A duhet hequr dorë nga arsimi i përgjithshëm? Një debat global që vlen edhe në Shqipëri

Postuar në 09 Gusht, 2015 18:57

Çfarë shkollimi na duhet? Ku duhet ta orientojmë sistemin arsimor? Këto janë pyetje që nuk shtrohen vetëm në Shqipëri, por kudo në botë, ndonëse vendi ynë përballet me probleme shumë serioze në organizimin e sistemit më tepër sesa në dhënien atij të një qëllimi. Në ShBA është zhvillimi teknologjik dhe përhapja e teknologjisë si pjesë e kulturës ajo që po kërkon rishikimin e programeve arsimore. Fareed Zakaria shkruan në një opinion në “Washington Post” se ndryshimi i arsimimit dhe orientimi i tij drejt dijeje specifike, teknike, është një temë që ka konsensus në ShBA. “A përbën interes jetësor për shtetin që të ketë më shumë antropologë? Nuk mendoj kështu”, citon Zakaria, Guvernatorin e Floridës, Rick Scott. Politika ka prirjen që të kapë momentin dhe ta konvertojë atë në vendim duke iu bashkuar “shumicës”. Por sa vlen kjo politikë afatshkurtër në një çështje kaq të ndjeshme dhe strategjike si arsimi? Mbetet gjithsesi një diskutim i hapur, por Zakaria, i referohet suksesit të Amerikës, pikërisht duke konstatuar të kundërtën e asaj që po kthehet aktualisht në modë. “Heqja dorë nga mësimi tradicional(me bazë të gjerë) vjen nga një keqlexim themelor i fakteve dhe e vendos Amerikën në shteg të rrezikshëm për të ardhmen. ShBA ka udhëhequr botën në dinamizmin ekonomik, inovacion dhe sipërmarrje falë pikërisht atij lloj arsimimi që tani po na thuhet se duhet të heqim dorë. Një arsim i përgjithshëm ndihmon në kultivimin e mendimit kritik dhe kreativitetit. Dakord, shkenca dhe teknologjia janë komponentë kyç të këtij arsimimi, por po kështu janë edhe Anglishtja dhe Filozofia. Kur prezantoi edicionin e ri të iPad, Steve Jobs, shpjegoi se “është në ADN-në e Apple që teknologjia vetëm nuk mjafton – është teknologjia e kombinuar me edukimin klasik(artet liberale), me shkencat humane që prodhon rezultatet që na gëzojnë”, shkruan Zakaria. Një tjetër shembull, tanimë historik, vjen kur krahasohet ShBA me arsimimin masiv në shekullin XIX dhe Europë që e kufizonte atë te pak njerëz.
Të njëjta shqetësime i ngrinte para një viti edhe Umberto Eco në një shkrim ku vlerësonte “liceun klasik”. Shembull i mjaftueshëm ishte Olivetti, që i duhej një gjuhëtar për të drejtuar procesin e prodhimit të makinës së parë me shkrim. Nga ana tjetër, Zakaria sjell Greqinë e lashtë si shembullin e parë dhe më domethënësin, kur ndryshimi i sistemit çon në nevojën e ndryshimit të arsimimit. Krijimi i demokracisë dhe nevoja për vetëqeverisjen dhe ruajtjen e saj çoi në nevojën e kultivimit të dijeve si retorika, filozofia, politika, përndryshe “të panevojshme” nga një pikëvështrim thjesht ekonomik.
Debate të gjitha që do t’i shërbenin shumë mirë edhe Shqipërisë, e cila ka nevojë urgjente të korrigjojë, në mos të transformojë një sistem që po prodhon shkëputje serioze në formimin dhe ndërgjegjen e brezit të ri në raport me historinë e afërt dhe qeverisjen.
https://www.washingtonpost.com/opinions/why-stem-wont-make-us-successful...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.