Kloni i Shengenit

Postuar në 11 Gusht, 2015 19:26

Shqiptarë, bëni si të bëni. Rrini në Shqipëri. Nuk ka punë? Janë shtrenjtësuar çmimet? Mos u mërzisni! Ja prisni sa të vijë shtatori, sa të fillojë punimet parlamenti, sa të nisin debatet televizive dhe me një pjatë me përshesh me kos, mund të shikoni gallatë falas. Po edhe do mësoni ndonjë gjë, do shihni botë me sy, pa patur nevojë të gjezdisni vetë. Do dalë Edi, e do na thotë habere. Do jetë veshur bukur, do jetë nxirë pak, por sidoqoftë Ai do rikthehet për të gjithë Ne. Sepse të flasim hapur: një çikë malli na ka marrë. Do dalë Meta. Likja, siç e njohin shumica. Me dorë në zemër do bëjë sevap edhe për shqiptarët. Do ta ketë kujdes stabilitetin. Po edhe Basha, që është si politikan lodër. Le të jetë. Ç’punë prish vallë? Kemi edhe Saliun që nuk na lë kurrë. Kur duam i bejmë like, kur nuk duam, ia heqim. Po vjen edhe Fatosi. Fatos seriozi. Tani doni të ikni ju nga Shqipëria? Tani që ka gjithë këto habere? Tani që Shqipëria është siç i thonë një fjale nga Gjermania, “vend i sigurtë”?
Kanë rrahur Sajmir Tahirin? Me siguri lajm vere. Shqipëria është e sigurtë dhe këtë e thotë gjermani.

Shengeni si arratisja dikur
Sot na nderoi me daljen e tij drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako. Përsëriti edhe njëherë, d.m.th ky ishte thelbi, se ata shqiptarë që duan të ikin jashtë për punë, do trajtohen njësoj si dikur arratisja. “Ka pasur një fluks të lartë azilkërkuesish dhe veçanërisht në Gjermani, por u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mos largohen për të kërkuar azil, pasi nuk do ta përfitojnë atë. Dua t’ju bëjë me dije se thyerja e rregullave të lëvizjes në Shengen, duke kërkuar dhe azil shoqërohet me penalitete, çka do të thotë se ata që kërkojnë azil nuk do të lejohen të shkelin në zonën Shengen për një periudhë të caktuar”, tha Çako. Po sa është penaliteti? E dimë të gjithë: 5 vjet nuk ke të drejtë hyrjeje në Shengen. Sa ishte dënimi për arrastisje? 8 vjet burg. 8 rrumbullak. Sa kushtoka të lësh këtë vend more zoti drejtor!
Drejtori rrëfeu se në 9 muaj në Shqipëri kanë ardhur 9 milionë njerëz, pra 1 milion çdo muaj. Azilkërkues nga tanët vetëm disa mijëra. E prapë gjermani e bën të madhe. E bën sepse e paska të shkëlqyer bashkëpunimin me qeverinë.

Policë gjermanë në kufirin Shqipëri-BE!!! Ja sqarimi i ambasadës

Që nga 16 korriku e këtëj 12 policë të Policisë Federale të Gjermanisë kanë nisur të jenë prezentë në Kapshticë dhe në Kakavijë. Çfarë bëjnë aty konkretisht asnjë nuk e thotë. Në njoftimet e deritanishme është folur për asistencë ndaj kolegëve shqiptarë se policia gjermane ka shumë përvojë, është folur për luftë ndaj imigracionit ilegal, apo krimeve ndërkufitare. Një pyetje: Shqipëria kufizohet me Greqinë dhe jo me Gjermaninë. Çfarë duan këtu policët gjermanë?
ResPublica iu drejtua ambasadës gjermane në Tiranë e cila dha këtë sqarim: “Që prej datës 16 korrik 2015 janë vendosur në Shqipëri dymbëdhjetë punonjës së Policisë Federale, të cilët kryejnë shërbimin e tyre së bashku me kolegët shqiptarë në pikat e kalimit të kufirit me Greqinë, Kapshticë dhe Kakavijë. Qëllimi i misionit është shkëmbimi i përvojave dhe mbështetja e policisë kufitare shqiptare. Punonjësit e Policisë Federale mbështesin me konsulencë kolegët e tyre shqiptarë në mënyrë të vecantë gjatë mbikqyrjes dhe kontrollit në kufi, me qëllim luftën e migracionit ilegal dhe krimit ndërkufitar. Ky mision i policëve federalë bazohet mbi një marrëveshje të shkruar, të lidhur ndërmjet Presidentit të Policisë Federale Gjermane Dr. Romann dhe Drejtorit të Përgjithshëm për Kufirin dhe Migracionin Genc Merepeza. Misioni i policëve federalë për mbështetjen e kolegëve shqiptarë merr rëndësi më shumë edhe për faktin se Gjermania është një shtet, i cili ka përvojë të madhe në luftën e migracionit ilegal dhe është një nga shtetet më të prekura për momentin nga ky fenomen”.

