Çfarë buke konsumojmë?

Postuar në 12 Gusht, 2015 12:48

Para disa ditësh Inspektoriati i Sigurisë Ushqimore deklaroi se nga analizat e kryera me 47 mostra mielli të marra në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, rezultoi se ato ishin të paprekura nga Bacillus Subtilis” i cili njihet në gjuhën popullore si shkaktar i “sëmundjes së Patates”. “Agroweb” shkon më tej duke sqaruar se ky nuk është problemi i vetëm i bukës që konsumojnë sot shqiptarët. Dhe këtë me siguri e di edhe Ministria e Bujqësisë e z. Panariti, e cila çuditërisht për gjëra të tilla rend të kontrollojë, vetëm pas raportimeve mediatike. Faqja në fjalë shkruan se “bukëpjekësit refuzojnë të japin informacion mbi bukën tonë të përditshme, duke na bërë me të drejtë të mendojmë se ata kanë diçka për të fshehur”. Çfarë mund të fshehin ata? Me sa duket përbërjen e bukës e cila trajtohet në funksion të fitimit. “Një sasi e madhe e bukës që ne blejmë është e zhveshur nga vlerat ushqyese, duke u përdorur miell i procesuar si dhe kripë dhe konservantë, madje madje disa lloje bukësh përmbajnë edhe sheqer, siç pohojnë disa bukëpjekës.
Po pse është ky një problem? Përpos problemeve shëndetësore që sjell konsumi i tepërt i sheqerit dhe kripës, veçanërisht kur është i fshehur në produkte të tilla si buka, makarona, ushqime të gatshme dhe tek salca, ekspertët pohojnë se produktet shtesë ose siç njihen ndryshe “additives” krijojnë fryrje dhe probleme me tretjen. Gati një e katërta e bukës që ne konsumojmë sot bëhet me maja shtesë, në mënyrë që ajo të piqet më shpejt dhe të rrojë më gjatë. Problemet e tretjes për këtë arsye janë në rritje ashtu siç është në rritje dhe numri i njerëzve që kanë filluar të jenë intolerantë ndaj bukës”, shkruan “Agroweb”. Pse ndodhin këto probleme? Kryesisht për shkak të cilësisë së miellit që importohet, që përveç vendeve të BE-së, tashmë vjen edhe nga jashtë zonës së unionit. Ministri i Bujqësisë, Panariti, pranoi para disa kohësh se mielli i ardhur nga Serbia është poshtë standardit të cilësisë, por më vonë e korrigjoi. A mundet që edhe për bukën njerëzit të mbeten në dorë të këtij lloj humori nga politika? Nëse institucionet nuk janë në gjendje të monitorojnë edhe kaq, për çfarë mund t’u besohet tjetër?
http://agroweb.org/?id=10&l=490&ln=sq&url=te-vertetat-e-hidhura-te-bukes...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.