Për një lexim më të mirë të vetes e të sho-shoqit

Postuar në 08 Gusht, 2015 12:49
Mustafa Nano

Është e vërtetë ajo që thotë Agron Gjekmarkaj në shkrimin e djeshëm në të përditshmen “Panorama”, me titullin “Selam, o Mustafa Nano”. Më ka qëlluar në dy-tre raste që militantë të majtë, si të më kishin të tyrin, madje të tërin, më drejtohen me fjalët: Si jeni shoku Mustafa? Dhe Agronit ia kam rrëfyer vetë këtë gjë. Nuk i kam dhënë peshë këtij keqkuptimi, pasi kam vënë re si rregull, me pikëllim të madh, që shumica e atyre që më ndjekin i lexojnë në mënyrë mendjelehtë e tekanjoze qëndrimet e mia e u bëjnë një interpretim kodra pas bregut mesazheve që unë përcjell. Edhe qëndrimi i berishianëve ndaj meje është fryt i të njëjtit keqkuptim. E jam i sigurt që nuk është faji im. Është faji i tyre, e në përgjithësi i publikut (i një pjese të madhe të publikut) që marrëdhënien me mua (dhe me kolegë të tjerë) e mat, dhe e ngre, mbi bazën e marrëdhënies që ata vetë kanë me udhëheqësit politikë, e sidomos me Berishën.

E meqë jemi te Berisha, me të cilin ka nja dy vjet që nuk jam marrë hiç, nuk më la indiferent ajo që Gjekmarkaj thoshte: “Urrejta që M. Nano ka për Berishën nuk është cilësi intelektuale e admirueshme”. Ndonjëri mund të ketë menduar se Gjekmarkaj e ka tepruar në këtë pikë, duke më atribuuar mua urrejtje për Berishën, në një kohë që këtë gjë nuk e kam pranuar asnjëherë. Por ja, po e pranoj tani. Po, unë e urrej Sali Berishën. Dhe nuk besoj se kjo gjë e komprometon intelektualitetin tim. Mund të ketë plot gjëra të tjera që më komprometojnë si intelektual, por jo urrejtja. Urrejtja për dikë mund të mos jetë cilësi e admirueshme (mbi bazën e ca kritereve, që unë nuk i bëj dot të mijat), por edhe sikur të ishte kështu, nuk do të shqetësohesha kushedi se çfarë. Unë nuk jam engjëll. Për më tepër, nuk besoj fare tek engjëjt. Nuk jam as si Jorge Mario Bergoglio apo si ndonjë “çoban” tjetër grigje që, në mos për një rekuizitë të tyren shpirtërore, të paktën ex officio, nuk mund të urrejnë. Nuk kam as ndonjë simpati për ata që s’dinë të urrejnë kur është rasti që duhet urryer. Madje, kam përshtypjen se shumë njerëz, për të demonstruar një epërsi putative në planin spiritual, e fshehin faktin që urrejnë. Mirëpo, është ky stërmundim për t’i dhënë vetes faqe botës një fytyrë të dytë që i bën shpirtërisht të dobët, e që i bën të vuajnë po shpirtërisht. Është vuajtje të duash ta shprehësh një sentiment, sidozot urrejtjen, e të mos mundesh. E nuk e di pse e fshehin. Nëse janë besimtarë, Zoti ua lexon edhe kur e fshehin. Nëse nuk janë besimtarë, atëherë duhet të jenë të ndershëm me ndërgjegjen e tyre. Ka zgjyra në këtë botë që duhen urryer. Urrejtja është humane, madje aq humane sa në ndonjë rast nuk do ishte gabim që t’i bënim një modifikim “të vogël” shprehjes së njohur karteziane, dhe të thoshim: unë urrej, ergo sum. E kjo s’ka lidhje me intelektualin. Unë nuk them se të gjithë intelektualët urrejnë diçka apo dikë (nuk e di këtë), por jam i sigurt që një intelektual mund të urrejë, dhe me këtë nuk e njollos fare intelektualitetin e tij, përkundrazi, i jep pak ngjyrë e forcë.