Disa pyetje pa përgjigje për poshtërimin e qytetarëve shqiptarë

Disa pyetje mbeten pa përgjigje: pse një qytetar shqiptar, që ka pasaportën me vete do të duhet të kalojë në filtrin e një polici gjerman për të hyrë në Greqi? Përpunimin e dokumentacionit në kufi e bën edhe policia greke, që ndjek protokollet e Shengenit. Çfarë kontrollojnë këta policë gjermanë në Kakavijë dhe në Kapshticë, kur një shtetas shqiptar deklaron se do të “shkoj në Greqi”? Dhe si i bëhet kur në doganën shqiptare të lejojnë të kalosh, kurse në doganën greke jo?
Ka vetëm një mundësi për këtë poshtërim që u bëhet qytetarëve shqiptarë: pala gjermane po synon të kufizojë që në embrion azilkërkimin, për të eliminuar kostot me të cilat përballet në trajtimin e tyre në Gjermani. Por kjo ndërhyrje bëhet në mos në shkelje, në kufijtë e cenimit të të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Dhe në trajtimin e tyre si qytetarë të dorës së dytë, brenda kufirit të shtetit të tyre që po u merr erzin. Kuptohet me bashkëpunimin e “kolaboracionistëve” të radhës.

Policia shqiptare: Policët gjermanë intervistojnë, jo vetëm asistojnë

Për të marrë vesh më shumë, "ResPublica" iu drejtua zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme, Ardi Bita. Ndërsa u përgjigj që “do të interesohem”, zëdhënësi më vonë bllokoi thirrjet hyrëse. Por zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Genti Mullai dha këtë sqarim:
“Në bazë të marrëveshjes oficerë të policisë gjermane asistojnë policinë shqiptare në pikat e kalimit kufitar pasi ata kanë më shumë eksperiencë në intervistimin e personave që dyshohet se kanë qëllime azilkërkimi. Ka një akt marrëveshje mes dy policive që nuk mund të jepet për publikun dhe në të nuk ka afat deri kur oficerët gjermanë do të jenë prezent në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, por ne besojmë se kjo do të zgjasë deri në muajin shtator, pasi edhe fluksi i kërkesave për azil po bie pas masave që kanë marrë gjermanët. Çfarë do bëjnë, ata do kthehen nuk kanë rrugë tjetër”.
Pra oficerët e policisë gjermane marrin intervista qytetarët shqiptarë duke patur si armë profesionale “përvojën në dyshimin e personave që potencialisht janë azilkërkues”. Kjo është si ajo rrëfenja e Hrushovit në kujtimet e veta, kur për të shpjeguar paranojën e Stalinit riprodhonte pyetje të tilla të këtij të fundit si: “Pse i lëviz sytë ashtu ti”?

"Muret" gjermane në Europë

Vendosja e policëve gjermanë në kufijtë e BE-së ka ndodhur edhe më herët. Kështu pak muaj më parë, kur kryelajm ishte fluksi migrator nga Kosova, u bë e ditur se Gjermania dërgoi 20 policë në kufirin Serbi-Kosovë dhe 20 policsë në kufirin Serbi-Hungari. Qëllimi: ndalimi i imigracionit ilegal. Ky akt kishte një farë kuptimi, pasi kosovarët, që ishin edhe protagonistë të migrimit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes pa viza në hapësirën “Shengen”. Për më tepër mund të shikojmë një lëvizje politike si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, që për të shmangur penalitete hapën rrugën për një mbikëqyrje mga vendi i ngjarjes nga Gjermania. Rasti i Shqipërisë ndryshon, pasi shqiptarët kanë disa vite që kanë fituar të drejtën e lëvizjes pa viza, kurse “problem” për shkeljen e dispozitave të qëndrimit, kanë vetëm disa muaj. Nga kjo pikëpamje lind pyetja: si u luftoka imigracioni ilegal nga posta kufitare e Kakavijës, ku njerëzit paraqiten me pasaportë në dorë? Këtë e di vetëm policia gjermane, sepse policia shqiptare me sa duket është përqendruar tek hashashi.

Nuk mjafton FRONTEX? Ja çfarë thotë policia greke
Në komunikim me zëdhënësin e Policisë së Shtetit, ky i fundit deklaroi se policë gjermanë janë vendosur edhe në anën greke. Për të marrë një prononcim zyrtar, “ResPublica” iu drejtua Policisë greke të Epirit, e cila përgjigjet për pikat kufitare me Shqipërinë. Përgjigja: Hera e parë që dëgjojmë për këtë gjë. “Kjo ju është thënë nga policia shqiptare? Nuk kemi dijeni për një marrëveshje të tillë mes policisë greke dhe asaj gjermane. Pala shqiptare e bën këtë gjë, interviston qytetarët në prani të policëve gjermanë? Bashkëpunim me policitë europiane ka vetëm në kontrollin e kufijve në kuadër të operacionit të Frontex dhe asgjë tjetër që lidhet me intervistimin nga policë gjermanë të qytetarëve në kufi”, deklaroi policia greke.
Pra ndërkohë që BE-ja vetë operon për mbikëqyrjen e kufijve përmes FRONTEX, strukturë e ngritur posaçërisht për përballimin e Imigracionit Ilegal në vendet kufitare, policia gjermane vjen në Kakavijë për të kontrolluar pasaportat dhe për të Parë në Sy, nëse mund të themi kështu, ata që duan të hyjnë në BE. E çfarë mund të ndodhë më shumë se kaq që qytetari shqiptar të ndihet i fundit? As në vitin 1997, kur shqiptarët priteshin në Itali, nuk ka patur kaq ngarkesë negative. Po me siguri, asokohe Shqipëria nuk ishte vend i sgurtë, ndërsa sot është.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.