Jugu i Italisë: Game Over!

Postuar në 05 Gusht, 2015 12:58
Roberto Saviano

I nderuar Kryeministër Matteo Renzi, po të shkruaj pas gati dy vitesh, me shpresën se do të marr dhe kësaj here një përgjigje.

Herën e para ju shkrova kur qeveria juaj sapo kishte nisur aksionin për një reformë radikale në shoqërinë italiane. Sot, natyrisht nuk mund të pretendohet nga ekzekutivi juaj një zgjidhje e problemeve endemike si “çështja e jugut”, por nuk mundet dhe të përjashtohen vlerësimet mbi linjat udhëzuese të punës suaj.

Game Over. Ky është mesazhi që vjen sapo lexon raportin Svimez mbi ekonominë e Jugut të Italisë. Game Over. Për ditë të tëra mediat botërore prisnin me zemër të ngrirë një marrëveshje që do të ndalonte daljen e Greqisë nga zona euro; e sot marrim lajmin se Jugu i Italisë në 15 vitet e fundit ka një përqindje rritjeje të përgjysmuar në krahasim me atë greke. Kriza është shumë më e keqe dhe është në zemër të Italisë. Punësimi ka mbetur në nivelin e 1977-ës, lindjet në atë të 1860-ës.

Ndër faktorët që rëndojnë varfërinë e shoqërisë në Jug, janë rënia e numrit të lindjeve dhe rritja eksponenciale e emigracionit, që përfshin sidomos të rinjtë, ata më brilantët, ata të formuarit me një çmim të lartë në shumë universitete të Jugut, të funksionueshme më shumë për interesat e docentëve sesa për ato të studentëve.

Ka më pak lindje, sepse një fëmijë është kthyer në një luks e të kesh dy është tashmë një çmenduri. E kush lind, rritet me idenë për t’u larguar, larg poshtërimit të mosnjohjes së aftësive personale. Ky është Jugu i Italisë, kafshuar nga Don Kalogjero Sedara, që nuk heq dorë nga banketi i mirëqenies.

E është në këtë kontekst që shfaqen nostalgjitë borbone; paaftësia e qeverisë e jolineariteti i punës së saj që ngjall instinktet bazë, tashmë protagonistë të historisë sonë.

“Nxitoni” ishte titulli në “Il Mattino” të nesërmen e tërmetit të vitit 1980. Andy Warhol e bëri, e ktheu në një vepër arti. E sot faqja e kësaj gazete ndodhet në Kazal di Principe, në një ndërtesë të konfiskuar nga krimi i organizuar, e që mikpret një ekspozitë të sponsorizuar nga Muzeu Uffizi i Firences. Ju këshilloj të shkoni, Kryeministër, e të ecni në rrugët e këtij qyteti. Do ju bëjë mirë të shihni me sytë tuaj se sa ka ende për të bërë e si këtu koha tashmë ka skaduar. Si ndodhet sot Jugu i Italisë, dhe kjo “Nxitoni” është tashmë një sintezë e vonesës.

Sidoqoftë, mund t’ju them se të reagosh nesër është shumë vonë e do ishte një retorikë e padobishme. Por ju them gjithashtu se, sido që koha ka skaduar e deindustrializmi ka shkretuar ekonominë dhe kulturën e punës në Jug, ju Kryeministër keni për detyrë të reagoni. E para së gjithash, të pranoni se deri më sot nuk është bërë asgjë. Vetëm kështu mund të gjejmë shpresën se diçka me të vërtetë mund të bëhet.

Institucionet italiane duhet t’u kërkojnë falje miliona personave të konsideruar si topi ndër këmbë e në të njëjtën kohë të shfrytëzuar si një rezervuar energjie për t’u boshatisur. Po pak kohë më parë, qe dikush që mendoi të zhvillonte dhe mbledhjen e Këshillit të Ministrave në Kazerta të Napolit. E çfarë qe kjo? Veç një komunikim e asgjë tjetër!

E çfarë bëri politika italiane për të penguar gjakderdhjen e gjeneruar nga kriza?

Prej 2008-ës e deri më sot numërohen 700 mijë të papunë më shumë. E di, sigurisht, që ju do të më përgjigjeni se reforma juaj e punës shkon pikërisht në këtë drejtim, në ndalimin e gjakderdhjes. Po ja që unë kam detyrimin t’ju them se, edhe nëse është një reformë e mirë, siç mund të jetë dhe kjo aktuale, do të mund ta kuptojmë vetëm me kalimin e viteve, pasi të ketë gjeneruar efekte perverse e në një sistem tashmë çalues.

E ndërkohë, retorika e vendit më të bukur e ka shndërruar Jugun në një plazh ku mund të njihesh në diellin e gushtit. Për t’u larguar më pas. E duke pranuar se jo çdokush do mundet të mbërrijë në këtë plazh, meqë në autostradën Rexhio Kalabria – Salerno ka bllokime rrugësh pa fund.

