Përndjekja e kapitalit në shekullin e XXI

Postuar në 11 Gusht, 2015 19:36
Dritan Shano

E majta shqiptare, e cila ka shkundur nga supet e saj çdo grimcë reformimi të ndodhur në këto 25 vite, për të rilindur trashëgiminë e saj të vjetër të absolutizmit, arbitraritetit, arrogancës  dhe dhunës së shtetit mbi individin dhe familjen, mbi lirinë e tij politike dhe ekonomike, po demonstron çdo ditë se është krejtësisht e paaftë të krijojë një sistem tatimor të qëndrueshëm, të paanshëm, në favor të biznesit dhe individit, në favor të pasurimit të tij dhe të pavarësimit të tij nga politikat shtetërore. Një sistem tatimor që lartëson dhe çliron individin nga pesha e shtetit, dhe që nuk e kolektivizon atë në buxhetin e shtetit. E majta as nuk do ta krijojë një sistem të tillë. Kjo nuk është në kodin gjenetik të së majtës. Atje prevalon forca e shtetit, ku “shteti” tenton drejt një numri të vogël njerëzish, te cilët mund të bëjnë çdo gjë dhe që u lejohet çdo gjë, dhe jo institucionet e tregut të lirë, prona private dhe shkëmbimi e bashkëjetesa vullnetare. Lenini u mëson të majtëve se: “Është e vërtetë që liria është shumë e shtrenjtë; aq e shtrenjtë sa ne duhet të kujdesemi ta japim me racion atë”. Kështu, me aksionin e vet “demokratik” qeverisës, e majta shqiptare nuk do të reshtë së shtuari numrin e të varfërve në Shqipëri, sepse vetëm duke e bërë këtë, arrin t’i dominojë dhe manipulojë ata kollaj duke ua kushtë- zuar jetën, të ardhurat dhe ushqimin që hanë me provën për besnikëri, përulje, gjunjëzim dhe pranim pa bërë zë të robërisë ndaj Partisë, apo më saktë një grupi të vogël njerëzish që kanë kapur partinë dhe shtetin. E majta shqiptare nuk do të ndalojë së bëri këtë. Përralla marksiste e rishpërndarjes së drejtë të pasurisë nga një individ i suksesshëm te një individ hallexhi që aq bukur e tregojnë të majtët në të dy hemisferat, u krijua për shoqëri post-kapitaliste dhe dështoi. Kjo edhe për faktin se të gjitha vendet që e aplikuan ethshëm si ideologji ishin vende rurale. Me gati gjysmën e popullsisë në fshat, ne ende mbetemi të tillë. Prandaj lufta që bën e majta kundër individit në favor të kolektivit, bëhet vetëm e vetëm për të marrë dhe mbajtur pushtetin. Nuk ka asnjë argument ekonomik. Që të mund të shtojë pasuri nëpër të gjithë. Sepse, futeni mirë në kokë: përndjekja e lirisë dhe pavarësisë individuale që vjen nga puna dhe formimi i kapitalit është mekanizmi i saj i pushtetit. Në ditët e sotme, mënyra më e mirë për ta bërë këtë është shtimi i numrit të taksave mbi këdo që punon ndershëm, mbi thuajse gjithçka që merr frymë, ecën, noton apo fluturon. Kështu u rrit me 50% taksa mbi kapitalin dhe mbi punën. Kjo nuk u bë, siç premtohej, për të rishpërndarë pasurinë sa më drejt te të gjithë shqiptarët. Sa shqiptarë u bënë më të pasur këto dy vjet nga kjo politikë qeveritare? Kjo bëhet thjesht për të rishpërndarë varfërinë sa më mirë te të gjithë shqiptarët. Dhe për të pasuruar një grusht njerëzish. S’keni parë gjë akoma! Sepse është thuajse e habitshme shpejtësia me të cilën e majta shqiptare është ribërë intolerante ndaj faktit që në këto 25 vjet individi shqiptar të ketë ndonjë para në xhep, të pakontrolluar nga shteti dhe të mund ta shpenzojë atë para si të dojë e ku të dojë. Jo, shok! Kjo para më parë duhet të preket nga dora e atyre në majë të shtetit, të rrjedhë mes gishtave të tyre. Të jenë ata që vendosin sa para do t’i kthejnë mbrapsht shqiptarit. Aq sa të mbajë frymën gjallë. Paranë e punës së vet. Paranë e riskut të vet. Në këtë vend ku shteti po bën garë me kriminelin me maskë kush arrin t’i grabisë familjet shqiptare më shumë. Përmes ligjeve dhe akteve normative. Dhe fajin do t’ia hedhë armikut të brendshëm dhe armikut të jashtëm –krizës botërore dhe lodrave të gushtit me FMN-në. Në këto dy vjet, e majta ka thirrur si aleate varfërinë shpirtërore, duke ngjallur zilinë e njerëzve për njëri-tjetrin, rindezur luftën e klasave dhe përçarjen kombëtare. Aksioni i saj politik duket më shumë një hakmarrje ndaj opozitës së sotme, një “vendosje e gjërave në vend” sesa ndonjë veprim që sjell mirëqenie te shqiptarët. Sepse nuk di të bëjë gjë tjetër, në ndonjë formë tjetër. Kështu i ka ecur. Nuk do të ndalojë derisa ta bëjë kapitalin anëtar të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Që do të thotë, deri sa ta bëjë copë-copë atë. Derisa ta bëjë kapitalin një proletar të vërtetë. Si te Manifesti. Ose ta shndërroje atë pak kapital të frikë- suar në Shqipëri në një kapital kurbetlli. Pse them kapital i frikësuar? Sepse kapitali ekziston në Shqipëri, por po fshihet. Nuk del në treg. Vetëm në 2014-n, llogaritë e bizneseve nëpër banka u shtuan me mbi 126 milionë euro, të cilat flenë në bankë dhe nuk investohen në ekonomi. Duke zvogëluar mundësitë për zhvillim ekonomik, punësim, pasurim të shqiptarëve. Si kundërpërgjigje ndaj gjithë kësaj vepre të ngjizur me votën e vet, shqiptarët po ikin. Kapitali i pakët, ai që nuk ka zgjedhur të fshihet, po ikën. Kapital janë edhe 10 euro, edhe 10 milionë euro. Sa për sqarim. Vetëm në janar – mars 2015 shqiptarët kanë harxhuar 262 milionë euro bileta avioni e trageti. Këto para janë “navlloja” moderne e shqiptarëve. Tashmë Lëndina e Lotëve nuk është më në Korçë, por tek aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas. Askush nuk e di sa nga ky kapital i harxhuar është i familjeve që kërkojnë azil në Europë?! Por nëse një pjesë të shqiptarëve po I kthejnë mbrapsh, Kapitalin që ikën nga Shqipëria nuk ka kush ta kthejë mbrapsht, përkundrazi, e presin me krahë hapur në ato vende ku ai, i përndjekur nga qeveria shqiptare, po merr arratinë. Po pse, o t’u mbylltë, budalla është kapitali?!