Kthehemi te shkrimi i Agronit dhe më duhet të them se më ka ardhur keq që Agroni më ka futur te kategoria e atyre që kanë bërë tifo për Berishën, dhe më pas janë konvertuar, d.m.th janë hedhur në pozicione të forta kritike. Nuk kam qenë asnjëherë me Berishën. Mund të ketë qëlluar të kem thënë ndonjë fjalë të mirë në adresë të tij (Kush i mban mend ato kohë? Kanë kaluar një mijë vjet), por me të nuk kam qenë kurë. Nuk mund të isha. Ai i përket një bote, me të cilën unë nuk kam asnjë, asnjë, asnjë lidhje. As në planin politik, e as sidomos në planin kulturor. Dhe prej tij nuk jam ndarë në vitin 1997, por qysh në vitin 1993 kur, pasi u ktheva nga një periudhë njëvjeçare emigracioni, pashë se ai e kish shndërruar fët e fët Partinë Demokratike, në të cilën kisha “milituar” edhe unë për pak kohë, në një bandë, dhe Republikën e Shqipërisë në një “tokë të xanun”. U rifuta sërish në PD me synimin naiv e kotmëkot pretencioz për t’u bërë tok me të tjerë e për t’i vënë frerë tahmasë së Berishës, por aha, ishte e pamundur, e kishte marrë ferra uratën. Në PD kish vdekur çdo gjë. Të gjithë ndiqnin nga pas Berishën. Dhe pas vitit 1994 unë nuk pata më lidhje me këtë parti, nëse mund të thuhet se kisha pasur ndonjëherë lidhje.

Në të njëjtën mënyrë nuk mund të thuhet se nga i djathtë që kam qenë, jam bërë i majtë. Nuk kam qenë ndonjëherë i djathtë në kuptimin që thotë Gjekmarkaj. Unë u bëra pjesë e lëvizjes së madhe kundër regjimit komunist në kapërcyell të viteve ’80 e ’90, por të gjithë e dimë se ajo nuk ishte një lëvizje e djathtë. Ajo ishte një lëvizje kundër diktaturës. Kaq e thjeshtë është. Për më tepër, atëmot, të them të drejtën, unë nuk është se dija mirë se ç’ishte e djathta e ç’ishte e majta. Mund të ketë pasur njerëz që i kanë ditur, ose që i kanë ditur më mirë se unë (kjo e dyta është e sigurt), por unë vetë kam qenë pothuaj një tabula rasa atomote. Më pas kam marrë vesh se çfarë janë, e për rrjedhojë kam marrë vesh edhe se çfarë jam unë. Dhe e vërteta është se politikisht jam një gjë eklektike. Nuk jam edhe aq i majtë në qëndrimin ndaj politikave ekonomike, por jam qartësisht i majtë kur vjen puna te qëndrimi ndaj disa vlerave/realiteteve/koncepteve, konvencionale apo jo, si kombi, feja, familja, femra, ligji, shteti, lufta, të drejtat e njeriut, deri diku dhe etika, gjë që shpjegon pse s’e kam për gjë të urrej), dhe kjo është e kuptueshme sidomos në kohët e sotme, kur ideologjitë janë kokolepsur, kur demokracia liberale, në kundërshtim me çfarë ulërinte Francis Fukuyama andej nga fillimi i viteve ’90, është duke u sqaqur e ligështuar, kur moderniteti, me të gjitha prurjet e prirjet e veta, është pranuar edhe nga të djathtët (në debatin mes kandidatëve republikanë për postin e presidentit në SHBA, të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, guvernatori i Ohio-s, John Kasich, konservator 24 karatësh, u shpreh se do ta mbështeste e do ta pranonte të bijën, nëse do të ishte lesbike. Para disa vjetësh një gjë e tillë ishte e pamundur të dilte nga goja e një konservatori).