Mos besoni se në fjalët e mia ka pakënaqësi jugori demode; të më falni, por ç’do të ndodhte nëse këto bllokime do të preknin një arterie kryesore të Veriut të Italisë?

Shumë herë kam dëgjuar të thonë se është e kotë të ndërhyhet.

Kush ka durim, ka vdekur. Por, nuk është kështu. Ka mjaft persona që i rezistojnë aktivisht kësaj gjendjeje, e ju keni për detyrë t’i falënderoni, njëri pas tjetrit. Janë vërtet shumë. E të gjithë së bashku ndërtojnë një shpresë për ekonominë e jugut. E ju keni detyrën përbuzëse, por fisnike, të demonstroni se jeni në anën e tyre e jo në atë të keqbërësve. Mes të cilëve, për fat të keq, qëndrojnë edhe ata që duhet të rigjenerojnë ekonominë.

Massimiliano Kapalbo vetëquhet sipërmarrës heretik e lexon në shkretëtirën industriale një element pozitiv. Nëse shkretëtirë do të thotë zhdukja nga Jugu e Ilva-s në Taranto apo Pertusola e Krotone o Italside në Banjoli, ky po që është një lajm i mirë e do të thotë se Jugu mund të zhvillohet ndryshe.

Të ndihmosh Jugun, do të thotë të vazhdosh ta asistosh, por duke e lënë të lirë të kthehet në një laborator, duke e lejuar të zhvillohet ndryshe, me ritmet e tij, me mundësitë e veçantitë e tij.

Të ndihmosh Jugun, do të thotë të lejosh sipërmarrësit e aftë e talentuozë të punësojnë e të mos pengohen nga burokracia, nga taksat, nga korrupsioni. Korrupsioni më i madh nuk është ai i të pandershmit që kërkon të vjedhë; turpi është i të ndershmit që, kur kërkon një dokument, një të drejtë ligjore, një sipërmarrje, një aktivitet, duhet të përdorë ryshfetin për të marrë atë çka i takon të marrë.

Në Jug, të drejtat blihen gjithmonë, e Ju këtë nuk duhet ta harroni….

Jo, mos më konsideroni si shprehje të radikalizmit sharlatan, tipik i fëmijëve të të pasurve të Jugut, rebelë në kurriz të të tjerëve. Viktimizimi jugor, i atij që vëzhgon të tjerët për të pritur e shprehur falimentimin e tyre dhe justifikuar paaftësinë e tyre, është një histori e vjetër. Duhet çaktivizuar, për t’u dhënë talenteve mundësinë për t’u realizuar. Përpiquni t’i merrni fjalët e mia si një përfaqësi e një territori që pushon së qeni nën vëmendje kur nuk flitet për maksi-operacion o shkëmbim zjarri…

I dashur Kryeministër, drejtoju popullit e tregoji se çfarë mendon të bësh me Jugun. Ju duhet të tregoni se dini ta kuptoni vuajtjen e një territori të shkretuar. E vetëm atëherë do të keni të drejtë t’i kërkoni popullit të Jugut t’i japë fund retorikës së vendit të bukur, për t’u bërë vërtet protagonistë të një historie të re e ndërtuar duke ecur me këmbët e veta.

E juve, si përfaqësuesi më i lartë i politikës italiane, ju takon detyra e nisjes së kësaj rruge.

E projektet duhet të jenë konkrete. Më lejoni një paradoks? Është një paradoks i trishtuar.

Nga Jugu, i dashur Kryeministër, largohen jo vetëm kush është në kërkim të një shprese në emigracion.

Nga Jugu po largohen dhe mafiet, që në këtë vend nuk “investojnë”, por e kthejnë veç pre të tyre. Biznesin e tyre të pisët e çojnë në Veri, e sidomos jashtë kufirit italian.

E pra në Jug nuk rrjedh më as paraja e përgjakur që deri në vitet ‘90 qarkullonte nga mafia.

Jugu është zhdukur nga çdo debat, për arsyen e thjeshtë sepse të gjithë, vërtet të gjithë largohen. Kur miliona italianë do të nisen nga Napoli për në Amerikë, Ju, a e dini se ç’do të ndodhë me Molin e Imakolatës?

Familjet do të vijnë me një top leshi në duar: gratë ua japin burrave, djalit, vajzës. E ndërsa anija niset, filli i leshit lëshohet duke u lëvizur në duart e atij që e mban. Qe një mënyrë për t’u ndjerë më pranë në momentin e ndarjes. Por dhe një mënyrë për t’i dhënë një simbol dhimbjes, nga ndarja e shpejtë.

Shpresa qëndronte në atë fill që emigrantët konservonin në xhepa, e që ruhej në vendet e largëta ku ndodheshin.

Nxito, i nderuar Kryeministër, na bëj të kuptojmë qëllimet tuaja; këtu është këputur tashmë dhe filli i shpresës.

http://www.gazetatema.net/web/2015/08/05/jugu-i-italise-game-over/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.