Panorama

Comments

Submitted by Fillestari (not verified) on

Autori nuk ka dhene asnje argument logjik per ditirambin emocional qe percolli tek lexuesi. Kjo e mete e vjeter e komunikimit ne Shqiperi sa vjen e shtohet me kalimin e kohes.
Pervec vullnetit te autorit per te bere nje ndarje ideologjike kunder te majtes dhe percjellje slloganesh qe hasen rendomte ne tere gazetat ne bote, nuk vihet re fare KONKRETISHT per cfare akuzon autori te majten shqiptare. Autori thote se "po rishperndan varferine", ne cfare menyre po behet kjo gje ne Shqiperi dhe ne cfare pike kjo eshte nje gje e re qe po e aplikon qeveria e Shqiperise? Keto argumenta kane rendesi, sepse zgjedhesit shqiptare duhet te jene shume te interesuar te dine se cfare po ben qeveria qe ata zgjodhe. Ndersa emocionet e autorit jane pa ndonje rendesi te vecante.
Ne ate mjergullesine e vete karakteristike te ketij shkrimi, thuhet se e majta po ben gabimin qe do te luftoje pabarazine. Une, nje zgjedhes me instinktet tipike te djathta te brezit post-komunist, nuk i gjej luftes ndaj pabarazise asnje te mete. Se pari se kjo pabarazi nuk eshte iniciuar nga ndonje merite e madhe personale e shtresave me te pasura shqiptare (kapitali i tyre TIPIKISHT, me ca perjashtime, eshte krijuar dhe mbahet gjalle jo nga ndonje mekanizem real tregu por nga vjedhja e prones publike). Se dyti, edhe ne vendet ku kjo pabarazi vjen nga merita enterpreneurial-e te kapitalisteve te saj, eshte fenomen i njohur se ne afat te mesem dhe te gjate, pabarazia ul ndjeshem rritjen ekonomike. Une dua te besoj se autori po kritikon kete qeveri per ndonje aresye me te larte dhe jo thjesht per faktin se ajo po preokupohet per strategjine ekonomike te vendit te vet. Nje tjeter rast i munguar qe autori te jepte ide dhe jo narrative te kote...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.