E pazakontë/Kryeministri zihet në telefon me një shtetas. Gjykata e Lartë urdhëron hetimin e Edi Ramës

Postuar në 12 Gusht, 2015 04:19

Duket se e pabesueshmja bëhet e besueshme sa hap e mbyll sytë në Shqipëri. Një portal, “droni.al”, publikon sot foto të vendimit të Gjykatës së Lartë që urdhëron Prokurorinë e Përgjithshem të nisë hetimin ndaj kryeministrit Edi Rama, me akuzën e “Keqpërdorimit të thirrjeve telefonike”. “Droni.al”, i referohet vendimit, pjesës arsyetuese dhe paraqitjes së dinamikës së ngjarjes që në thelb është kërcënim apo fyerje nga kryeministri(nga numri i tij celular) ndaj shtetasit S.H që ka bërë kallëzimin. “Në gusht të vitit 2014 shtetasi S. H. ka paraqitur kallëzim pranë Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë kundër shtetasit Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe njëkohësisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për veprën penale të “Keqpërdorimit të thirrjeve telefonike”, sipas nenit 275 të Kodit Penal.
Në kallëzim pretendohet se, në muajin Gusht 2014, kallëzuesi është shqetësuar, në mënyrë të vazhdueshme, në orare të ndryshme të ditës, nga numri i telefonit 0692031272 i cili i përket Kryeministrit Shqiptar, Z Edi Rama. Shtetasi S. H., ka shpjeguar në kallëzim se, ne muajin Gusht 2014 i është ndërprerë energjia elektrike dhe për defektin e ndodhur ai i ka dërguar sms numrit të Kryeministrit. Pas dërgimit të kësaj sms-je, kallëzuesi pretendon se është shqetësuar vazhdimisht nga ky numër, dhe për këtë fakt ai ka paraqitur dhe kallëzimin në fjalë.
Pas depozitimit të kallëzimit me datë 13.08.2014 nga shtetasi S. H. në Prokurorinë e Përgjithshme, me shkresën me nr. 1244/1 prot, datë 22.09.2014 të Drejtorit të Drejtorisë së Hetimit dhe Kontrollit të Ndjekjes Penale, pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ky kallëzim i është dërguar për kompetencë të shqyrtimit të tij Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Prokuroria nuk hapi hetimet me një arsyetim të tillë:
“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, bazuar në shkresën sa sipër, ka kryer hetimet për kallëzimin në fjalë nëpërmjet oficerit të policisë gjyqësore. Prokurori i çështjes, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e datës 11.12.2014 ka vendosur: ”Mosfillimin e procedimit penal”. Në marrjen e vendimit të mosfillimit të procedimit prokurori ka arsyetuar se nuk jemi përpara veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, pretenduar nga kallëzuesi......”Kjo vepër kryhet me anë të thirrjeve telefonike me keqdashje, për të prishur qetësinë e tjetrit. Në rastin në fjalë një gjë e tillë nuk rezulton, pasi vetë kallëzuesi ka kërkuar komunikim me numrin e kallëzuar, duke e thirrur ai fillimisht të kallëzuarin me sms, ç’ka tregon që nuk ka keqdashje nga numri tjetër, përkundrazi palët kanë dëshiruar komunikim me njeri tjetrin, duke vazhduar shkëmbimin e thirrjeve mes tyre, ku rezulton që kallëzuesit janë edhe më të shumta në numër...”, ka arsyetuar prokurori.
Në fund ka qenë Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga gjykatësit e njohur Aleksandër Muskaj, Ardian Nuni, Ardian Dvorani, Arjana Fullani(bashkëshortja e Ardian Fullanit) dhe Evelina Qirjako pasi ka trajtuar çështjen arriti në përfundimin se, ankimi i paraqitur nga kallëzuesi është i mbështetur në ligjin procedural dhe si i tillë duhet të pranohet. “Që në maj të këtij viti vendimi i prokurorisë për të mbyllur çështjen është prishur nga Gjykata e lartë dhe aktet e çështjes i janë dërguar Prokurorisë së Përgjithshme për të rikthyer hetimin e akuzës ndaj kryeministrit Edi Rama”, raporton “droni.al”. Para disa muajve edhe presidenti i Republikës, Bujar Nishani u ankua për komunikimin telefonik të kryemimistrit, por me sa duket nuk e ka parë të udhës kallëzimin.
http://www.droni.al/web/Gjykata_e_Larte_urdheron_hetimin_e_Edi_Rames_nen...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.