Tri pyetje për Zotin Gjergj Filipi

Postuar në 05 Gusht, 2015 14:27
Arben Demo

 Ditë më parë me një krenari të shprehur dhe me fjalë, Drejtori i INSTAT Zoti Gjergj Filipi deklaroi se rritja ekonomike për tremujorin e parë të vitit 2015 ishte 2,82%.

Kjo ishte një mbështetje për pretendimet rilindëse se vendi po zhvillohet epo ecën në rrugën e duhur, ndërkohë që janë të shumtë ata që flasin për qëndrim në vend dhe për politika ekonomike të paqarta e jo efektive.

Duke menduar se opinionit publik shqiptar(jo tifozëve të qeverisë) i intereson të dijë për këtë “sukses” po themi këtu me fjalët e gazetares intervistuese  se “Treguesi i këtij tremujori për rritjen ekonomike vjen me një metodologji të re, ku matja është bërë si nga metoda e prodhimit dhe nga ajo e konsumit, ndërsa deri tani matej vetëm nga metoda e prodhimit”. Dhe se me këto ndryshime metodologjike kalohet nga Vlera e Shtuar Bruto në Prodhimin e Brendshëm Bruto sepse “ në ndryshim nga vlera e shtuar bruto, PBB përfshin dhe llogaritjen e taksave dhe subvencioneve”.

Ose, siç thotë vetë i intervistuari se “bashkë me efektin e ciklit ekonomik të tremujorit,  janë përfshirë edhe mbledhja e të ardhurave mbi produktet nëpërmjet taksave dhe shpërndarja e tyre në formën e subvencioneve”. Pra është përdorur një metodologji e ndryshme që jep tregues të ndryshëm nga sa deri më sot.

Ne kemi këto tri pyetje :

1.     A është rillogaritur dhe rritja e tremujorit të parë të vitit 2014 me këtë metodologji, për të qenë këto dy tregues të bashkëkrahasueshëm, sepse në se jo krahasimi i juaj nuk është i drejtë ? Do ishte normale të dinim sa  është rritja për 2015 me metodologjinë e mëparshme ?

2.     A i llogarit dhe FMN-ja dhe institucionet e tjera  ndërkombëtare me këtë metodologji të dhënat që publikon sidomos në prill dhe shtator të çdo viti në WEO (World Economic Outlook) të cilat shërbejnë si bazë gjykimi për ekonominë tonë dhe për donatorët e tjerë ?

3.     A do të rillogariten dhe vitet e mëparshëm 1990-2014 me këtë metodologji për të pasur  një gjykim të njëjtë për gjithë tranzicionin ?

Indikatorët dhe jo vetëm ky, qoftë në bazë tremujore apo vjetore shërbejnë për të gjykuar për ecurinë e vendit dhe politikat ekonomike. Ata nuk janë instrumente për “politikë” apo për PR-in qeveritar.

Mbetemi me shpresë të një sqarimi.

 

Arben Demo

Tiranë 3.8.2015

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.