Palmës socialiste po i bien gjethet!

Postuar në 06 Gusht, 2015 14:23
Dritan Shano

Projekti politik i rindërtim it të socializmit në Shqipëri po dështon ekonomikisht. Nuk asnjë dyshim në këtë mes. Por ende nuk di të them a është ky një lajm i mirë apo lajm i keq për të gjithë ne. Se ndryshe nga unë, shumë shqiptarë e kanë votuar vetë këtë qeveri. Me presion, pa presion, me hile, pa hile, me lekë, pa lekë nuk ka rëndësi, ky është fakt. Por është gjithashtu fakt, akoma më i rëndësishëm, se qeveria, makinën që ia kanë dhënë shqiptarët, po e hedh në greminë. Çdo ditë e më thellë. Derisa të shpërthejë... buuum! Qeveria e sotme shqiptare, rob i trashëgimisë së saj të drejtpërdrejtë osmano-komuniste, po e zhyt Shqipërinë gjithnjë e më thellë në krizë ekonomike. Nuk e di a bën për hedonizëm apo për mazokizëm. Filozofia e majtë e shtetit padron dhe kujdestar, e taksimit të drejtë, e cila flirtoi me zilinë njerëzore dhe barazitizmin endemik të shoqërisë shqiptare, u shfaq si model i ri ekonomik dhe fshiu tej taksën e sheshtë që garantonte kontributin e gjithsecilit në proporcion me suksesin personal dhe u mbivendos mbi filozofinë e djathtë të barazisë së oportuniteteve dhe jo përfitimeve. Të gjitha këto politika kanë dështuar në mes të rrugës. Taksa progresive e tkurri ekonominë. Rritja e akcizave ka rritur kontrabandën. Qeveria e ka shpartalluar kapitalin dhe suksesin. Ka dërrmuar individualitetin në favor të kolektivizmit, duke e taksuar atë cip mbi cip. E ka tmerruar kapitalin. Dhe ai fshihet ku të mundet. Nuk del as nga xhepat e njerëzve, dhe as nga bankat. Në mos po ka filluar të shpërngulet në vendet fqinje apo në ndonjë offshore. Kur nuk lëviz kapitali, nuk ka se si të ketë të ardhura. Elementare. Po t’i shtosh kësaj edhe korrupsionin në Dogana e Tatime, të denoncuar tashmë edhe nga të nënkontraktuarit britanikë të qeverisë, në buxhetin e shtetit nuk mund të ketë të ardhura. Në xhepat e qeveritarëve po! Kur është evidente që shqiptarët e 2014 – 2015 janë më të varfër se në 2013 apo në 2013 – të ardhurat reale kanë rënë me gati 6 për qind; qeveria shqiptare, duke tentuar të mbajë nën fre borxhin publik që së paku të plotësojë një nga kushtet e marrëveshjes me FMN-në, nuk po u kthen shqiptarëve lekët e buxhetit që u ka marrë me dhunë nga xhepat e tyre. Nuk bën investime. Investimet për gjatë qeverisjes socialiste janë më të mjerat e dekadës së fundit. Hiq ndonjë kángjell, ndonjë lëndinë, palmat dhe atë kauçukun mbi derën e Kryeministrisë. Dhe tani do shkurtojë edhe 16 miliardë lekë shpenzime të tjera. Që të balancojë gropën në të ardhura. Gropën e korrupsionit. Dhe të paaftësisë totale. Asaj të një administrate partizane. Dhe të pazotësisë natyrale ideologjike për të përkthyer në ekonomi tregu dhe zhvillim votën e shqiptarëve. Pas dy vjetësh socializëm, Shqipëria është kthyer në një kopsht palmash dhe në vendin me çmimin më të lartë të karburantit në Europë. Pse? Në mungesë të një logjike të çfarëdoshme, për një trill psiko-patologjik tashmë. Sipas parimit: qentë lë të lehin, karvani ynë të shkojë përpara. Është kthyer në një vend nga ku shqiptarët ikin të pushojnë në Greqi, se u del më lirë dhe më mirë. Për dëshirë politike të Edi Ramës, liderit maximus të PS/LSI/dhe nja 38 partive të tjera. Ai, në vizionin e tij ekonomik sheh një Shqipëri me rritje ekonomike sa qameti – 2.8 për qind në tremujorin e parë 2015. Ai sheh një Shqipëri, ku edhe italianët e papunë në