka vetëm një firmë

Postuar në 12 Gusht, 2015 14:15

Para disa ditësh, gjatë diskutimit në Parlament të projektligjin “Për Turizmin”, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, debatoi me deputetët për disa pika. Një ishte heqja e kompetencave të pushtetit vendor në menaxhimin e pasurive të paluajtshme në zonat me përparësi turizmin. Një dispozitë kjo shumë problematike krahas asaj për shpronësimin që buron nga ligji “Për investimet strategjike”. Ministri në fjalë kishte një argument origjinal për të mbrojtur përqendrimin e kompetencave, ndonëse ligji tanimë është kthyer nga Presidenti. “Shumë të drejta i kalojnë Këshillit të Ministrave, patjetër, zhvillimi i qëndrueshëm kërkon një qasje të përqendruar”, tha Ahmetaj. Pak ditë më vonë, doli lajmi i pezullimit të lejeve të ndërtimit me kleçkën se “pezullimi nuk do të aplikohet në të gjithë Shqipërinë. Kështu në 14 bashki ndërtimet do të lejohen. Bashkitë ku do të lejohen ndërtimet janë: janë Tirana, Fieri, Durrësi, Himara, Berati, Lushnja, Kamza, Mamurrasi, Shkodra, Rrogozhina, Vora, Fushë­-Kruja, Bulqiza dhe Korça. Por ama, për pallatet mbi 6 kate, lejet e ndërtimit nuk do i japin bashkitë, por Këshilli Kombëtar i Territorit”. Pra lejet e vërteta nuk kalojnë pa firmën e kryeministrit aktual.
Këto lëvizje vijnë pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetues vendimin për pezullim lejesh nga qeveria në gushtin e kaluar, duke përcaktuar të drejtat e pushtetit vendor. Sërish kryeministri mendon të ndërhyjë personalisht.

Ajo që thotë Ahmetaj është pasqyrë e mentalitetit që udhëheq këtë qeveri, e cila mendon se me “iluminimin e qendrës” shmang marrëzitë e periferisë. Edhe pse ka shumë mekanizma ligjorë kufizues dhe shtrëngues për ata që janë protagonistë të batërdisë së ndërtimeve. Këto manovra që synojnë përqendrimin e kompetencave vënë në pikëpyetje serioze edhe efektin e reformës territoriale. Pasi nëse kryebashkiakëve dhe këshillave me administrim territori kaq të zgjeruar u heq një kompetencë si ajo për ndërtimin, atëherë çfarë u mbetet për të bërë? Çështja sjell implikime të mëdha, pasi njësoj siç u veprua me Kushtetutën dhe nenin për mocionin e mosbesimit për kryeministrin(nisur nga ideja e konsolidimit të pozicionit, i hap rrugë një garancie për dikë tjetër që ulet në atë karrige), edhe sot, kompetenca e ndryshuar për lejet e ndërtimit, në një eventualitet të rotacionit më 2017-ën, do t’i linte thatë bashkitë e majta, me firmën e kryetarit të tyre. Çështja më serioze gjithsesi shtrohet te kërkesa për përqendrim, lehtësia e realizimit të së cilës dëshmon sesa fiktive janë pasojat e reformave si kjo territoriale, kur nuk shoqërohet me bazën ligjore të përshtatshme. Për një kundërshembull mund të sillet situata në tatime dhe dogana: qeveria ka të gjithë tagrin dhe kompetencat, por sërish nuk arrin të japë rezultate. Pse vallë përqendrimi te ndërtimi do të sillte efekte pozitive?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.