Përmenda etikën. Po rri pak këtu. Agroni thotë në shkrimin e vet se e urrej (prapë tek urrejtja) edhe korrupsionin qamet. Duke e përgëzuar Agronin për mendimin e mirë që ka për mua, e refuzoj këtë medalje, megjithatë. E vërteta është se ma shpif fakti që korrupsioni është shndërruar në një flamë. Kjo po. Por nuk më pëlqejnë më betejat etike. I kam bërë njëherë e një kohë këto beteja, dhe doja që t’i mposhtja të tjerët me armën e ndershmërisë, por ka ikur ajo kohë. Nuk kam më nerva, ndoshta as moshë, të bëj beteja të tilla. E ç’është më e rëndësishmja, nuk mendoj se e kam atë certifikatë apo ato kredenciale virgjërie që ia jepja vetes. Ia kam dhënë vetes pa të drejtë. Unë jam ushqyer qysh në krye të herës, prej gati 20 vitesh, nga ky rend i korruptuar gjërash. E dini? Ne, për një ethos/idiosinkraci tonën, jemi një popull i korruptueshëm, ndërsa në terma konkretë e aktualë jemi një popull tërësisht i korruptuar. Më është mbushur mendja se të vetmit të pakorruptuar në Shqipërinë e këtyre kohëve janë romët, lypësit, ata që gërmojnë kazanëve, kurvat dhe të gjithë ata, të cilët nuk kanë pasur se si të korruptohen, ngaqë s’kanë pasur asgjë në dorë. Ndërsa unë jo. Unë kam pasur gjëra në dorë, unë kam pasur një foltore, një karrige në një studio televizive, një hapësirë në një gazetë, një rrogë të mirë, dhe unë prandaj jam një shkërdhatë e korruptuar, si gjithë të tjerët. E nuk ka rëndësi fare se ç’pasuri kam. Unë dhe kolegë të mi, jemi të korruptuar edhe kur jemi të varfër, jemi të korruptuar qoftë edhe për faktin që nuk kemi qenë në lartësinë e përgjegjësisë që buron prej rolit të intelektualit publik, që kemi marrë përsipër të luajmë. E ky rol, përsëris, nuk ka të bëjë me faktin, nëse urrejmë apo jo. Ky rol ka të bëjë me forcën e pasionin për të mbrojtur interesin e opinionin publik, për t’u bërë zëdhënës të shqetësimeve reale që kanë njerëzit, e për të denoncuar, dhe urryer (për të mbetur te “lajtmotivi”), gjithçka që me këto shqetësime, apo me këtë interes, nuk ka të bëjë. Berishën, sidozot. Dhe “aleancën e qelbësirave”, gjithashtu.

Vetëm se, lidhur me këtë të fundit, më duhet të them që nuk jam penduar. Kam lexuar shpesh online që ma bëjnë këtë pyetje kur del në pah ndonjë zullum i këtyre që janë në pushtet: Jeni penduar që keni bërë apelin në favor të “aleancës së qelbësirave”? Jo, nuk jam penduar. Në ndryshim nga shumë të tjerë, mua nuk më kanë zhgënjyer në asgjë këta të mazhorancës. Ata janë ata që unë kam pritur që të jenë. E prandaj, nuk ka se si të bëhem pishman. Sepse të bëhesh pishman, do të thotë që të biesh dakord me idenë se duhej të mbanim Berishën akoma në pushtet, ose që ta risjellim sërish, për herë të n-të në pushtet. Jeni çmendur? Vërtet e mendoni këtë gjë?

Tani, shqiptarët çdo gjë mund të bëjnë, edhe mund ta risjellin sërish në pushtet (një popull tërësisht i korruptuar të gjitha mund t’i bëjë), por unë uroj që kjo të mos ndodhë, gjë që nuk do të thotë se jam i kënaqur me këta. Joooo! Si mund të jem i kënaqur? Kjo është dhe arsyeja që e kam hapur gojën e kam bërë kritika qysh në momentet e para, pasi kjo mazhorancë zuri të punojë. Por po e bëj të qartë: këto kritika nuk kanë të bëjnë me faktin që jam bërë pishman. Këto kritika kanë lidhje me respektin për punën që bëj, e me pritmëritë që mund të kenë për ne ata që na lexojnë e na ndjekin.