Itali duan të vijnë të punojnë këtu ku puna ka plasë. Si në Baldushk, në fakt. Ndërkaq, numri i shqiptarëve të pashpresë që raportohen si kërkues azili nëpër Europë këtë vit e ka kaluar numrin e dëshmorëve të LANÇit. Këto rezultate të mjera i shohim çdo muaj të këtij viti 2015, të konkretizuara në tabelën fiskale që Ministria e Financave e nxjerr gjithnjë e më me shumë siklet. E bën këtë vetëm për shkak të prezencës së FMN-së. Është kjo arsyeja e vetme që qeveria e sotme nuk gënjen dot edhe me shifrat fiskale. Nuk do t’u hyj komenteve mbi ato me mbledhje, zbritje, me thyesa e përqindje. Shtypi i shkruar dhe dixhital është plot me pena të mprehura për këtë. Pavarësisht këtij realiteti fiskal, propaganda socialiste përcjell një Shqipëri në kulm të mirëqenies. Njësoj si atëherë kur merrnim çmimin e parë në Meksikë për ushqimin, edhe pse hanim mish frigoriferi argjentinas të ’68-s me tallon. Edhe pse të ardhurat nga TVSH-ja, tatimi mbi të ardhurat personale, nga akcizat, dërgesat nga emigrantët, investimet e huaja kanë rënë. Që të jetë e qartë. E keni parasysh ndonjë moment dramatik nëpër filma, ku monitori i lidhur me zemrën e një të sëmuri në vend që të pulsojë bën një piiiiiiiii të vazhduar dhe nxjerr një vizë të drejtë? Për të treguar se pacienti i lidhur me atë monitor ndërroi jetë. Kjo është kur të ardhurat nga TVSH-ja nuk rriten, por janë të barabarta ose më të vogla se parashikimi. Pra, kura e ilaçeve (politika fiskale) që i është dhënë në mëngjes të sëmurit (ekonomisë) me prezumimin se do ta shëronte, nuk e la ta ngryste ditën, por e vdiq në mesditë. Piiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiii! Por socialistët janë këmbëngulës. Njësoj si komunistët, ata nuk dorëzohen. Duket sikur asgjë nuk do ta ndalë marshimin socialist mbi xhepat tanë, mbi jetët tona. Zotër të propagandës, socialistët kanë bërë të harrohen premtimet e tyre për çmime më të ulëta, për 300.000 vende pune, për shëndetësi falas. Në shtator ata do të marrin një dajak të madh dhe do t’u vërsulen atyre njerëzve që guxojnë bëjnë biznes në këtë vend, për t’u rrëmbyer sa më shumë para, që të plotësojnë kushtet me FMN-në. Edhe pse është evidente se muaji i mjaltit i qeverisë me FMN-në dhe Bankën Botërore ka mbaruar. Megjithatë, qeveria premton se do luftojë evazionin, informalitetin. Ata që nuk e besojnë këtë do të anatemohen si mbrojtës të krimit. Por, të gjithë shqiptarët e kanë parë se çfarë prodhon kjo marrëdhënie qeveri – qytetar dhe biznes. Frikë, tkurrje, apati, stanjacion. Në fakt, vetëm ata mbi drejtësinë mund të besojnë me se qeveria vendose drejtësi. Se është e paanshme. Se nuk e ngjyen pak ushtrimin e pushtetit te lufta e klasave. Në shtator shumëkush do të vrapojë të paguajë 3 përqindëshin e kuotizacionit në Partinë Socialiste, që mos ta ngacmojnë me ndonjë kontroll. Ka të ngjarë që me ekonominë – palmë të vendit tonë të ndodhë si me gomarin e Nastradinit që ngordhi sapo ky i fundit mendoi se e mësoi të jetonte pa ngrënë asgjë. A do të presim edhe ne ta pësojmë si gomari i Nastradinit? Me një gjethe palme në dorë? Fakti është që sa më shumë kalon koha, aq më thellë zhytemi në këtë fatkeqësi politike, ekonomike dhe shoqërore të maskuar nga vota demokratike, sa që të paktën thënia dhe rithënia e këtyre gjërave kaq të dukshme është detyra më e parë e kujtdo që ruan një fije respekti për veten dhe për lirinë e tij.

 

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.