Një vërejtje thelbësore kam për Gjekmarkajn. Dhe për të tjerë të djathtë si ai. Në vend që të mbeten të pakënaqur nga shkrimet e mia kritike prej të majti për të majtën, le të përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë nga pozitat e të djathtit për të djathtën. Në botën e së djathtës shqiptare nuk ka dalë qoftë dhe një njeri i vetëm (dhe kjo për mua është e Ç-U-D-I-T-S-H-M-E) që të vërë pikën mbi “i” pas zgjedhjeve të kaluara parlamentare e komunale. Kjo pikë mbi “i” duhej vënë me kohë, por le ta lëmë rravgimin nëpër vite, e të mbetemi në mënyrë të veçantë në kohën pas këtyre zgjedhjeve. Dhe cila është pika mbi “i”? Pika mbi “i” është të thuash që Partia Demokratike është në një gjendje si mos o Zot, që kjo parti, kështu si është, nuk i duhet as dreqit, që atje ligjin e bën vetëm Sali Berisha, se ai është problemi më i madh i kësaj partie, se ai gjithçka e bën për të mbrojtur pasuritë e familjarëve të vet e për të mbrojtur veten prej krimeve që ka bërë, dhe se Lulzim Basha është një kanakar i tij. Të gjithë atje e dinë këtë gjë, por askush nuk e thotë. U vjen më kollaj të shohin se kush e urren Sali Berishën.

 

“SHQIP”

Comments

Submitted by Arbeni USa (not verified) on

Ky Gjekmarkaj mi trazon zorret sa here e shohe ne studio e tv,Muc,e ke kopanisur,mire ja ke bere,meriton shume me teper.

Submitted by Papathanasi (not verified) on

Ky Gjekmarkaj eshte ai qe cirrej se zgjedhja e Idrizit nenkryetar rrit konfliktet etnike dhe ul tolerancen fetare. I vinte keq per Dulen. Keshtu qe, profilin e mushkes e ka krijuar me kohe.

Submitted by Iluministi (not verified) on

Z. Nano, po ju therras keshtu, per te shprehur respektin per analizen.

Sikunder, vleresoj qendrimin realist. Nje dialektike ne zhvillim e njohjes, vlerave, besimeve dhe qendrimeve. Mund te shtoja dhe me shume nga ato qe vleresova ne kete shkrim. Po rresht, duke te "qortuar" vetem per nje gje: Nuk ia vlen t'i jepni kaq vlere replikuesit, qofte dhe duke e marre si rast studimi.

Submitted by Ollga Toronto (not verified) on

Nga na biu ky Gjekmarkaj,fryhet si gjeli maj plehut,as radhe per te folur nuk te le,100% berishist,e ku ndryshon nga halimet,ristanet,fevzot,shkullaket,strazimiret,flamur noket etj.,ky mednder analist I oreve te fundit?! Asgjekundi.

Submitted by Zapbone (not verified) on

Ka degjeneruar cdo gje, cdo gje dhe ne jetojme si ne satire. Po ne satire ngandonjehere pervec humorit ka dhe fund te lumtur! Shqiperia eshte nje kaos, nje kaos dhe konflikt dhe hipokritet po jetojne boom-in me te lavdishem. E kam fjalen per hipokrite e zgjyra te formatit si Nano e Gjekmarkaj se ato qe jane ne instanca te te gjithe segmenteve te shtetit nuk e fshehein me hipokrizine po e kane kthyer ne norme jetese. Shkrime te qelbura si dialog i qelbesirave te dy hipokriteve.

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Ka ardhur dita kur qelbesirat kane kurajon te thone: "Po he mo c'doni? Jemi qelbesira dhe s'kemi as frike, as turp ta pranojme edhe me shkrim. Jo per gje po s'keni c'na beni fare, e shumta dhe po deshet mund te vini e te na hani nevojen, me falni shprehjen."

Madje kjo u jep te dejten edhe te mburren se nuk jane hipokrite, hahahahaha. Qe kjo i ben superarrogante s'prish pune. Nje qelbesire hipokrite ne vitin '84 thoshte: "Jeni juve, pa jemi neve". Qelbesirat jo-hipokrite te kohes se sodit thone: "Ketu jemi neve, shkoni pirdhuni juve".

O Tempora, O Mores dhe Quo Vadis Albania?

Submitted by iliri tjeter (not verified) on

Nuk besoj qe ka njeri tjeter ne bote, nuk mendoj qe ka njeri me mend ne koke qe te pranoje dhe te mburet se eshte qelbesire!
Po ja qe qenkerka nje nga Skrapari, qe i pelqen dhe mburet qe eshte qelbesire.
Fatkeqesija e shoqerise tone qe ka njeres te tille.
Fatkeqesija e shoqerise tone qe njeres te tille mbijetojne dhe jetojne me pagesat qe marin qe jane qelbesira!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.